Neni 24 - Funksionet e prokurorit

(Shtuar pika “5” me ligjin nr.8460, datë 11.2.1999
dhe me ligjin nr.8813, datë 13.6.2002)

1. Prokurori ushtron ndjekjen penale, bën hetime, kontrollon hetimet paraprake, ngre akuzë në gjykatë dhe merr masa për ekzekutimin e vendimeve në përputhje me rregullat e caktuara në këtë Kod.

2. Prokurori ka të drejtë të mos fillojë ose të pushojë procedimin penal në rastet e parashikuara në këtë Kod.

3. Kur nuk është i domosdoshëm ankimi ose autorizimi për procedim, ndjekja penale ushtrohet kryesisht.

4. Urdhrat dhe udhëzimet e prokurorit më të lartë janë të detyrueshme për prokurorin më të ulët.

5. Prokurori më i lartë ka të drejtë të vendosë ndryshimin ose shfuqizimin e vendimeve të marra nga prokurori më i ulët me ankim ose kryesisht.

_________________________________________

Vendimi nr. 56, datë 29.1.2001 i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë

Kolegji Penal i Gjyakatës së Lartë, në vendimin nr.56, datë 29.1.2001, ka konsideruar të paligjshëm një akt të një prokurori pranë Prokurorisë së Përgjithshme që shfuqizonte një vendim të pushimit të çështjes nga një prokuror rrethi me arsyetimin: “Të gjitha vendimet që merren gjatë fazës së hetimit paraprak, si ato për pushimin e çështjes, ashtu edhe ato për dërgimin e çështjes në gjykatë, janë vendime që meren nga titullari i organit të prokurorisë, pavarësisht nga mendimi dhe qëndrimi që mund të ketë prokurori që ndjek çështjen… prokurori më i lartë është, sipas rastit, prokurori i rrethit apo Prokurori i Përgjithshëm. Në këtë kuptim, prokurori më i lartë për prokurorin e rrethit lidhur me shfuqizimin e vendimeve të tij është Prokurori i Përgjithshëm, dhe jo çdo prokuror pranë Prokurorisë së Përgjithshme.”
___________________________________________