KAPITULLI I - FUSHA E VEPRIMIT TË KËSAJ KONVENTE

  • Neni 1
  • 1. Objektivat e kësaj Konvente janë:
    a) të përcaktojë shtetin, autoritetet e të cilit kanë juridiksion për të marrë masa në lidhje me mbrojtjen e fëmijëve ose pasurisë së tyre;
    b) të përcaktojë se cili ligj duhet të zbatohet nga këto autoritete në ushtrimin e juridiksionit të tyre;
    c) të përcaktojë ligjin e zbatueshëm për përgjegjësinë prindërore;
    d) të parashikojë njohjen dhe zbatimin e këtyre masave mbrojtëse në të gjitha Shtetet Kontraktuese;
    e) të vendosë bashkëpunimin ndërmjet autoriteteve të Shteteve Kontraktuese, sipas nevojës, në mënyrë që të përmbushen qëllimet e kësaj Konvente.

    2. Për qëllimet e kësaj Konvente, termi “përgjegjësi prindërore” nënkupton autoritetin prindëror ose çdo marrëdhënie të ngjashme të autoritetit që përcakton të drejtat, kompetencat dhe përgjegjësitë e prindërve, kujdestarëve ose përfaqësuesve të tjerë ligjorë në lidhje me fëmijën ose pasurinë e tij.

  • Neni 2
  • Kjo Konventë zbatohet për fëmijët nga momenti i lindjes deri në moshën 18 vjeç.

  • Neni 3
  • Masat e referuara në nenin 1 do të kenë lidhje, në veçanti, me:

    a) dhënien, ushtrimin, përfundimin ose kufizimin e përgjegjësisë prindërore, si dhe delegimin e saj;

    b) të drejtat e kujdestarisë, duke përfshirë të drejtat në lidhje me kujdesin për fëmijën dhe, në veçanti, të drejtën për të përcaktuar vendbanimin e fëmijës, si dhe të drejtat e hyrjes, duke përfshirë të drejtën për ta marrë fëmijën për një periudhë të kufizuar kohe, në një vend tjetër nga ai i banesës së përhershme të fëmijës;

    c) kujdestarinë dhe institucionet e ngjashme;

    d) planifikimin dhe funksionet e çdo personi apo organi që përfaqëson apo ndihmon fëmijën, që është përgjegjës për fëmijën ose pasurinë e tij;

    e) vendosjen e fëmijës në një familje kujdestare nën kujdesin institucional, sigurimin e kujdesit kafala apo të një institucioni të ngjashëm;

    f) mbikëqyrjen nga një autoritet publik për kujdesin e treguar ndaj fëmijës nga çdo person që ka fëmijën nën përgjegjësinë e vet;

    g) administrimin, ruajtjen ose eliminimin e pasurisë së fëmijës.

  • Neni 4
  • Kjo Konventë nuk është e zbatueshme për:

    a) vendosjen ose kundërshtimin e marrëdhënies prind-fëmijë;

    b) vendimet mbi adoptimin, masat përgatitore për adoptim ose anulimin, apo revokimin e adoptimit;

    c) emrin dhe mbiemrin e fëmijës;

    d) emancipimin;

    e) detyrimet për mbajtjen;

    f) trustet apo vazhdimin e trashëgimisë;

    g) sigurimet shoqërore;

    h) masat publike të karakterit të përgjithshëm në çështjet e arsimit ose ato shëndetësore;

    i) masat e marra si rezultat i veprave penale të kryera nga fëmijët;

    j) vendimet mbi të drejtat e strehimit politik dhe ato mbi emigracionin.