Neni 37/a - Bashkëpunimi me drejtësinë

(Shtuar me ligjin nr.9276, datë 16.9.2004, neni 3)

1. Personi nën hetim ose i pandehuri, që akuzohet për një krim të rëndë, të kryer në bashkëpunim, kur bashkëpunon me prokurorin dhe gjykatën, duhet të japë informacion të plotë dhe pa asnjë rezervë ose kusht për të gjitha faktet, ngjarjet dhe rrethanat, që shërbejnë si prova vendimtare për zbulimin, hetimin, gjykimin dhe parandalimin e krimeve të rënda dhe riparimin e dëmeve të shkaktuara prej tyre.
Për dënimin e tij zbatohen rregullat e përcaktuara në nenin 28 të Kodit Penal.

2. Kushtet e bashkëpunimit caktohen në marrëveshjen e mbrojtjes, të hartuar sipas dispozitave të posaçme ligjore për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe të bashkëpunëtorëve të drejtësisë.

3. Kur marrëveshja e bashkëpunimit realizohet gjatë gjykimit, gjykata që shqyrton çështjen vendos uljen e masës së dënimit ose përjashtimin nga dënimi, sipas nenit 28 të Kodit Penal. Kur bashkëpunimi realizohet gjatë ekzekutimit të vendimit të dënimit, bashkëpunëtori i drejtësisë mund të kërkojë nga gjykata që e ka dënuar ose nga ajo e vendit të ekzekutimit ndryshimin e dënimit të dhënë. Gjykata vendos pasi merr edhe mendimin e prokurorit.

4. Marrëveshja e bashkëpunimit mund të revokohet kur bashkëpunëtori i drejtësisë shkel kushtet e përcaktuara ose bën deklarime të rreme.