strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

B. Kompetencat tokësore

  • Neni 42
  • Paditë ngrihen në gjykatën e vendit ku i padituri ka vendbanimin ose vendqëndrimin e tij dhe kur këto nuk dihen, në gjykatën e vendit ku ai ka banesën e përkohshme.
    Kur i padituri nuk ka vendbanim, as vendqëndrim dhe as banesë të përkohshme në Republikën e Shqipërisë, paditë ngrihen në gjykatën ku banon paditësi.

  • Neni 43
  • (Ndryshuar paragrafi II me ligjin nr. 8812, datë 17.5.2001, neni 126)

    Kur i padituri është person juridik, paditë ngrihen në gjykatën e vendit ku personi juridik ka qendrën e tij.
    Paditë që rrjedhin nga marrëdhënie juridike me një degë ose agjenci lokale të personit juridik, mund të ngrihen edhe në gjykatën ku ka qendrën dega ose agjencia, si dhe në gjykatën e shkallës së parë ku personi juridik ka një ndërtesë me aktivitet ose një përfaqësues të autorizuar që të paraqitet në gjykim për objektin e padisë.

  • Neni 44
  • Paditë kundër të miturve që nuk kanë mbushur moshën katërmbëdhjetë vjeç ose kundër personave që u është hequr krejtësisht zotësia për të vepruar, ngrihen në gjykatën e vendit ku ka banimin përfaqësuesi ligjor i tyre.

  • Neni 45
  • Paditë për të drejta reale mbi sende të paluajtshme, për pjesëtimin e sendeve të përbashkëta dhe për posedimin ngrihen në gjykatën e vendit ku ndodhen sendet ose pjesa më e madhe e tyre.
    Paditë, që rrjedhin nga kallëzimi i një punimi të ri dhe i një dëmi të mundshëm, ngrihen në gjykatën e vendit ku ka ndodhur fakti për të cilin është ngritur padia.

  • Neni 46
  • Paditë që rrjedhin nga trashëgimi, paditë për pavlefshmërinë e testamentit dhe ato për pjesëtimin e trashëgimit ngrihen në gjykatën e vendit ku trashëgimlënësi ka pasur banimin e tij të fundit dhe, kur ky nuk dihet, në gjykatën e vendit ku ndodhet e gjithë pasuria ose pjesa më e madhe e saj.
    Kur trashëgimlënësi është shtetas shqiptar dhe në kohën e vdekjes së tij nuk e ka pasur banimin në Republikën e Shqipërisë, paditë e parashikuara në paragrafin e parë mund të ngrihen në gjykatën e vendit ku trashëgimlënësi ka pasur banimin e fundit në Republikën e Shqipërisë ose në gjykatën e vendit ku ndodhet pjesa më e madhe e pasurisë së tij.
    Kur trashëgimlënësi nuk ka pasur në Republikën e Shqipërisë as banim të fundit, as pasuri, paditë si më sipër ngrihen në gjykatën e kryeqytetit.

  • Neni 47
  • Paditë për kërkim ushqimi dhe paditë që rrjedhin nga marrëdhëniet e punës, mund të ngrihen si në gjykatën e vendit ku ka banimin i padituri, ashtu dhe në gjykatën e vendit ku ka banimin paditësi.
    Padia për heqjen ose pakësimin e ushqimit të caktuar ngrihet në gjykatën e vendit ku ka banimin i padituri.

  • Neni 48
  • Paditë që rrjedhin nga shkaktimi i dëmit mund të ngrihen si në gjykatën e vendit ku ka banimin i padituri, ashtu dhe në gjykatën e vendit ku është shkaktuar dëmi.
    Kur kërkohet shpërblimi i dëmit të shkaktuar nga vdekja ose dëmtimi i shëndetit, padia mund të ngrihet edhe në gjykatën e vendit ku banon paditësi.

  • Neni 49
  • Paditë, për të kërkuar ekzekutimin e detyrueshëm mbi sende, ngrihen në gjykatën e vendit ku ndodhen ato ose pjesa më e madhe e vlerës së tyre.
    Paditë për të kërkuar ekzekutimin e detyrueshëm për kryerjen ose moskryerjen e një veprimi të caktuar, ngrihen në gjykatën e vendit ku duhet të përmbushet një detyrim i tillë.

  • Neni 50
  • Paditë që kanë për objekt kundërshtimin e veprimeve të kryera nga përmbaruesi për ekzekutimin e detyruar, ngrihen në gjykatën e vendit të ekzekutimit.

  • Neni 51
  • Paditë për vërtetimin e qenies ose mosqenies së martesës, për anulimin e martesës dhe për zgjidhjen e saj, mund të ngrihen si në gjykatën e vendit ku bashkëshortët kanë pasur banimin e tyre të përbashkët të fundit ose në gjykatën e vendit ku ka banimin i padituri.
    Kur i padituri nuk ka banim ose vendqëndrim dhe as banesë të përkohshme në Republikën e Shqipërisë, padia ngrihet në gjykatën e vendit ku ka banimin, vendqëndrimin ose banimin e përkohshëm paditësi dhe kur as paditësi nuk i ka ato, padia ngrihet në gjykatën e kryeqytetit.

  • Neni 52
  • Kompetenca tokësore mund të ndryshohet me marrëveshje me shkrim të palëve, përveç rasteve të parashikuara në nenet 45 e 46 të këtij Kodi dhe kur ligji e ndalon këtë marrëveshje.

  • Neni 53
  • Kur janë shumë të paditur, që kanë banimin ose vendqëndrimin e tyre në vende të ndryshme, padia mund të ngrihet në gjykatën e vendit ku ka banimin ose vendqëndrimin cilido nga të paditurit.

  • Neni 54
  • E drejta e zgjedhjes ndërmjet shumë gjykatave kompetente i takon paditësit, e cila ushtrohet me ngritjen e padisë.