Neni 11 - Mosmarrëveshjet midis njërës Palë dhe një investitori të Palës tjetër

1. Mosmarrëveshjet që mund të ngrihen midis njërës Palë dhe një investitori të Palës tjetër në lidhje me një investim, do të paraqiten me shkrim, përfshi dhe një informacion të detajuar, nga investitori tek Pala pritëse e investimit. Përsa të jetë e mundur, Palët e interesuara do të përpiqen ta zgjidhin këtë mosmarrëveshje në mënyrë miqësore.

2. Në rast se këto mosmarrëveshje nuk mund të zgjidhen miqësisht brenda gjashtë muajve nga data kur njoftimi me shkrim referuar paragrafit 1 është shtruar për zgjidhje, mosmarrëveshja do t’i nënshtrohet, sipas zgjedhjes së investitorit:
a) gjykatës kompetente të Palës në territorin e së cilës investimi është kryer;
b) një gjykate arbitrazhi të përkohshme të krijuar sipas Rregullave të Arbitrazhit të Komisionit të Kombeve të Bashkuara për Ligjin Tregtar Ndërkombëtar (UNCITRAL);
c) Qendrës Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve (ICSID) të krijuar nga “Konventa për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të investimeve ndërmjet shteteve dhe shtetasve të shteteve të tjera”, e hapur për nënshkrim në Ëashington në 18 mars 1965, në rastin kur të dy Palët janë anëtare të kësaj Konvente.

3. Arbitrimi do të bazohet në:
- dispozitat e kësaj Marrëveshjeje;
- rregullat dhe parimet universale të së drejtës ndërkombëtare;
- ligji kombëtar i Palës në territorin e së cilës është bërë investimi.

4. Një Palë nuk do të shfrytëzojë për mbrojtje, dëmshpërblim ose kompensim tjetër për të gjitha ose një pjesë të dëmit të pësuar që është marrë ose do të merret nga investitori në bazë të një kontrate garancie ose sigurimi.

5. Vendimet e arbitrazhit do të jenë përfundimtare dhe detyruese për Palët në mosmarrëveshje. Secila Palë merr përsipër që të zbatojë vendimet në përputhje me legjislacionin e vendit të saj.