strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

KREU II - REGJIMI PASUROR MARTESOR NË BASHKËSI

  • Neni 73 - Bashkësia ligjore
  • Regjimi pasuror martesor i bashkësisë ligjore zbatohet kur bashkëshortët nuk kanë lidhur kontratë për regjim tjetër pasuror martesor.

  • Neni 74 - Përbërja e bashkësisë
  • Bashkësia përbëhet nga:
    a) pasuria e fituar nga të dy bashkëshortët, së bashku ose veç e veç, gjatë martesës;
    b) të ardhurat nga veprimtaria e veçantë e çdo bashkëshorti gjatë martesës, nëse nuk janë konsumuar deri në mbarimin e bashkëpronësisë;
    c) frytet e pasurisë së çdo bashkëshorti, që janë marrë dhe nuk janë konsumuar deri në mbarimin e bashkëpronësisë;
    ç) veprimtaria tregtare e krijuar gjatë martesës.

    Në rast se veprimtaria tregtare para lidhjes së martesës i përkiste vetëm njërit prej bashkëshortëve, por gjatë martesës drejtohet nga të dy bashkëshortët, bashkësia përfshin vetëm fitimet dhe shtimin e prodhimit.

  • Neni 75 - Pasuria e caktuar për administrimin e veprimtarisë tregtare
  • Pasuria e krijuar gjatë martesës, e caktuar për administrimin e veprimtarisë tregtare të njërit prej bashkëshortëve dhe shtesat e prodhimit të saj janë objekt i bashkëpronësisë vetëm nëse ekzistojnë si të tilla në çastin e mbarimit të martesës.

  • Neni 76
  • Pasuria e bashkëshortëve prezumohet si e përbashkët, me përjashtim të rastit kur bashkëshorti provon karakterin e saj vetjak.

  • Neni 77 - Pasuria vetjake
  • Pasuri vetjake e bashkëshortit që nuk bën pjesë në bashkësi është:

    a) pasuria, e cila para lidhjes së martesës ishte në bashkëpronësi të bashkëshortit me persona të tjerë ose kundrejt së cilës ai ishte titullar i një të drejte reale përdorimi;

    b) pasuria e fituar gjatë martesës me anë të dhurimit, të trashëgimisë ose legut, kur në aktin e dhurimit ose në testament nuk përcaktohet se ato janë dhënë në favor të bashkësisë;

    c) pasuritë e përdorimit ngushtësisht vetjak të secilit bashkëshort dhe pasuritë e fituara si aksesorë të pasurisë vetjake;

    ç) mjetet e nevojshme të punës për ushtrimin e profesionit të njërit prej bashkëshortëve, përveç atyre që janë caktuar për administrimin e një veprimtarie tregtare;

    d) pasuria e fituar nga shpërblimi i dëmit vetjak, me përjashtim të të ardhurave që rrjedhin nga pensioni i fituar për shkak të humbjes së pjesshme ose të plotë të aftësisë për punë;

    dh) pasuria e fituar nga tjetërsimi i pasurive vetjake të sipërpërmendura;

    e) shkëmbimi i tyre, kur kjo është deklaruar shprehimisht në aktin e blerjes.

  • Neni 78
  • Bashkësia mund të përfitojë kompensim, pas mbarimit të saj, për të ardhurat dhe pasuritë që bashkëshorti ka neglizhuar të marrë ose për ato që ai ka shpenzuar në keqbesim.

    Kërkesa për kompensim duhet të paraqitet nga bashkëshorti i interesuar para mbarimit të procedurës të ndarjes së pasurisë.

  • Neni 89 - Detyrimet solidare të bashkëshortëve me pasurinë në bashkësi
  • Kur një detyrim vjen në bashkësi për shkak të njërit bashkëshort, ai nuk mund të kërkohet mbi pasuritë vetjake të bashkëshortit tjetër.
    Nëse ka detyrime solidare të të dy bashkëshortëve, ai mund të kërkohet mbi pasurinë në bashkësi.

  • Neni 90 - Administrimi i bashkësisë
  • Secili bashkëshort ka të drejtën e administrimit të zakonshëm të pasurisë në bashkësi.
    Secili bashkëshort është përfaqësues ligjor edhe i bashkëshortit tjetër përpara organeve administrative dhe gjyqësore për çështje që kanë të bëjnë me administrimin e zakonshëm të pasurisë në bashkësi.
    Kryerja e veprimeve që kapërcejnë administrimin e zakonshëm u takon bashkërisht të dy bashkëshortëve.

  • Neni 91 - Administrimi nga një bashkëshort
  • Në rast largësie ose pengese tjetër të njërit bashkëshort dhe në mungesë të prokurës ose autorizimit të gjykatës, bashkëshorti tjetër mund të kryejë veprimet që janë të nevojshme edhe në rastin kur kërkohet pëlqimi i të dy bashkëshortëve, sipas nenit 90 të këtij Kodi.

  • Neni 92 - Refuzimi i pëlqimit
  • Nëse njëri prej bashkëshortëve refuzon të japë pëlqimin për kryerjen e një veprimi të administrimit të jashtëzakonshëm ose për veprime të tjera, për të cilat kërkohet pëlqimi, bashkëshorti tjetër mund t’i drejtohet gjykatës për të marrë autorizimin.
    Gjykata vendos dhënien e autorizimit kur kryerja e veprimit është e nevojshme për interesa të familjes ose të veprimtarisë tregtare që bën pjesë në bashkësi.

  • Neni 93 - Zëvendësimi në administrim
  • Nëse njëri nga bashkëshortët, për një kohë të vazhdueshme, ndodhet jashtë gjendjes për të shprehur vullnetin e tij, ose nëse administrimi i bashkësisë nga ana e tij dëshmon për paaftësi ose keqbesim, bashkëshorti tjetër mund t’i kërkojë gjykatës të zëvendësojë atë në ushtrimin e të drejtave të tij.
    Bashkëshorti i privuar nga të drejtat e administrimit të bashkësisë mund t’i kërkojë gjykatës rikthimin e tyre, nëse provon se janë zhdukur shkaqet e përjashtimit të tij nga administrimi.

  • Neni 94 - Tejkalimi i të drejtave
  • Nëse njëri nga bashkëshortët tejkalon të drejtat e tij mbi pasurinë në bashkësi, mund të kërkohet nga bashkëshorti tjetër anulimi i veprimit, nëse më vonë ai nuk ka dhënë pëlqimin për këtë veprim.
    Kjo padi mund të ngrihet brenda 1 viti nga data e marrjes dijeni për veprimin dhe, në çdo rast, jo më vonë se 1 vit nga mbarimi i bashkësisë.

  • Neni 95 - Administrimi i pasurisë vetjake të bashkëshortit
  • Secili bashkëshort ka të drejtë të administrojë dhe të disponojë lirisht pasuritë vetjake.
    Nëse gjatë martesës njëri nga bashkëshortët i beson tjetrit administrimin e pasurisë së tij vetjake, zbatohen rregullat e përfaqësimit.
    Nëse njëri nga bashkëshortët administron pasurinë vetjake të tjetrit, me dijeninë e këtij të fundit dhe pa pasur kundërshtim nga ana e tij, konsiderohet se ka marrë një akt përfaqësimi në heshtje, që mbulon veprimet e administrimit dhe të përdorimit, me përjashtim të tagrit të disponimit. Në këtë rast, ai përgjigjet kundrejt bashkëshortit tjetër me cilësinë e përfaqësuesit dhe, nëse është rasti, detyrohet të dorëzojë vetëm frytet që ekzistojnë, duke mos u përgjigjur për ato që janë konsumuar.
    Nëse njëri nga bashkëshortët, me gjithë kundërshtimin e tjetrit, administron pasurinë e tij vetjake dhe kryen veprime lidhur me të, përgjigjet për dëmin e shkaktuar dhe për frytet që duhet të ishin marrë. Në këtë rast, bashkëshorti i dëmtuar ka të drejtë të ngrejë padi për anulimin e veprimit të kryer, sipas kritereve të përcaktuara në nenin 94 të këtij Kodi.

  • Neni 96 - Mbarimi i bashkësisë
  • Bashkësia mbaron me:

    a) vdekjen e njërit prej bashkëshortëve, shpalljen i zhdukur ose i vdekur të njërit prej tyre, shpalljen të pavlefshme dhe zgjidhjen e martesës;

    b) pjesëtimin e pasurive;

    c) ndryshimin e regjimit pasuror martesor, kur sjell mbarimin e bashkësisë.

  • Neni 97 - Ndalimi i pjesëtimit
  • Pjesëtimi i pasurisë nuk mund të bëhet gjatë vazhdimit të bashkësisë, edhe në rast të një marrëveshjeje të bashkëshortëve.

  • Neni 98 - Pjesëtimi i pasurisë
  • Pjesëtimi i pasurisë në bashkësi mund të kërkohet në gjykatë në rast paaftësie dhe administrimit të keq të njërit prej bashkëshortëve, kur mënyra e administrimit të pasurisë prej tij vë në rrezik interesat e bashkëshortit tjetër ose të familjes, ose kur njëri nga bashkëshortët nuk kontribuon për nevojat e familjes, në proporcion me gjendjen e tij dhe me aftësinë për punë dhe kur ka ndodhur një pjesëtim faktik i pasurisë në bashkësi.
    Ndarja e pasurisë mund të kërkohet nga njëri prej bashkëshortëve ose nga përfaqësuesi i tij ligjor. Kreditorët e njërit bashkëshort nuk mund të kërkojnë vetë ndarjen e pasurisë.
    Vendimi i gjykatës për ndarjen ka fuqi që nga data kur është paraqitur kërkesa dhe i vendos bashkëshortët nën regjimin e pasurive martesore të ndara, të parashikuar në këtë Kod.

  • Neni 99
  • Kur procedura për pjesëtimin e pasurisë ka filluar, kreditorët mund të kërkojnë të njihen me kërkesën dhe dokumentet e paraqitura nga bashkëshortët, si dhe të ndërhyjnë në seancën gjyqësore për mbrojtjen e të drejtave të tyre.

  • Neni 100 - Depozitimi
  • Kërkesa dhe vendimi i ndarjes së pasurisë duhet të depozitohen pranë zyrës së gjendjes civile dhe, nëse është rasti, edhe në regjistrin tregtar.
    Vendimi shënohet në regjistrin e gjendjes civile, si dhe në origjinalin e kontratës së martesës.