Neni 9 - Zgjidhja e mosmarrëveshjeve ndërmjet Palëve Kontraktuese

1. Mosmarrëveshjet ndërmjet Palëve Kontraktuese në lidhje me interpretimin ose zbatimin e kësaj Marrëveshjeje, për sa është e mundur, do të zgjidhen me konsultime nëpërmjet kanaleve diplomatike.

2. Në qoftë se mosmarrëveshja nuk është e mundur të zgjidhet brenda gjashtë (6) muajve prej fillimit të bisedimeve, ajo do t'i nënshtrohet me kërkesën e njërës prej dy Palëve Kontraktuese, një gjykate arbitrazhi të përkohshme, në përputhje me dispozitat e këtij neni.

3. Kjo gjykatë arbitrazhi do të krijohet për çdo rast në mënyrën e mëposhtme: brenda dy (2) muajve nga data e marrjes së kërkesës për arbitrazh, çdo Palë Kontraktuese do të caktojë një anëtar 101 të gjykatës. Këta dy gjykatës do të zgjedhin pastaj një shtetas të një shteti të tretë, i cili me aprovimin e të dyja Palëve Kontraktuese do të caktohet Kryetar i Gjykatës. Kryetari do të caktohet brenda dy (2) muajve, nga data e caktimit të dy anëtarëve të tjerë.

4. Në rast se brenda afateve të specifikuara në paragrafin (3) të këtij neni nuk janë bërë emërimet e nevojshme, atëherë secila Palë Kontraktuese, mund të ftojë Presidentin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të bëjë këto emërime. Në rast se Presidenti është shtetas i ndonjërës prej Palëve Kontraktuese ose në qoftë se ai ndalohet të kryejë funksionet e mësipërme, zëvendëspresidenti ftohet që të bëjë emërimet. Në rast se zëvendëspresidenti gjithashtu është shtetas i njërës prej Palëve Kontraktuese ose nëse ai ndalohet të kryejë funksionet e mësipërme, anëtari më i vjetër i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, i cili nuk është shtetas i njërës prej Palëve do të ftohet të bëjë emërimet.

5. Gjykata e arbitrazhit do t'i japë vendimet e saj me shumicë votash. Ky vendim do të jetë detyrues për të dyja Palët Kontraktuese.

6. Çdo Palë Kontraktuese do të përballojë shpenzimet për gjykatësin e zgjedhur prej saj dhe ato të përfaqësimit në procedurat e arbitrazhit. Shpenzimet e tjera përfshirë dhe ato të kryetarit, do të përballohen në pjesë të barabarta nga të dyja palët. Gjykata e arbitrazhit, mundet, megjithatë, që me vendim të saj direkt të vendosë që njërës nga të dyja Palët Kontraktuese t'i caktohet një pjesë më e lartë e shpenzimeve. Gjykata e arbitrazhit do t'i përcaktojë vetë procedurat e saj.