Forma e kontratës

  • Neni 69
  • Kontrata martesore bëhet me akt noterial, në prani dhe me pëlqimin e njëkohshëm të dy bashkëshortëve të ardhshëm ose të përfaqësuesve të tyre.
    Në çastin e nënshkrimit të kontratës, noteri i lëshon palëve një akt noterial, i cili përmban identitetin e plotë, adresën e bashkëshortëve të ardhshëm dhe datën e lidhjes së kontratës.
    Noteri ka detyrimin të depozitojë kopje të kontratës në zyrën e gjendjes civile para lidhjes së martesës.
    Në qoftë se në aktin e martesës tregohet se bashkëshortët nuk kanë lidhur kontratë, ata do të konsiderohen kundrejt të tretëve si të martuar nën regjimin pasuror martesor të bashkësisë ligjore.

  • Neni 70
  • Në rastin e martesës së të miturit, sipas nenit 7 paragrafi i dytë, zbatohet regjimi pasuror martesor i bashkësisë ligjore derisa të mbushë moshën 18 vjeç, çast pas të cilit mund të kërkohet ndryshimi i regjimit ligjor të pasurisë.

  • Neni 71
  • Në qoftë se një nga bashkëshortët ushtron veprimtari tregtare, ndryshimet në kontratën e martesës lidhur me veprimtarinë tregtare duhet të depozitohen, në çdo rast, edhe në regjistrin tregtar.
    Efektet për personat e tretë fillojnë nga çasti i depozitimit të ndryshimit, parashikuar në paragrafin e parë.

  • Neni 72
  • Bashkëshortët mund të bien dakord, në interes të familjes, për ta ndryshuar pjesërisht ose tërësisht regjimin pasuror martesor vetëm pas kalimit të 2 vjetëve të zbatimit të tij.
    Ndryshimet, në këtë rast, duhet të bëhen në të njëjtën formë që kërkohet për kontratën fillestare të martesës.
    Ndryshimi i regjimit pasuror martesor ka efekt kundrejt të tretëve, 3 muaj pasi ndryshimi të jetë depozituar në regjistrin ku është pasqyruar akti i martesës. Në mungesë të këtij shënimi, ndryshimi nuk kundërshtohet nga të tretët, në qoftë se në aktet e bëra midis tyre, bashkëshortët kanë deklaruar se kanë ndryshuar regjimin pasuror martesor.