Neni 236 - Rregullat për dëgjimin e dëshmitarëve

(Ndryshuar paragrafi III me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 126)

Dëshmitarët dëgjohen nga gjykata në debatin gjyqësor. Në raste të veçanta ose për shkak sëmundjeje apo për shkak të punës së veçantë që bën dëshmitari, rrethana këto që e bëjnë të pamundur paraqitjen e tij në gjykim, gjykata mund të vendosë që pyetja e tij të bëhet jashtë qendrës së gjykatës nga një anëtar i trupit gjykues. Në këto raste pyetja e dëshmitarit bëhet përpara seancës gjyqësore të radhës dhe dëshmia e marrë lexohet në seancën gjyqësore. Pyetja e dëshmitarit bëhet kurdoherë në prani të palëve apo përfaqësuesve të tyre, të cilët njoftohen rregullisht.
Dëshmia e Presidentit të Republikës merret në selinë ku ai ushtron funksionin e Kryetarit të Shtetit.
Kur duhet të merret dëshmia e Kryetarit të Kuvendit, Kryetarit të Këshillit të Ministrave, Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese ose Kryetarit të Gjykatës së Lartë, këta mund të kërkojnë të pyeten në selinë ku ushtrojnë detyrën e tyre.
Gjykata vlerëson thëniet e dëshmitarëve në harmoni ndërmjet tyre dhe me provat e tjera të marra gjatë shqyrtimit të çështjes.