strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

KREU II - Gjykimi i mosmarrëveshjeve administrative

  • Neni 324 - Kompetenca lëndore
  • Në kompetencën e seksioneve për gjykimet administrative janë:
    a) padia me të cilën kërkohet shfuqizimi ose ndryshimi i një akti administrativ;
    b) padia me të cilën kundërshtohet refuzimi i miratimit të një akti administrativ ose që lihet pa u shqyrtuar në afatin e caktuar, kundërshtimi i shtetasit në organin kompetent administrativ.

  • Neni 325
  • (Ndryshuar me ligjin nr. 8491, datë 27.5.1999, neni 1)

    Padia, sipas nenit 324 të këtij Kodi, mund të ngrihet kur paditësi argumenton se akti administrativ është i paligjshëm dhe se atij i cenohen interesat dhe të drejtat e tij në mënyrë të drejtëpërdrejtë ose tërthorazi, individualisht ose në mënyrë kolektive.
    Padisë, për gjykimin e një akti administrativ, i bashkëlidhet një kopje e aktit administrativ që kundërshtohet dhe çdo dokument tjetër provues.
    Kërkimi i shpërblimit të dëmit të shkaktuar nga akti administrativ i kundërligjshëm mund të kërkohet sipas rregullave të përgjithshme edhe me padi të veçantë.

  • Neni 326
  • (Ndryshuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 59)

    Nuk mund të ngrihen padi në gjykatë për:
    a) aktet administrative të Këshillit të Ministrave dhe të institucioneve të tjera të administratës publike të nivelit qendror ose vendor që kanë karakter normativ, përveç kur ato cenojnë të drejtat e njeriut dhe liritë themelore, si dhe interesa të tjerë të ligjshëm të personave fizikë dhe juridikë;
    b) aktet administrative që kanë rregullim ligjor të posaçëm dhe lidhen me emërimin dhe shkarkimin e funksionarëve publikë;
    c) aktet administrative të cilat sipas Kushtetutës janë në kompetencën e Gjykatës Kushtetuese.

  • Neni 327 - Kompetencat tokësore
  • Padia kundër një akti administrativ shqyrtohet nga seksioni përkatës i gjykatës, në zonën e së cilës ka qendrën organi administrativ, ndaj të cilit drejtohet padia. Kur padia paraqitet në gjykatën, në territorin e së cilës ka qendrën organi administrativ, kjo ia dërgon jo më vonë se tri ditë gjykatës ku është krijuar seksioni për gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative.
    Shqyrtimi i mosmarrëveshjes duhet të përfundojë brenda 30 ditëve nga dita e regjistrimit në gjykatë.

  • Neni 328 - Afati
  • Afati për paraqitjen e padisë ndaj një akti administrativ është tridhjetë ditë nga dita e shpalljes ose e njoftimit të vendimit të organit më të lartë administrativ, që ka shqyrtuar ankesën në rrugë administrative, përveç kur ligji parashikon ankimin e drejtpërdrejtë në gjykatë. Në këtë rast afati fillon nga dita e shpalljes ose e njoftimit të aktit administrativ ndaj të cilit është paraqitur padia.
    Kur organi administrativ më i lartë nuk ka shqyrtuar ankimin në afatin e caktuar me ligj ose kur organi kompetent administrativ nuk ka shqyrtuar kërkesën e shtetasit në afatin e caktuar me ligj dhe kundër aktit të tij parashikohet ankimi i drejtpërdrejtë në gjykatë, shtetasi ka të drejtë t’i drejtohet gjykatës brenda afatit të caktuar në paragrafin e parë të këtij neni edhe pse nuk i është dhënë përgjigje për kërkesën ose ankesën e parashtruar.

  • Neni 329 - Pezullimi i zbatimit të aktit administrativ
  • Paditësi mund t’i kërkojë gjykatës edhe pezullimin e zbatimit të aktit administrativ. Gjykata mund të lejojë pezullimin kur ekziston rreziku i shkaktimit të një dëmi të rëndë dhe të pazëvendësueshëm për paditësin. Në të gjitha rastet gjykata duhet të arsyetojë vendimin e saj.

  • Neni 330 - Bashkimi i padive
  • Disa padi mund të bashkohen në një padi të vetme, kur ato i drejtohen të njëjtit organ administrativ, kanë të njëjtin objekt dhe janë në kompetencën e një gjykate.

  • Neni 331 - Vendimi i gjykatës
  • (Shtuar paragrafi V dhe VI me ligjin nr 8491, datë 27.5.1999, neni 3)

    Gjykata në vendimin e saj përfundimtar vendos:
    - rrëzimin e padisë kur akti administrativ gjendet i drejtë e i bazuar;
    - konstatimin e pavlefshmërisë së aktit administrativ;
    - anulimin pjesërisht ose tërësisht të aktit administrativ;
    - detyrimin e organit përkatës, për të nxjerrë një akt administrativ, në përputhje me ligjin ose për marrjen e masave për rivendosjen e së drejtës së cenuar;
    - saktësimin e të drejtave dhe detyrimeve ndërmjet paditësit dhe organit administrativ në marrëdhënien në koflikt, në bazë të ligjit dhe në interpretim të marrëveshjes kur ka të tillë.

  • Neni 332
  • Gjykata duhet të argumentojë vendimin e saj, posaçërisht kur bëhet fjalë për paligjshmërinë apo pathemelësinë e aktit administrativ të ankimuar.

  • Neni 333 - Ankimi
  • (Ndryshuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 126)

    Kundër vendimit të gjykatës së shkallës së parë mund të bëhet ankim sipas rregullave të parashikuara në këtë Kod. Në përbërjen e këshillave gjyqësore të gjykatës së apelit që shqyrtojnë mosmarrëveshjet administrative, marrin pjesë gjyqtarë të specializuar në këtë fushë.