Neni 11 - Mbledhjet e këshillit drejtues

Këshilli mblidhet, në mënyrë periodike, të paktën një herë në dy muaj ose sa herë që e kërkon interesi i Agjencisë. Këshilli drejtues thirret nga kryetari kur këtë e kërkojnë me shkrim 3 nga anëtarët e këshillit apo me kërkesë të drejtorit. Anëtarët lajmërohen me shkrim 15 ditë para zhvillimit të mbledhjes. Në njoftimin për mbledhje shënohen data, ora, vendi i zhvillimit të mbledhjes, si dhe rendi i ditës. Kur ka nevojë, njoftimit i bashkëlidhen edhe projektvendimet, që parashikohen të shqyrtohen në mbledhje.
Mbledhja drejtohet nga kryetari dhe në mungesë të tij nga njëri prej anëtarëve të këshillit drejtues, i përcaktuar nga kryetari. Nëse kryetari i këshillit drejtues nuk ka caktuar një anëtar, mbledhja drejtohet nga anëtari më i moshuar, që merr pjesë në mbledhje.