strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

SEKSIONI V - ÇREGJISTRIMI

  • Neni 48 - Çregjistrimi i subjektit tregtar
  • 1. Subjektet çregjistrohen nga regjistri tregtar në rastet e parashikuara nga legjislacioni në fuqi, për prishjen dhe pavlefshmërinë e personave juridikë, shpërndarjen e shoqërisë së thjeshtë, në rastet e përfundimit të ushtrimit të veprimtarisë ekonomike tregtare të personit fizik, si dhe në çdo rast tjetër, të parashikuar nga legjislacioni në fuqi.

    2. Çregjistrimi bëhet:
    a) në mënyrë vullnetare nga subjekti;
    b) në bazë të një vendimi gjyqësor të formës së prerë;
    c) sipas parashikimit të ligjeve të posaçme.

  • Neni 49 - Çregjistrimi vullnetar
  • Për personat fizikë çregjistrimi në mënyrë vullnetare kryhet nëpërmjet aplikimit për çregjistrim, i cili mund të bëhet së bashku me njoftimin e pushimit të veprimtarisë ekonomike e tregtare ose në një çast të dytë.
    Çregjistrimi në mënyrë vullnetare për personat juridikë, degët dhe zyrat përfaqësimit të shoqërive të huaja dhe për shoqëritë e thjeshta kryhet nëpërmjet aplikimit për çregjistrim dhe depozitimit të akteve përkatëse, që vërtetojnë kryerjen dhe mbylljen e procedurave të likuidimit, sipas legjislacionit në fuqi. Çregjistrimi nuk kryhet nëse aktet e ndërmjetme të procesit të likuidimit, sipas legjislacionit në fuqi, nuk janë njoftuar dhe depozituar pranë regjistrit tregtar. Këto akte depozitohen në formën e kërkuar nga ky ligj dhe/ose nga dispozita të tjera ligjore në fuqi.

  • Neni 50 - Çregjistrimi në rast vdekjeje
  • Në rast vdekjeje të personit fizik, çregjistrimi mund të kryhet me kërkesë të çdo pale të interesuar dhe me depozitimin e dokumenteve përkatëse. Gjithashtu, çdo palë e interesuar mund të kërkojë çregjistrimin e personit fizik nga regjistri tregtar, duke depozituar vendimin e gjykatës, me të cilin një person është shpallur i vdekur.

  • Neni 51 - Çregjistrimi me vendim të autoriteteve të tjera
  • Çregjistrimi nga regjistri tregtar kryhet në bazë të një vendimi gjyqësor të paankimueshëm apo të vendimit përfundimtar të një autoriteti tjetër publik, kur parashikohet nga ligje të posaçme, në rastet e pavlefshmërisë së personave juridikë pas mbylljes së likuidimit në rrugë gjyqësore, të falimentimit apo në raste të tjera, të parashikuara nga ligji.
    QKR-ja çregjistron kryesisht subjektin brenda 1 dite nga data e marrjes së vendimit përkatës.

  • Neni 53 - Pasojat e çregjistrimit
  • Çregjistrimi i personave juridikë nga regjistri tregtar ka si pasojë humbjen e personalitetit juridik të subjekteve, përveç rasteve kur parashikohet ndryshe nga ligje të posaçme.
    Çregjistrimi nga regjistri tregtar i personave fizikë, degëve dhe zyrave të përfaqësimit të shoqërive të huaja, shoqërive të thjeshta, sipas Kodit Civil, si dhe të subjekteve të tjera që, sipas legjislacionit në fuqi, nuk fitojnë personalitetin juridik nëpërmjet regjistrimit, ka vetëm efekt deklarativ.
    Subjektet e çregjistruara përgjigjen për detyrimet e mbetura ndaj të tretëve dhe ndaj autoriteteve publike, në përputhje me legjislacionin në fuqi.