strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

KREU VII - Ekzekutimi i detyrimit për dorëzimin e një sendi të caktuar

  • Neni 601 - Vënia në posedim e sendit të luajtshëm
  • Kur sendi i luajtshëm, për të cilin është dhënë vendim, nuk është dorëzuar vullnetarisht nga debitori, brenda afatit të caktuar në lajmërimin e përmbaruesit gjyqësor, merret në mënyrë të detyrueshme prej tij dhe i dorëzohet kreditorit.
    Kur sendi nuk ndodhet pranë debitorit ose është prishur, ose pranë tij ndodhet vetëm një pjesë, merret nga debitori vlefta e sendit ose e pjesës që mungon. Kur në urdhrin e ekzekutimit nuk tregohet vlefta e sendit, kjo caktohet nga gjykata e vendit të ekzekutimit, pasi të dëgjohen palët dhe, në rast nevoje, të pyeten edhe dëshmitarë dhe ekspertë. Kundër vendimit të gjykatës mund të bëhet ankim i veçantë.

  • Neni 601/a
  • (Shtuar me ligjin nr.10 052, datë 29.12.2008, neni 47)

    Sendet e luajtshme, që ndodhen brenda sendit të paluajtshëm, të vënë në posedim, sipas nenit 602 të këtij Kodi, duhet të zhvendosen në përgjegjësinë e përmbaruesit dhe t’i dorëzohen debitorit ose familjarëve të tij menjëherë. Në rast se debitori ose familjarët e tij nuk janë të pranishëm gjatë lirimit, përmbaruesi mund t’i magazinojë pasuritë e luajtshme në:
    a) mjedisin e liruar, në marrëveshje me kreditorin, për një periudhë kohe prej 2 muajsh;
    b) në mjediset, që disponon shërbimi përmbarimor, për ruajtjen e sendeve, për një periudhë kohe prej 2 muajsh;
    c) në një vend neutral, ku sendet e luajtshme mund të ruhen në mënyrë të sigurt, për një periudhe kohe prej 2 muajsh;
    ç) në rezervat e shtetit, sipas rregullave në fuqi për ruajtjen e sendeve.
    Për magazinimin e sendeve, sipas shkronjave “b” dhe “c” të këtij neni, shpenzimet paguhen nga debitori në çastin e marrjes në dorëzim të sendeve.
    Nëse brenda 2 muajve nga lirimi, debitori nuk i kërkon sendet e tij të luajtshme, sipas shkronjave të mësipërme, apo nuk paguan të gjitha shpenzimet e lirimit dhe të magazinimit, sipas shkronjave “b” dhe “c” të këtij neni, sendet e luajtshme, të sekuestrueshme, do të shiten nga përmbaruesi gjyqësor, sipas dispozitave të pjesës IV të kreut II të këtij Kodi. Përmbaruesi, pasi zbret nga shuma e përfituar nga shitja me ankand të gjitha shpenzimet për lirimin dhe magazinimin e sendeve të debitorit, derdh pjesën që mbetet në një llogari bankare, në emër të debitorit. Sendet e pasekuestrueshme i kthehen debitorit, pavarësisht vendit se ku ruhen, pa i kërkuar atij që të paguajë shpenzimet.
    Sendet e luajtshme, të ndodhura brenda sendit të paluajtshëm, që nuk mund të shiten dhe nuk kërkohen nga debitori, asgjësohen apo i kalojnë institucioneve shtetërore ose enteve publike shtetërore kalim kapital.

  • Neni 602 - Vënia në posedim e sendit të paluajtshëm
  • Kur sendi i paluajtshëm, për të cilin është dhënë vendim, nuk është liruar vullnetarisht nga debitori brenda afatit të caktuar në lajmërimin e përmbaruesit gjyqësor, kreditori vihet në posedim të sendit.
    Për këtë përmbaruesi gjyqësor, të paktën tri ditë përpara, i njofton debitorit ditën dhe orën, në të cilën do të vërë kreditorin në posedim të sendit.
    Në ditën dhe orën e caktuar përmbaruesi gjyqësor, i pajisur me urdhrin e ekzekutimit, shkon në vendin ku ndodhet sendi dhe vë kreditorin në posedim të tij, duke porositur personat e tjerë të cilët mbajnë sendin që ta njohin si pronar kreditorin.

  • Neni 603 - Vënia në posedim e sendit të ndodhur te personi i tretë
  • Kur përmbaruesi gjyqësor konstaton se sendi i paluajtshëm ndodhet në posedim të një personi të tretë, i cili ka fituar për vete posedimin e sendit, pas fillimit të çështjes për të cilën është dhënë vendimi që ekzekutohet, e vë kreditorin në posedim të sendit, duke treguar në vendim se si ka konstatuar kohën në të cilën personi i tretë ka fituar posedimin.

  • Neni 604 - Përgjegjësia penale e debitorit dhe e personit të tretë
  • Kur debitori ose personi i tretë, të cilit i është hequr posedimi i sendit të paluajtshëm, vihet përsëri me çdo mënyrë të paligjshme në posedimin e këtij sendi, përmbaruesi gjyqësor, me kërkesën e kreditorit, i heq atij përsëri posedimin e sendit.
    Në këto raste, debitori ose personi i tretë kanë përgjegjësi, sipas dispozitave të Kodit Penal.