Neni 11 - Mosmarrëveshjet midis njërës Palë dhe një Investitori

1. Mosmarrëveshjet që mund të ngrihen midis njërës Palë dhe një Investitori të Palës tjetër në lidhje me një investim sipas kuptimit të kësaj Marrëveshjeje, do të paraqiten me shkrim, përfshirë dhe një informacion të detajuar, nga investitori tek Pala pritëse e investimit. Për sa të jetë e mundur, palët e interesuara do të përpiqen ta zgjidhin këtë mosmarrëveshje në mënyrë miqësore.

2. Në rast se këto mosmarrëveshje nuk mund të zgjidhen miqësisht brenda gjashtë muajve nga data kur njoftimi me shkrim referuar paragrafit 1 është shtruar për zgjidhje, mosmarrëveshja do t’i nënshtrohet, sipas zgjedhjes së investitorit:
a) gjykatës kompetente të Palës në territorin e së cilës investimi është kryer;
b) një gjykate të përkohshme të krijuar sipas rregullave të arbitrazhit të Komisionit të Kombeve të Bashkuara për Ligjin Tregtar Ndërkombëtar;
c) Qendrës Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve (ICSID) të krijuar nga “Konventa për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të investimeve midis shteteve dhe shtetasve të shteteve të tjera”, e hapur për nënshkrim në Ëashington D.C., në 18 mars 1965, në rastin kur të dy Palët janë anëtare të kësaj Konvente. Për aq kohë sa njëra Palë e cila është Palë në mosmarrëveshje nuk është bërë Shtet i Konventës së përmendur më sipër, mosmarrëveshja do të trajtohet në përputhje me dispozitat shtesë për administrimin e procedurave nga Sekretariati i Qendrës.

3. Arbitrimi do të bazohet në:
- dispozitat e kësaj Marrëveshjeje dhe të marrëveshjeve të tjera në fuqi midis Palëve;
- rregullat dhe parimet universale të së drejtës ndërkombëtare;
- ligji kombëtar i Palës në territorin e së cilës është bërë investimi, përfshi rregullat në lidhje me konfliktet në ligj.

4. Një Palë do të shfrytëzojë për mbrojtje, dëmshpërblimin ose kompensimin për të gjithë ose një pjesë të dëmit të pësuar, që është marrë ose do të merret nga investitori në bazë të një kontrate garancie ose sigurimi.

5. Vendimi do të jetë përfundimtar dhe detyrues për Palët në mosmarrëveshje. Secila Palë merr përsipër që të zbatojë vendimet në përputhje me legjislacionin e vendit të tij.