strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

Detyrimet mbi bashkësinë

  • Neni 81
  • Bashkëshortët përgjigjen mbi pasurinë në bashkësi:

    a) për të gjitha barrët dhe detyrimet që rëndojnë mbi ta në çastin e fitimit të pronësisë;

    b) për të gjitha shpenzimet e administrimit të pasurisë së përbashkët;

    c) për të gjitha shpenzimet për mbajtjen e familjes dhe për çdo detyrim të kontraktuar nga bashkëshortët, qoftë dhe veçmas, që është në interes të familjes;

    ç) për çdo detyrim tjetër kontraktues ose jokontraktues, me përjashtim të detyrimeve të përcaktuara si vetjake në këtë Kod.

  • Neni 82
  • Detyrimet që bashkëshortët kanë para lidhjes së martesës ose që rëndojnë trashëgimitë dhe dhurimet që fitojnë gjatë martesës mbeten detyrime vetjake.

  • Neni 83
  • Kreditorët e bashkëshortit, në rastin e nenit 82, mund t’i kërkojnë pagesat e tyre fillimisht mbi pasurinë vetjake dhe të ardhurat e bashkëshortit debitor.
    Ata mund të kërkojnë dhe vënien sekuestro mbi pasurinë e bashkësisë, atëherë kur pasuritë e luajtshme që i përkasin debitorit të tyre datën e lidhjes së martesës ose që i fitojnë me trashëgimi ose me dhurim janë përzier me pasurinë në bashkësi dhe nuk mund të identifikohen, sipas këtij Kodi.

  • Neni 84
  • Bashkëshortët përgjigjen mbi pasurinë në bashkësi deri në gjysmën e vlerës së saj, kundrejt kreditorëve vetjakë të çdo bashkëshorti, kur pasuria vetjake e tij nuk mjafton për përmbushjen e:

    a) detyrimeve që ai ka marrë përsipër vetëm për administrimin e pasurisë në bashkësi, jashtë kufijve të tagrave të tij të administrimit;

    b) detyrimeve të tij vetjake, cilido qoftë çasti i lindjes së tyre.

    Paragrafi i mësipërm nuk zbatohet, nëse ka pasur mashtrim nga bashkëshorti debitor dhe keqbesim nga kreditori.

  • Neni 85
  • Në rast se detyrimi vetjak i njërit bashkëshort është shlyer nga bashkësia, ai detyrohet të bëjë kompensimin e bashkësisë.

  • Neni 86
  • Të ardhurat vetjake të një bashkëshorti nuk mund të preken nga kreditorët e bashkëshortit tjetër, vetëm nëse detyrimi ka qenë i kontraktuar për mirëmbajtjen e banesës dhe të familjes, sipas nenit 81 të këtij Kodi.