Neni 5 - Rritja e ndërgjegjësimit

5.1 Palët Kontraktuese bien dakord që, me qëllim parandalimin në mënyrë efektive të trafikimit të fëmijëve (në rast se mungojnë të tilla masa parandaluese), është e nevojshme që shoqëria në përgjithësi dhe grupet e synuara në veçanti, të ndërgjegjësohen për trafikimin e fëmijëve. Në këtë kuadër, Palët Kontraktuese marrin përsipër:

a) të ndërmarrin një fushatë informative për ndërgjegjësimin e publikut në lidhje me trafikimin e fëmijëve dhe për format e ndryshme të manifestimit të tij në Palët Kontraktuese, në bashkëpunim me shoqërinë civile, organizatat joqeveritare dhe organizatat ndërkombëtare të përfshira në aktivitete për mbrojtjen e fëmijëve dhe me aktorë joshtetërorë. Secila Palë Kontraktuese do të marrë përsipër koston e fushatës informative në territorin e vet;

b) të ndërgjegjësojnë grupe të tjera kompetente, si hartuesit e politikave, personelin e policisë dhe profesionistë të tjerë kompetentë, si p.sh. shërbimet mjekësore dhe sociale, shërbimet e punësimit dhe sektori publik për trafikimin e fëmijëve në mënyrë që të rritet gatishmëria e tyre për të trajtuar siç duhet trafikimin e fëmijëve dhe për të forcuar potencialin e tyre institucional me qëllim luftën kundër trafikimit të fëmijëve;

c) të ndërgjegjësojnë publikun për arsimin e detyruar, për sanksionet ndaj personave që kanë kujdestarinë e fëmijës dhe nuk e çojnë këtë fëmijë në shkollë, si dhe për ndalimin e punës së fëmijëve;

d) të trajtojnë nevojën për të reduktuar kërkesën për aktivitete që kanë lidhje me fëmijë të trafikuar, si p.sh. lypja, shfrytëzimi seksual, puna e detyruar, skllavëria ose praktika të ngjashme dhe të promovojnë parimin e tolerancës zero për të gjitha format e trafikimit të fëmijëve;

e) të krijojnë dhe të reklamojnë në mënyrë efektive linja telefonike emergjente, nëpërmjet të cilave fëmijëve-viktima t’u afrohet këshillim dhe udhëzime, dhe të cilat do të lehtësojnë kallëzimet anonime për trafikimin e fëmijëve.