strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

KAPITULLI V - BASHKËPUNIMI

  • Neni 29
  • 1. Një Shtet Kontraktues do të caktojë një autoritet qendror për të kryer detyrat, të cilat janë vënë nga kjo Konventë për këto autoritete.

    2. Shtetet federale, shtetet me më shumë se një sistem ligjor ose shtetet që kanë njësi autonome territoriale do të jenë të lira të caktojnë më shumë se një autoritet qendror dhe të përcaktojë masën territoriale ose personale të funksioneve të tyre. Kur një shtet ka caktuar më shumë se një autoritet qendror, ai do të caktojë autoritetin qendror tek i cili mund të paraqitet ndonjë komunikim për transmetim tek autoriteti qendror përkatës brenda këtij shteti.

  • Neni 30
  • 1. Autoritetet qendrore do të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin dhe do të nxisin bashkëpunimin ndërmjet autoriteteve kompetente në shtetet e tyre, për të përmbushur qëllimet e Konventës.

    2. Ata, në lidhje me zbatimin e Konventës, do të marrin hapat e duhur për të siguruar informacion, sipas ligjeve dhe shërbimeve në dispozicion, në shtetet e tyre, në lidhje me mbrojtjen e fëmijëve.

  • Neni 31
  • Autoriteti Qendror i një Shteti Kontraktues ose në mënyrë të drejtpërdrejtë, ose nëpërmjet autoriteteve publike apo organeve të tyre, duhet të marrin të gjithë hapat e nevojshëm:

    a) për të lehtësuar komunikimin dhe ofruar ndihmën e parashikuar në nenet 8 dhe 9 dhe në këtë kapitull;

    b) për të lehtësuar, me anë të ndërmjetësimit, pajtimit ose instrumenteve të tjera të ngjashme, zgjidhjet e miratuara për mbrojtjen e fëmijës ose pasurisë së fëmijës në situatat në të cilat zbatohet Konventa;

    c) me kërkesën e një autoriteti kompetent të një Shteti tjetër Kontraktues, të sigurojë asistencë për zbulimin e vendndodhjes, ku ka të ngjarë të jetë fëmija dhe për nevojën e mbrojtjes brenda territorit të shtetit të kërkuar.

  • Neni 32
  • Përmes një kërkese të bërë me arsye të argumentuara përkatëse nga autoriteti qendror ose çdo autoritet tjetër kompetent i çdo Shteti Kontraktues, me të cilin fëmija ka lidhje të ngushtë, autoriteti qendror i Shtetit Kontraktues, në të cilin fëmija është banor i përhershëm dhe i pranishëm, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose me anë të autoriteteve publike apo organeve të tjera:

    a) mund të bëjë një raport në lidhje me situatën e fëmijës;

    b) mund t’i kërkojë autoritetit kompetent të shtetit të tij të marrë në konsideratë nevojën për të marrë masa për mbrojtjen e fëmijës ose pasurisë së fëmijës.

  • Neni 33
  • 1. Nëse një autoritet që ka juridiksionin sipas neneve 5-10 e shqyrton me hollësi çështjen e vendosjes së fëmijës në një familje kujdestare ose nën kujdes institucional, apo në sigurimin e kujdesit kafala ose një institucioni të ngjashëm dhe nëse kjo vendosje ose sigurim kujdesi zhvillohet në një Shtet tjetër Kontraktues, së pari do të konsultohet me autoritetin qendror ose çdo autoritet tjetër kompetent të këtij shteti. Për këtë qëllim, ai do të dërgojë një raport për fëmijën, së bashku me arsyet për vendosjen e propozuar ose sigurimin e kujdesit.

    2. Vendimi në lidhje me vendosjen ose sigurimin e kujdesit mund të merret në shtetin kërkues vetëm nëse autoriteti qendror ose autoriteti tjetër kompetent i shtetit të kërkuar ka miratuar vendosjen ose sigurimin e kujdesit, duke marrë në konsideratë interesat e fëmijës.

  • Neni 34
  • 1. Kur reflektohet në lidhje me një masë mbrojtëse, nëse e kërkon situata e fëmijës, autoritetet kompetente sipas Konventës mund t’i kërkojnë çdo autoriteti ose ndonjë Shteti tjetër Kontrakutes, i cili ka informacion mbi mbrojtjen e fëmijës, komunikimin e këtij informacioni.

    2. Një Shtet Kontraktues mund të deklarojë se kërkesat sipas paragrafit 1 do t’i komunikohen autoriteteve të tij vetëm nëpërmjet autoritetit qendror të tij.

  • Neni 35
  • 1. Autoritetet kompetente të një Shteti Kontraktues mund t’i kërkojnë autoriteteve të një Shteti tjetër Kontraktues të ndihmojnë në zbatimin e masave të mbrojtjes marrë sipas kësaj Konvente, veçanërisht në sigurimin e ushtrimit efektiv të të drejtave të hyrjes, si dhe të drejtën për të marrë kontakte të drejtpërdrejta dhe të rregullta.

    2. Autoritetet e një Shteti Kontraktues, në të cilin fëmija nuk ka banesën e përhershme, me kërkesën e prindit që banon në atë shtet, i cili kërkon të krijojë apo mbajë lidhje me fëmijën, mund të mbledhin informacion ose të dhëna dhe të nxjerrin një përfundim mbi përshtatshmërinë e këtij prindi për të ushtruar të drejtat dhe mbi kushtet sipas të cilave duhet të ushtrohen këto të drejta. Një autoritet që ushtron juridiksionin, sipas neneve 5 deri në 10, për të përcaktuar një kërkesë në lidhje me të drejtat mbi fëmijën, duhet të deklarojë dhe ta marrë në konsideratë këtë informacion, këto fakte dhe këtë përfundim para se të marrë vendimin e saj.

    3. Një autoritet që ka juridiksion, sipas neneve 5 deri në 10 për të vendosur mbi të drejtat, mund të shtyjë një procedim duke pezulluar rezultatin e një kërkese të bërë sipas paragrafit 2, në veçanti, kur po merr në konsideratë një kërkesë për të kufizuar apo për t’i dhënë fund të drejtave të hyrjes të dhëna në shtetin e banesës së mëparshme të përhershme të fëmijës.

    4. Asgjë në këtë nen nuk do ta ndalojë një autoritet që ka juridiksion, sipas neneve 5- 10, të marrë masa të përkohshme duke pezulluar rezultatin e kërkesës së bërë sipas paragrafit 2.

  • Neni 36
  • Në rast se fëmija është i ekspozuar ndaj një rreziku serioz, autoritetet kompetente të Shtetit Kontraktues, ku janë marrë masat për mbrojtjen e fëmijës ose janë në shqyrtim, nëse informohen se vendbanimi i fëmijës ka ndryshuar ose se fëmija ndodhet në një shtet tjetër, do të informojnë autoritetet e shtetit tjetër mbi rrezikun dhe masat e marra apo ato nën shqyrtim.

  • Neni 37
  • Një autoritet nuk do të kërkojë apo transmetojë ndonjë informacion sipas këtij kapitulli, nëse për këtë do t’i duhej, sipas gjykimit të saj, ta vinte fëmijën apo pasurinë e tij në rrezik apo të përbënte një kërcënim serioz të lirisë apo jetës së një anëtari të familjes së fëmijës.

  • Neni 38
  • 1. Pa paragjykuar mundësinë e vënies së tarifave të arsyeshme për sigurimin e shërbimeve, autoritetet qendrore dhe autoritetet e tjera publike të Shteteve Kontraktuese do të përballojnë shpenzimet e tyre në zbatimin e dispozitave të këtij kapitulli.

    2. Një Shtet Kontraktues mund të hyjë në marrëveshje me një ose me shumë Shtete të tjera Kontraktuese në lidhje me ndarjen e përgjegjësive.

  • Neni 39
  • Çdo Shtet Kontraktues mund të hyjë në marrëveshje me një ose më shumë Shtete Kontraktuese, më qëllim përmirësimin e zbatimit të këtij kapitulli në marrëdhëniet e tyre reciproke. Shtetet të cilat kanë lidhur këtë marrëveshje, do t’i japin një kopje depozitarit të Konventës.