Neni 361 - Përpjekjet e gjykatës për pajtim

Në shqyrtimin e padisë për shkurorëzim, gjykata cakton një seancë përgatitore në të cilën duhet të paraqiten personalisht bashkëshortët.
Gjyqtari mund t’i dëgjojë ata veçmas secilin e pastaj bashkërisht, pa praninë e përfaqësuesve të tyre.
Kur arrihet pajtimi, mbahet procesverbal dhe gjykimi pushohet për këtë shkak. Kur në këtë seancë nuk paraqitet paditësi, ndonëse ka pasur dijeni rregullisht, gjyqtari i vetëm vendos pushimin e gjykimit të çështjes. Kur nuk paraqitet i padituri, ndonëse ka pasur dijeni rregullisht, gjyqtari shtyn seancën përgatitore, duke i përsëritur njoftimin të paditurit. Nëse edhe në këtë seancë nuk paraqitet pa ndonjë shkak të arsyeshëm, gjyqtari, pasi dëgjon paditësin dhe krijon bindje se pajtimi i bashkëshortëve nuk mund të arrihet, cakton seancën gjyqësore, duke urdhëruar thirrjen e provave të nevojshme.