KREU I - Palët

  • Neni 90
  • Përkufizimi Palë në një gjykim civil janë personat fizikë ose juridikë, në emër ose kundër të cilëve zhvillohet gjykimi.
    Askush nuk mund të përfaqësojë në një gjykim civil të drejtat e të tjerëve, përveç kur ligji parashikon ndryshe.

  • Neni 91
  • Zotësia për të vepruar Kanë zotësi për të vepruar në një gjykim civil personat që ushtrojnë lirisht të drejtat, të cilat duhet të respektohen nga të tjerët.
    Personat, që nuk kanë zotësi për të vepruar në një gjykim civil, mund të marrin pjesë në gjykim vetëm kur përfaqësohen, sipas dispozitave që rregullojnë zotësinë e tyre.

  • Neni 92
  • Përfaqësimi në gjyq Personat juridikë marrin pjesë në gjykim me anë të atij që i përfaqëson, sipas dispozitave ligjore.

  • Neni 93
  • Personat që kanë zotësi për të vepruar, mund t’i kryejnë vetë të gjitha veprimet procedurale, përveç kur ligji parashikon ndryshe.

  • Neni 94
  • Kur mungon personi i cili duhet të përfaqësohet në gjyq sipas paragrafit të dytë të nenit 91 të këtij Kodi dhe ekzistojnë arsye të justifikuara që kërkojnë kryerjen e shpejtë të disa veprimeve procedurale, mund të caktohet një kujdestar i posaçëm derisa çështja të ndiqet nga ai që është ngarkuar ta përfaqësojë.
    Në të njëjtën mënyrë veprohet edhe për emërimin e një kujdestari të posaçëm për të përfaqësuarin, kur ka konflikt interesash me përfaqësuesin.

  • Neni 95
  • Askush nuk mund të bëjë të vlefshme në emrin e tij, në një proces gjyqësor civil, një të drejtë të një tjetri, përveç kur parashikohet shprehimisht nga ligji.