strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

SEKSIONI VII - TRANSFERIMI I ÇËSHTJES

  • Neni 94 - Shkaqet e transferimit
  • (Ndryshuar me ligjin nr.8813, datë 13.6.2002)

    1. Në çdo gjendje dhe shkallë të gjykimit, kur siguria publike ose liria e vullnetit të personave që marrin pjesë në proces cenohen nga situata të rënda lokale, të cilat mund të dëmtojnë zhvillimin e gjykimit dhe që nuk mund të mënjanohen në mënyra të tjera, Gjykata e Lartë, mbi kërkesën e motivuar të prokurorit pranë gjykatës që procedon ose të të pandehurit, ia transferon çështjen një gjykate tjetër.

    ______________________________________________

    Vendimi nr.264, datë 28.7.1999 i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë “Neni 94 i Kodit të Procedurës Penale i referohet situatës së rëndë lokale, pa e komentuar këtë situatë. Por duhet pranuar se ajo nuk është e njëjtë me “gjendjen e luftës”, “gjendjen e jashtëzakonshme” apo “gjendjen e një fatkeqësie natyrore”, të parashikuara nga nenet 170 deri 176 të Kushtetutës, të cilat, siç thuhet në vendimin nr. 47, datë 28.1.1999 të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë “nuk përbëjnë në vetvete shkak absolut për transferim të gjykimit të çështjeve penale”.
    Neni_94 tregon shkaqet e përgjithshme të transferimit, prandaj është detyrë e kërkuesit që të argumentojë për çdo rast konkret pse duhet transferuar çështja, kurse gjykata të çmojë rast pas rasti nëse duhet pranuar kërkesa. Kërkesa duhet të jetë e motivuar, prandaj ashtu siç theksohet në vendimin e sipërm të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, “prokurori apo i pandehuri duhet të japin argumentet përkatëse, të cilat të çojnë në përfundimin që situata e rëndë lokale e pretenduar dhe pasojat që mund të vijnë prej saj i përshtaten kuadrit të përgjithshëm të kërkuar nga dispozita e mësipërme. Kërkesa duhet të përmbajë të dhëna e fakte dhe përfundime lidhur me to. Eshtë kjo arsyeja që në nenin 95/1 të Kodit të Procedurës Penale kërkohet që asaj t’i bashkëngjiten dokumentet që lidhen me të.”
    Më tej, në këtë vendim thuhet: “.. me të dhëna të nevojshme duhet të kuptojmë faktet dhe rrethanat që përmenden në dokumentet që shoqërojnë kërkesën për transferimin e çështjes… ato duhet të jenë të tilla që të kenë vlerën e provës, domethënë të jenë marrë nga burime të ligjshme e në rrugë të ligjshme, të përmbajnë karakteristikat e një dokumenti zyrtar dhe të largojnë çdo dyshim rreth vërtetësisë së tyre. Duke qenë se organet e policisë janë përgjegjëse për ruajtjen e rendit dhe të sigurisë publike, kuptohet që u takon atyre të shprehen zyrtarisht e të informojnë gjykatën për situatën lokale të krijuar, nëse kjo situatë është e rëndë, nëse mund të dëmtojë zhvillimin e procesit gjyqësor të filluar dhe nëse është e mundur që pasojat eventuale të dëmshme të mënjanohen në mënyra të tjera.”
    Gjykata që procedon duhet të informojë hollësisht Gjykatën e Lartë për ecurinë e procesit, si dhe t’i parashtrojë konkluzionet e saj rreth bazueshmërisë së kërkesës për transferimin e çështjes, sepse ashtu siç theksohet në vendimin e Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë “pavarësisht nga kërkimet e palëve, që mund të jenë edhe subjektive, gjykata që ka filluar gjykimin është përgjegjëse për ecurinë normale të tij dhe për shmangien e tendencave për zvarritje të gjykimit”.
    ______________________________________________

  • Neni 95 - Kërkesa e transferimit
  • 1. Kërkesa e transferimit depozitohet, bashkë me dokumentet që lidhen me të, në sekretarinë e gjykatës kompetente dhe u njoftohet brenda shtatë ditëve palëve të tjera.

    2. Kërkesa e të pandehurit nënshkruhet personalisht ose nga një përfaqësues i tij i posaçëm.

    3. Gjykata ia dërgon menjëherë Gjykatës së Lartë kërkesën bashkë me dokumentet dhe vërejtjet eventuale.

    4. Mosrespektimi i formave dhe i afateve të parashikuara nga paragrafët 1 dhe 2 është shkak për mospranimin e kërkesës.

  • Neni 96 - Pasojat e kërkesës
  • 1. Paraqitja e kërkesës së transferimit nuk pezullon gjykimin, por gjykata nuk mund të përfundojë çështjen derisa të mos jetë vendosur për pranimin ose rrëzimin e kërkesës.

    2. Gjykata e Lartë mund të vendosë pezullimin e gjykimit. Pezullimi nuk pengon kryerjen e veprimeve të ngutshme.

  • Neni 97 - Vendimi mbi kërkesën e transferimit
  • 1. Gjykata e Lartë, pasi merr të dhënat e nevojshme, vendos në dhomën e këshillimit, pa pjesëmarrjen e palëve.

    2. Vendimi që pranon kërkesën i njoftohet gjykatës që procedonte dhe asaj që i është caktuar për ta gjykuar. Gjykata që procedonte ia kalon menjëherë aktet gjykatës që është caktuar dhe urdhëron që vendimi i Gjykatës së Lartë t’u njoftohet prokurorit, të pandehurit dhe palëve private.

    3. Gjykata e caktuar nga Gjykata e Lartë deklaron me vendim nëse dhe në ç’pjesë veprimet e kryera i ruajnë efektet.