strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

Kundërshtimet e lidhjes së martesës

  • Neni 20
  • Prindërit dhe, në mungesë të tyre, paraardhësit e tjerë dhe të afërmit në vijë të tërthortë deri në shkallë të tretë, mund të kundërshtojnë lidhjen e martesës së të afërmve të tyre për çdo shkak që vjen në kundërshtim me kushtet e parashikuara në këtë Kod për lidhjen e martesës.
    E drejta e kundërshtimit i takon edhe bashkëshortit të personit që do të lidhë një martesë tjetër, si dhe kujdestarit, nëse njëri prej bashkëshortëve është vënë në kujdestari.
    E drejta e kundërshtimit të martesës i takon edhe prokurorit për shkaqet që parashikohen në ligj, për të cilat ai mund të kërkojë pavlefshmërinë e saj.

  • Neni 21
  • Kundërshtimi i lidhjes së martesës bëhet para nëpunësit të gjendjes civile ku do të lidhet martesa, i cili është i detyruar të bëjë shënimet përkatëse në regjistrin e martesave.
    Nëpunësi i gjendjes civile është i detyruar që të bëjë shënimin e heqjes së kundërshtimit në regjistrin e martesave kur:
    a) vlerëson se kundërshtimi nuk është bërë në përputhje me dispozitat e këtij Kodi;
    b) për këtë ka një vendim gjyqësor;
    c) hiqet dorë nga kundërshtimi.
    Heqja dorë nga kundërshtimi nuk pengon nëpunësin e gjendjes civile të refuzojë lidhjen e martesës për shkaqet e parashikuara në këtë Kod.

  • Neni 22
  • Akti i kundërshtimit duhet të përmbajë cilësinë që i jep të drejtën kundërshtuesit të bëjë kundërshtimin, vendin ku martesa duhet të lidhet, shkaqet e kundërshtimit dhe dispozitën ligjore ku mbështetet ai.

  • Neni 23
  • Kur nëpunësi i gjendjes civile vlerëson se kundërshtimi është bërë në përputhje me dispozitat e këtij Kodi, pezullon procedurën e lidhjes së martesës derisa gjykata të vendosë refuzimin e kundërshtimit ose të hiqet dorë prej tij.
    Kundër vendimit të pezullimit, bashkëshortët e ardhshëm kanë të drejtën e ankimit në gjykatë brenda 5 ditëve nga marrja dijeni e vendimit të pezullimit.

  • Neni 24
  • Akti i kundërshtimit të lidhjes së martesës nuk ka efekt pas kalimit të 1 viti nga data e regjistrimit të kundërshtimit.

  • Neni 25
  • Gjykata kompetente, me kërkesë të secilit prej bashkëshortëve të ardhshëm, brenda 10 ditëve nga data e regjistrimit të kërkesës, vendos për heqjen ose jo të kundërshtimit të bërë për lidhjen e martesës.

  • Neni 26
  • Vendimi i gjykatës së shkallës së parë mund të ankimohet në gjykatën e apelit, e cila duhet të vendosë brenda 10 ditëve nga data e regjistrimit të çështjes.

  • Neni 27
  • Në qoftë se kundërshtimi nuk pranohet, kundërshtuesit, me përjashtim të paraardhësve, mund të detyrohen me dëmshpërblim, sipas dispozitave përkatëse të Kodit Civil.