Neni 23 - Ekzekutimi i vendimit gjyqësor

1. Vendimi gjyqësor, i cili përmban urdhrin e menjëhershëm të mbrojtjes, është përfundimtar dhe përbën titull ekzekutiv që në momentin që shpallet (ose u njoftohet palëve). Gjykata lëshon një urdhër ekzekutimi në të njëjtën kohë që lëshon urdhrin e menjëhershëm të mbrojtjes.

2. Vendimi gjyqësor, që përmban urdhrin e mbrojtjes, përbën titull ekzekutiv pasi të marrë formën e prerë dhe ekzekutohet menjëherë nga përmbaruesit, sipas dispozitave të Kodit të Procedurës Civile, komisariatet e policisë dhe njësitë e qeverisjes vendore (bashki, komuna) apo edhe vetë dhunuesi vullnetarisht. Gjykata lëshon urdhrin e ekzekutimit në të njëjtën kohë që lëshon dhe urdhrin e mbrojtjes.

3. Punonjësit socialë dhe efektivat e policisë marrin të gjitha masat për ekzekutimin e menjëhershëm dhe të vazhdueshëm të masave mbrojtëse të vendosura konform nenit 10 të këtij ligji.

4. Institucionet, qendrat rezidenciale, qendrat e shërbimeve, OJFtë e licencuara për ofrim shërbimesh zbatojnë masat e parashikura në vendimin gjyqësor dhe koordinojnë punën e tyre me njësitë e qeverisjes vendore dhe drejtoritë e policisë, si ekzekutuese direkt të këtyre vendimeve.

5. Ekzekutimi i detyrueshëm i vendimit të gjykatës bëhet nga zyrat e shërbimit përmbarimor, konform dispozitave të Kodit të Procedurës Civile (nenet 510 e vijues).

6. Në rast të mosekzekutimit vullnetar nga organet zbatuese të vendimit të gjykatës, siç përshkruhet në pikat 2 dhe 4 të këtij neni, përfshirë dhe të paditurin/ën, të cilëve u komunikohet vendimi, ndiqet ekzekutimi i detyruar në bazë të dispozitave të Kodit të Procedurës Civile. Në këto raste, ndaj personave përgjegjës për mosekzekutimin e vendimit të gjykatës zbatohen sanksionet përkatëse të parashikura në nenet 320 e 320/a të Kodit Penal, si edhe sanksionet e parashikuara në nenin 606/3 të Kodit të Procedurës Civile.