strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

KAPITULLI III - AUTORITETET QENDRORE DHE ORGANET E AKREDITUARA

  • Neni 5
  • Birësimi në kuadrin e Konventës do të bëhet vetëm në rast se autoritetet kompetente të shtetit pritës:

    a) kanë vendosur që prindërit e ardhshëm birësues kanë të drejtë dhe janë të përshtashëm për të birësuar;

    b) janë siguruar se prindërit e ardhshëm birësues janë këshilluar sipas nevojës; dhe

    c) kanë vendosur që fëmija është autorizuar ose do të autorizohet për të hyrë dhe për të banuar përgjithmonë në atë shtet.

  • Neni 6
  • 1. Një Shtet Kontraktues do të caktojë një Autoritet Qendror për t’i kaluar këtij autoriteti detyrimet që ka në bazë të Konventës.

    2. Shtetet Federativë, shtetet me më shumë se një sistem legjislacioni ose shtetet që kanë njësi territoriale autonome, janë të lira të caktojnë më shumë se një Autoritet Qendror dhe të përcaktojnë shtrirjen e funksioneve të tyre territoriale apo personale. Kur një shtet ka caktuar më shumë se një Autoritet Qendror, ai cakton Autoritetin Qendror, të cilit mund t’i drejtohet njoftimi për transmetim Autoritetit Qendror përkatës brenda atij shteti.

  • Neni 7
  • 1. Autoritetet Qendrore bashkëpunojnë me njëri-tjetrin dhe nxisin bashkëpunimin midis autoriteteve kompetente në shtetet e tyre, për të mbrojtur fëmijët dhe për të arritur objektivat e tjera të Konventës.

    2. Ato marrin drejtpërdrejt të gjitha masat e duhura:
    a) për të siguruar informacion lidhur me ligjet e shteteve të tyre për birësimin dhe informacion tjetër të përgjithshëm, si statistika dhe formularë standard;
    b) për të informuar njëri-tjetrin lidhur me funksionimin e Konventës dhe për të eliminuar sa më shumë çdo pengesë në zbatimin e saj.

  • Neni 8
  • Autoritetet Qendrore marrin të gjitha masat e nevojshme, drejtpërsëdrejti ose nëpërmjet autoriteteve publike, për të parandaluar përfitime financiare ose përfitime të tjera të parregullta në lidhje me një birësim dhe për të mos lejuar asnjë praktikë që bie në kundërshtim më qëllimet e kësaj Konvente.

  • Neni 9
  • Autoritetet Qendrore marrin të gjitha masat e nevojshme, drejtpërsëdrejti ose nëpërmjet organeve të tjera të akredituara rregullisht në shtetin e tyre, sidomos:

    a) për të mbledhur, ruajtur dhe shkëmbyer informacion lidhur me gjendjen e fëmijës dhe prindërit e ardhshëm birësues, për aq sa është e nevojshme për realizimin e birësimit;

    b) për të lehtësuar, ndjekur dhe shpejtuar procedurat lidhur me sigurimin e birësimit;

    c) për të nxitur dhe zhvilluar këshillimin lidhur me birësimin dhe shërbimet pas birësimit në shtetet e tyre;

    d) për t’i dhënë njëri-tjetrit raporte vlerësimesh të përgjithshme mbi përvojën e birësimit në vende të tjera;

    e) për t’iu përgjigjur kërkesave të Autoriteteve të tjera Qendrore ose autoriteteve të tjera publike, aq sa e lejon ligji i shtetit të tyre, për informacione mbi gjendjen e një birësimi të veçantë.

  • Neni 10
  • Akreditimi u bëhet dhe mbahet vetëm nga organet që tregojnë kompetencë për të realizuar si duhet detyrat që u ngarkohen.

  • Neni 11
  • Një organ i akredituar:

    a) Ndjek vetëm objektiva jofitimprurëse, sipas kushteve dhe caqeve të përcaktuara nga autoritetet kompetente të shtetit akreditues;

    b) Drejtohet dhe ka një personel me persona të kualifikuar në normat e sjelljes dhe që kanë kualifikim ose përvojë për të punuar në fushën e birësimit jashtë vendit; dhe

    c) I nënshtrohet mbikqyrjes së autoriteteve kompetente të atij shteti, lidhur me përbërjen, funksionimin dhe gjendjen financiare.

  • Neni 12
  • Një organ i akredituar në një Shtet Kontraktues mund të veprojë në një Shtet tjetër Kontraktues vetëm në rast se autoritetet kompetente të të dy shteteve kanë autorizuar një gjë të tillë.

  • Neni 13
  • Emërimi i Autoriteteve Qendrore dhe, sipas rastit, shtrirja e funksioneve të tyre, si dhe emrat dhe adresat e organeve të akredituara do t’i komunikohen nga secili Shtet Kontraktues Zyrës së Përhershme të Konferencës së Hagës për të Drejtën Ndërkombëtare Private.