Neni 35 - Ndihma që i jepet të pandehurit të mitur

1. Të pandehurit të mitur i sigurohet ndihmë juridike dhe psikologjike, në çdo gjendje dhe shkallë të procedimit, me praninë e prindit ose të personave të tjerë të kërkuar nga i mituri dhe të pranuar nga autoriteti që procedon.

2. Organi procedues mund të kryejë veprime dhe të përpilojë akte, për të cilat kërkohet pjesëmarrja e të miturit, pa praninë e personave të treguar në paragrafin 1, vetëm kur një gjë e tillë është në interes të të miturit ose kur vonesa mund të dëmtojë rëndë procedimin, por gjithmonë në praninë e mbrojtësit.