strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

KREU III - AFATET

  • Neni 144 - Rregulla të përgjithshme
  • 1. Afatet procedurale caktohen në orë, në ditë, në muaj ose në vite.

    2. Afatet llogariten sipas kalendarit të zakonshëm.

    3. Afati i caktuar në ditë, kur ai mbaron në ditë pushimi ose feste, shtyhet deri në ditën pasardhëse të punës ose jofestive.

    4. Me përjashtim të rasteve kur ligji disponon ndryshe, në afatin e caktuar nuk llogaritet ora ose dita në të cilën fillon të ecë afati. Llogariten ora e fundit ose dita e fundit.

    5. Afati për bërjen e deklaratave, depozitimin e dokumenteve ose për kryerjen e veprimeve të tjera në gjykatë konsiderohet i mbaruar në momentin kur, sipas rregullit, zyrat mbyllen për publikun.

  • Neni 145 - Afatet që nuk mund të zgjaten
  • 1. Afatet që nuk mund të zgjaten janë ato që parashikohen nga ligji për raste të caktuara.
    Këto afate mund të zgjaten vetëm kur me ligj disponohet ndryshe.

    2. Pala, në favor të së cilës është caktuar një afat, mund të kërkojë ose të lejojë shkurtimin e tij me deklaratë të dorëzuar në sekretarinë e autoritetit procedues.

  • Neni 146 - Zgjatja e afatit të paraqitjes
  • 1. Kur vendbanimi i të pandehurit, që rezulton nga aktet, ose banesa e deklaruar a e zgjedhur, është jashtë rrethit ku ka selinë organi procedues, afati për paraqitje zgjatet për aq ditë sa duhen për udhëtim. Në çdo rast, zgjatja e afatit nuk mund të jetë më shumë se tri ditë. Për të pandehurin me banim jashtë shtetit zgjatja e afatit caktohet nga autoriteti procedues, duke mbajtur parasysh largësinë dhe mjetet e komunikacionit që përdoren.

    2. Këto rregulla zbatohen edhe për afatin e caktuar për paraqitjen e çdo personi tjetër, për të cilin autoriteti procedues ka lëshuar urdhër ose ftesë.

  • Neni 147 - Rivendosja në afat
  • 1. Prokurori, i pandehuri, palët private dhe mbrojtësit rivendosen në afatin e caktuar kur provojnë se nuk kanë patur mundësi ta respektojnë afatin për shkak të rastit fator ose të forcës madhore.

    2. Në qoftë se është dhënë vendimi në mungesë, i pandehuri mund të kërkojë rivendosjen në afat për të bërë ankim kur provon se nuk ka marrë dijeni për vendimin.

    3. Kërkesa për rivendosjen në afat paraqitet brenda dhjetë ditëve nga zhdukja e faktit që përbënte rast ose forcë madhore, kurse në rastet e parashikuara në paragrafin 2, nga dita kur i pandehuri ka marrë dijeni efektivisht për aktin. Rivendosja në afat nuk lejohet më shumë se një herë për secilën palë për çdo shkallë të procedimit.

    4. Për kërkesën vendos organi që procedon në kohën e paraqitjes së saj.

    5. Vendimi që lejon rivendosjen në afat për bërjen e ankimit mund të ankimohet vetëm bashkë me vendimin përfundimtar.

    6. Kundër vendimit që refuzon kërkesën për rivendosje në afat mund të bëhet ankim në gjykatën e apelit.

  • Neni 148 - Efektet e rivendosjes në afat
  • 1. Gjykata që ka vendosur rivendosjen në afat, me kërkesën e palës dhe për aq sa është e mundur, urdhëron përsëritjen e veprimeve në të cilat pala kishte të drejtë të merrte pjesë.

    2. Kur rivendosja në afat bëhet nga Gjykata e Lartë, përsëritja e veprimeve vendoset nga gjykata që është kompetente për shqyrtimin në themel.