strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

KREU III - POLICIA GJYQËSORE

  • Neni 30 - Funksionet e policisë gjyqësore
  • 1. Policia gjyqësore, edhe me iniciativën e vet, duhet të marrë dijeni për veprat penale, të pengojë ardhjen e pasojave të mëtejshme, të kërkojë autorët e tyre, të kryejë hetime dhe të grumbullojë gjithçka që i shërben zbatimit të ligjit penal.

    2. Policia gjyqësore kryen çdo veprim hetimor që i është urdhëruar ose deleguar nga prokurori.

    3. Funksionet e treguara në paragrafët 1 dhe 2 kryhen nga oficerët dhe agjentët e policisë gjyqësore.

  • Neni 31 - Shërbimet dhe seksionet e policisë gjyqësore
  • 1. Funksionet e policisë gjyqësore kryhen:
    a) nga oficerët dhe agjentët e policisë gjyqësore që u përkasin organeve, të cilëve ligji u ngarkon detyrën për të kryer hetime që nga çasti që marrin dijeni për veprën penale;
    b) nga seksionet e policisë gjyqësore të krijuara pranë çdo prokurorie rrethi dhe të përbëra nga një personel i policisë gjyqësore;
    c) nga shërbimet e policisë gjyqësore të parashikuara me ligj.

  • Neni 32 - Oficerët dhe agjentët e policisë gjyqësore
  • 1. Janë oficerë të policisë gjyqësore:
    a) drejtuesit, inspektorët dhe pjesëtarë të tjerë të policisë së Ministrisë së Rendit Publik, të cilëve me ligj të veçantë u njihet një cilësi e tillë;
    b) oficerët e policisë ushtarake, të policisë financiare, pyjore dhe të çdo policie tjetër, të cilëve me ligj të veçantë u njihet një cilësi e tillë.

    2. Janë agjentë të policisë gjyqësore:
    a) personeli i policisë së rendit, të cilit me ligj të veçantë i njihet një cilësi e tillë;
    b) personeli i policisë ushtarake, i policisë financiare dhe i çdo policie tjetër të njohur me ligj, kur janë në shërbim.

    3. Janë gjithashtu oficerë dhe agjentë të policisë gjyqësore, në caqet e shërbimit që u është besuar dhe sipas atributeve përkatëse, personat, të cilëve me ligj u njihen funksionet e parashikuara nga neni 30.

  • Neni 33 - Vartësia e policisë gjyqësore
  • 1. Seksionet e policisë gjyqësore varen nga drejtuesit e prokurorive të rretheve.

    2. Oficeri që shërben në policinë gjyqësore përgjigjet para prokurorit të rrethit për veprimtarinë e zhvilluar nga ai vetë dhe nga personeli vartës.

    3. Oficerët dhe agjentët e policisë gjyqësore janë të detyruar të zbatojnë detyrat që u janë caktuar nga prokurori. Pjesëtarët e seksioneve nuk mund të hiqen nga veprimtaria e policisë gjyqësore veçse me pëlqimin e Prokurorit të Përgjithshëm.

    4. Gjykatat dhe prokuroritë disponojnë drejtpërsëdrejti personelin e seksioneve dhe mund të shfrytëzojnë çdo shërbim të policisë gjyqësore.