Neni 98 - Pjesëtimi i pasurisë

Pjesëtimi i pasurisë në bashkësi mund të kërkohet në gjykatë në rast paaftësie dhe administrimit të keq të njërit prej bashkëshortëve, kur mënyra e administrimit të pasurisë prej tij vë në rrezik interesat e bashkëshortit tjetër ose të familjes, ose kur njëri nga bashkëshortët nuk kontribuon për nevojat e familjes, në proporcion me gjendjen e tij dhe me aftësinë për punë dhe kur ka ndodhur një pjesëtim faktik i pasurisë në bashkësi.
Ndarja e pasurisë mund të kërkohet nga njëri prej bashkëshortëve ose nga përfaqësuesi i tij ligjor. Kreditorët e njërit bashkëshort nuk mund të kërkojnë vetë ndarjen e pasurisë.
Vendimi i gjykatës për ndarjen ka fuqi që nga data kur është paraqitur kërkesa dhe i vendos bashkëshortët nën regjimin e pasurive martesore të ndara, të parashikuar në këtë Kod.