KREU I - RREGULLA TË PËRGJITHSHME

  • Neni 165
  • Amësia dhe atësia e fëmijës së lindur nga martesa provohen nga akti i lindjes, i regjistruar në regjistrin e gjendjes civile.

  • Neni 166
  • Nuk mund të ngrihet padi për vërtetimin e amësisë ose atësisë për një fëmijë që nuk ka lindur i gjallë.

  • Neni 167
  • Nga njohja e amësisë ose e atësisë së një fëmije të lindur jashtë martese nuk mund të hiqet dorë.

  • Neni 168
  • Në rastin e ngatërrimit ose zëvendësimit të fëmijës, në çdo rast, edhe kur bëhet në mënyrë të pavullnetshme, mund të kërkohet me padi njohjeje ose kundërshtimi një identitet i ndryshëm i fëmijës, nëse konstatimi është bërë përpara ose pas marrjes së aktit të lindjes.

  • Neni 169
  • Në mungesë të aktit të lindjes ose në qoftë se fëmija është regjistruar me emër të rremë, ose pa treguar emrin e nënës dhe të atit, amësia dhe atësia mund të vërtetohen me vendim gjyqësor.

  • Neni 170 - Njohja e amësisë dhe atësisë së fëmijës të lindur jashtë martese
  • Amësia dhe atësia e fëmijës së lindur jashtë martese mund të vendosen me anë të njohjes vullnetare ose nëpërmjet një vendimi gjyqësor dhe për prindërit krijon të drejta dhe detyrime të njëjta, në mënyrë prapavepruese, si për fëmijët e lindur nga martesa.