strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

KAPITULLI VII - DISPOZITA TË FUNDIT

  • Neni 57
  • 1. Kjo Konventë është e hapur për nënshkrim për shtetet e përfaqësuara në sesionin e tetëmbëdhjetë të Konferencës së Hagës mbi të drejtën ndërkombëtare private.

    2. Kjo Konventë i nënshtrohet ratifikimit, pranimit ose miratimit dhe instrumentet përkatëse të ratifikimit, pranimit ose miratimit depozitohen pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme të Holandës, që ka funksionin e depozitarit të kësaj Konvente.

  • Neni 58
  • 1. Çdo Shtet tjetër mund të aderojë në këtë Konventë pas hyrjes në fuqi të saj në përputhje me nenin 61 paragrafi i parë.

    2. Instrumenti i aderimit depozitohet pranë depozitarit të kësaj Konvente.

    3. Ky aderim do të ketë efekt vetëm në lidhje me marrëdhëniet midis shtetit aderues dhe shteteve palë, të cilët nuk kanë paraqitur kundërshtim për këtë aderim brenda gjashtë muajve nga marrja e njoftimit, parashikuar nga neni 63 pika b. Një kundërshtim i tillë mund të bëhet prej shteteve palë gjatë ratifikimit, pranimit ose miratimit të kësaj Konvente pas një aderimi. Për çdo kundërshtim do të njoftohet depozitari.

  • Neni 59
  • 1. Nëse një shtet ka dy ose më shumë njësi territoriale në të cilat zbatohen sisteme të ndryshme ligjore në lidhje me çështjet e trajtuara në këtë Konventë, ai mund të deklarojë në kohën e nënshkrimit, ratifikimit, miratimit ose aderimit, se Konventa do të shtrihet në të gjitha njësitë territoriale ose vetëm në një ose më shumë prej tyre. Ky shtet mund ta modifikojë këtë deklaratë duke dorëzuar një deklaratë tjetër në çdo kohë.

    2. Çdo deklaratë e tillë do t’i njoftohet depozitarit duke deklaruar shprehimisht njësitë territoriale në të cilat zbatohet kjo Konventë.

    3. Nëse një shtet nuk bën asnjë deklaratë të tillë në përputhje me këte nen, kjo Konventë do të shtrihet në të gjitha njësitë territoriale të këtij shteti.

  • Neni 60
  • 1. Çdo shtet, në çastin e ratifikimit, pranimit, miratimit ose aderimit në këtë Konventë, ose në kohën e paraqitjes se një deklarate në lidhje me nenin 59, mund të paraqesë një ose të dyja rezervat e parashikuara në nenin 54 paragrafi i dytë dhe nenin 55. Asnjë rezervë tjetër nuk mund të bëhet.

    2. Çdo shtet palë në çdo kohë mund ta tërheqë këtë rezervë me një njoftim të drejtuar depozitarit.

    3. Rezerva e humbet fuqinë dy muaj pas datës së dërgimit të njoftimit të referuar në paragrafin mësipërm.

  • Neni 61
  • 1. Kjo Konventë do të hyjë në fuqi tre muaj pas datës së depozitimit të instrumentit të tretë të ratifikimit, të pranimit ose të miratimit referuar në nenin 57.

    2. Më pas ajo do të hyjë në fuqi:

    a) për çdo shtet tjetër palë në proces ratifikimi, pranimi ose miratimi, tre muaj pas datës së depozitimit të instrumentit të ratifikimit, të pranimit, të miratimit, ose të aderimit;

    b) për çdo shtet aderues, tre muaj pas përfundimit të periudhës gjashtëmujore parashikuar në paragrafin e tretë të nenit 58;

    c) për një territor në të cilin Konventa është shtrirë në përputhje me nenin 59 tre muaj pas njoftimit të referuar në të njëjtin nen.

  • Neni 62
  • 1. Çdo shtet palë në Konventë mund ta denoncojë atë përmes një njoftimi me shkrim të dërguar depozitarit. Ai mund të kufizohet për disa territore në të cilat zbatohet Konventa.

    2. Denoncimi bëhet i efektshëm dymbëdhjetë muaj pas marrjes së njoftimit të denoncimit prej depozitarit. Në rast se hyrja në fuqi e denoncimit kërkon një periudhë më të gjatë kohe sipas specifikimit të bërë në njoftim, denoncimi bëhet i efektshëm pas përfundimit të kësaj periudhe.

  • Neni 63
  • Depozitari i njofton shtetet palë të Konferencës së Hagës mbi të drejtën ndërkombëtare private, si dhe shteteve që kanë aderuar në përputhje me nenin 58, sa më poshtë:

    a) nënshkrimet, ratifikimet, pranimet dhe miratimet e parashikuara në nenin 57;

    b) aderimet dhe kundërshtimet përkatëse të parashikuara në nenin 58;

    c) datën në të cilën kjo Konventë hyn në fuqi në përputhje me nenin 61;

    d) deklarimet e parashikuara në nenin 34 paragrafi i dytë dhe nenin 59;

    e) marrëveshjet e parashikuara në nenin 39;

    f) rezervat e parashikuara në nenin 54 paragrafi i dytë dhe nenin 55, si dhe tërheqjet e tyre të parashikuara në nenin 60 paragrafi i dytë;

    g) denoncimet i referohen nenit 62.

    Në dëshmi të kësaj, personat e autorizuar posaçërisht nënshkruajnë këtë Konventë.

    Bërë në Hagë, më 19 tetor 1996, në frëngjisht dhe anglisht, të dyja tekstet njëlloj të vlefshme, në një kopje të vetme, e cila do të depozitohet në arkivat e Qeverisë holandeze, e cila, nëpërmjet kanaleve diplomatike, i dërgon një kopje të vërtetuar çdo shteti të përfaqësuar në sesionin e tetëmbëdhjetë të Konferencës së Hagës mbi të Drejtën ndërkombëtare private.