strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

KAPITULLI V - NJOHJA DHE PASOJAT E BIRËSIMIT

  • Neni 22
  • 1. Funksionet e Autoritetit Qendror në bazë të këtij kapitulli mund të kryhen nga autoritetet publike ose nga organet publike e akredituara në bazë të kapitullit III, në atë shkallë që e lejon legjislacioni i shtetit të tij.

    2. Çdo Shtet Kontraktues mund t’i deklarojë organit ku është depozituar Konventa se funksionet e Autoritetit Qendror sipas neneve 15 deri 21, mund të kryhen në atë shtet, në shkallën që lejon legjislacioni dhe duke iu nënshtruar mbikqyrjes të autoriteteve kompetente të atij shteti edhe nga organe ose persona, të cilët:
    a) plotësojnë kërkesat e integritetit, kompetencat profesionale, përvojës dhe përgjegjshmërinë të atij shteti, dhe
    b) janë të kualifikuar për normat e tyre morale dhe për kualifikimit ose përvojën në punë në fushën e birësimit jashtë vendit.

    3. Një shtet Kontraktues, i cili bën deklaratën e përmendur në paragafin 2 informon Zyrën e Përhershme të Konferncës së Hagës mbi të Drejtën Ndërkombëtare Private mbi emrat dhe adresat e këtyre organeve dhe personave.

    4. Çdo Shtet Kontraktues mund t’i deklarojë organit ku është depozituar Konventa se birësimet e fëmijëve që zakonisht banojnë në territorin e tij mund të bëhen vetëm në rast se funksionet e Autoriteteve Qendrore kryen në përputhje me paragrafin 1.

    5. Pavarësisht nga çdo deklaratë e bërë në bazë të paragrafit 2, raportet e dhëna për nenet 15 dhe 16 përgatiten, në secilin rast, në përgjegjësinë e Autoritetit Qendror ose të autoriteteve apo organeve të tjera, në përputhje me paragrafin 1.

  • Neni 23
  • 1. Një birësim i vërtetuar nga Autoriteti Kompetent i shtetit të birësimit, se është bërë në përputhje me Konventën, njihet nga veprimi i ligjit në Shtetet e tjera Kontrakuese. Vërtetimi përcakton si dhe kur është arritur marrëveshja, sipas nenit 17, nënparagrafi (c).

    2. Secili Shtet Kontraktues, në kohën e nënshkrimit, ratifikimit, pranimit, miratimit ose aderimit, njofton organin ku depozitohet Konventa mbi identitetin dhe funksionet e autoritetit ose autoriteteve, të cilët janë kompetentë në atë shtet për të dhënë vërtetimin. Ai njofton gjithashtu organin ku depozitohet Konventa për çdo ndryshim në emërimin e këtyre autoriteteve.

  • Neni 24
  • Njohja e një birësimi mund të refuzohet në një Shtet Kontraktues vetëm në rast se birësimi bie në kundërshtim të hapur me politikën e tij publike, duke pasur parasysh interesat më të lartë të fëmijës.

  • Neni 25
  • Çdo Palë Kontraktuese mund t’i daklarojë organit ku depozitohet Konventa se ai nuk është i detyruar sipas kësaj Konvente t’i njohë birësimet e bëra në përputhje me një marrëveshje të arritur në zbatim të nenit 39, paragrafi 2.

  • Neni 26
  • 1. Njohja e një birësimi përfshin njohjen e:
    a) marrëdhënieve ligjore prind-fëmijë midis fëmijës dhe prindërve të tij birësues;
    b) përgjegjësinë prindërore të prindërve birësues ndaj fëmijës;
    c) ndërprerjen e marrëdhënieve të mëparshme midis fëmijës dhe nënës apo babait të tij, në rast se birësimi ka një pasojë të tillë në Shtetin Kontraktues, kur është bërë.

    2. Në rastin e birësimit që ka për pasojë ndërprerjen e marrëdhënieve ligjore prind-fëmijë, fëmija gëzon në shtetin pritës dhe në çdo Shtet tjetër Kontraktues ku birësimi njihet, të drejta të barabarta me ato që rrjedhin nga birësimet që kanë pasojë të tillë në secilin shtet.

    3. Paragrafët e mësipërm nuk paragjykojnë zbatimin e çdo dispozite, që është më e favorshme për fëmijën dhe që është në fuqi në Shtetin Kontraktues, i cili pranon birësimin.

  • Neni 27
  • 1. Kur birësimi i lejuar në shtetin e origjinës nuk ka për pasojë ndërprerjen e marrëdhënieve ligjore prind-fëmijë, ai mund të kthehet në një birësim të efektshëm në shtetin, i cili njeh birësimin në bazë të Konventës:
    a) në rast se ligji i shtetit pritës lejon një gjë të tillë, dhe
    b) në rast se pëlqimet e përmendura në nenin 4, paragrafët c dhe d, janë dhënë për qëllim të një birësimi të tillë.

    2. Neni 23 zbatohet ndaj vendimit që ndryshon birësimin.