strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

KAPITULLI III - LIGJI I ZBATUESHËM

  • Neni 15
  • 1. Në ushtrimin e juridiksionit të tyre, sipas dispozitave të kapitullit II, autoritetet e Shteteve Kontraktuese do të zbatojnë ligjin e tyre.

    2. Megjithatë, për sa kohë që mbrojtja e fëmijës ose e pasurisë së fëmijës e kërkon këtë, ato mund të zbatojnë përjashtimisht ose ta marrin në konsideratë ligjin e shtetit tjetër, me të cilin situata ka një lidhje thelbësore.

    3. Nëse banesa e përhershme e fëmijës ndryshon në një Shtet tjetër Kontraktues, nga koha e ndryshimit, ligji i këtij shteti tjetër ka epërsi mbi kushtet e zbatimit të masave të marra në shtetin e ishbanesës së përhershme.

  • Neni 16
  • 1. Dhënia ose shuarja e përgjegjësisë prindërore me anë të funksionimit të ligjit, pa ndërhyrjen e një autoriteti gjyqësor ose administrativ, udhëhiqet nga ligji i shtetit të banesës së përhershme të fëmijës.

    2. Dhënia ose shuarja e përgjegjësisë prindërore me anë të një marrëveshjeje ose akti të njëanshëm, pa ndërhyrjen e një autoriteti gjyqësor ose administrativ, udhëhiqet nga ligji i shtetit të banesës së përhershme të fëmijës në kohën kur marrëveshja ose akti i njëanshëm bëhet i vlefshëm.

    3. Përgjegjësia prindërore, e cila ekziston sipas ligjit të shtetit të banesës së përhershme të fëmijës, vazhdon të ekzistojë pas një ndryshimi të banesës së përhershme në një shtet tjetër.

    4. Nëse banesa e përhershme e fëmijës ndryshon, dhënia e përgjegjësisë prindërore me anë të funksionimit të ligjit të një personi i cili tashmë nuk ka një përgjegjësi të tillë, udhëhiqet nga ligji i shtetit të banesës së tij të re.

  • Neni 17
  • Ushtrimi i përgjegjësisë prindërore udhëhiqet nga ligji i shtetit të banesës së përhershme të fëmijës. Nëse banesa e përhershme e fëmijës ndryshon, udhëhiqet nga ligji i shtetit të banesës së re.

  • Neni 18
  • Përgjegjësia prindërore e përmendur në nenin 16 mund të përfundojë, ose kushtet e ushtrimit të saj mund të modifikohen, me anë të masave të marra sipas kësaj Marrëveshjeje.

  • Neni 19
  • 1. Vlefshmëria e një transaksioni midis një pale të tretë dhe një personi tjetër, i cili do të kishte të drejtë të vepronte si përfaqësuesi ligjor i fëmijës sipas ligjit të shtetit ku transaksioni është përfunduar, nuk mund të kundërshtohet dhe pala e tretë nuk mund të jetë përgjegjëse, për arsyen e vetme se personi tjetër nuk ka pasur të drejtë të veprojë si përfaqësues ligjor i fëmijës, sipas ligjit të përcaktuar nga dispozitat e këtij kapitulli, për sa kohë që pala e tretë e di ose duhet ta ketë ditur se përgjegjësia prindërore është udhëhequr nga ky ligj.

    2. Paragrafi i mësipërm zbatohet vetëm nëse transaksioni është lidhur midis personave të pranishëm në territorin e të njëjtit shtet.

  • Neni 20
  • Dispozitat e këtij kapitulli zbatohen edhe nëse ligji i përcaktuar nga to është ligji i një shteti jokontraktues.

  • Neni 21
  • 1. Në këtë kapitull, termi “ligj” nënkupton ligjin në fuqi në shtet, të ndryshëm nga zgjedhja e tij e dispozitave ligjore.

    2. Megjithatë, nëse ligji i zbatueshëm sipas nenit 16 është ai i një shteti jokontraktues dhe nëse zgjedhja e dispozitave të ligjit të këtij shteti përcakton ligjin e një shteti tjetër jokontraktues, i cili do zbatonte ligjin e vet, zbatohet ligji i atij shteti. Nëse ky shtet tjetër jokontraktues nuk do të zbatonte ligjin e vet, ligji i zbatueshëm është ai i përcaktuar në nenin 16.

  • Neni 22
  • Zbatimi i ligjit të përcaktuar nga dispozitat e këtij kapitulli mund të refuzohet vetëm nëse ky zbatim do të ishte hapur kundër politikës publike, duke marrë në konsideratë interesin më të mirë të fëmijës.