strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

KREU IV - Vendimi i gjykatës së arbitrazhit

  • Neni 428 - Dhënia e vendimit përfundimtar
  • Diskutimet për dhënien e vendimit zhvillohen nga gjykata e arbitrazhit pa praninë e palëve e të personave të tjerë.

  • Neni 429
  • Vendimi i gjykatës së arbitrazhit jepet me shumicë votash. Ai nënshkruhet nga të gjithë arbitrat. Arbitrat që kanë mendim të kundërt me shumicën, kanë të drejtë t’i parashtrojnë me shkrim mendimet e tyre. Vendimi i nënshkruar nga shumica e arbitrave ka të njëjtin efekt sikur të jetë nënshkruar nga të gjithë arbitrat.

  • Neni 430 - Përmbajtja e vendimit përfundimtar
  • Vendimi i gjykatës së arbitrazhit duhet të përmbajë përbërjen e trupit gjykues të arbitrave, datën dhe vendin e dhënies së tij, identitetin e palëve, vendbanimin, vendqëndrimin ose qendrën e tyre, emrin e mbiemrin e avokatit ose të përfaqësuesit të palëve dhe objektin e mosmarrëveshjes.
    Vendimi i gjykatës së arbitrazhit duhet të arsyetojë zgjidhjet e pranuara dhe të shprehet qartë për pretendimet e palëve.

  • Neni 431 - Korrigjimi i gabimeve të vendimit përfundimtar dhe interpretimi i tij
  • Gjykata e arbitrazhit ka kompetencë të interpretojë vendimin e saj, të korrigjojë gabimet materiale dhe ta plotësojë atë për kërkesat e paditësit për të cilat nuk është shprehur, por që nuk janë kryesore.
    Kur gjykata e arbitrazhit nuk mund të mblidhet përsëri me të njëjtën përbërje, çështjet që përmenden në këtë nen zgjidhen nga gjykata që do të ishte kompetente në mungesë të marrëveshjes së arbitrazhit.

  • Neni 432 - Urdhri i ekzekutimit të vendimit të gjykatës së arbitrazhit
  • Vendimi i gjykatës së arbitrazhit është i formës së prerë në lidhje me mosmarrëveshjen e shqyrtuar, sapo shpallet, përveç rasteve të parashikuara nga neni 434 i këtij Kodi.
    Ai bëhet i ekzekutueshëm forcërisht në bazë të një urdhri ekzekutimi të lëshuar nga gjykata e shkallës së parë të vendit ku është dhënë vendimi. Për një qëllim të tillë, në sekretarinë e gjykatës depozitohet origjinali i vendimit me një kopje të marrëveshjes së arbitrazhit, nga një prej arbitrave ose nga pala e interesuar.
    Kundër vendimit të gjykatës që lëshon urdhër ekzekutimin nuk lejohet ankim.

  • Neni 433
  • (Ndryshuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 66, neni 126)

    Urdhrit të ekzekutimit i bashkëngjitet origjinali i vendimit të arbitrazhit.
    Vendimi i gjykatës së shkallës së parë që refuzon lëshimin e urdhër ekzekutimit duhet të jetë i arsyetuar.
    Kundër këtij vendimi lejohet ankim në gjykatën e apelit brenda 10 ditëve duke filluar nga dita e nesërme e shpalljes së vendimit.