KREU I - RREGULLA TË PËRGJITHSHME

  • Neni 149 - Kuptimi i provës
  • 1. Prova janë njoftimet mbi faktet e rrethanat që lidhen me veprën penale, që merren prej burimeve të parashikuara në ligjin procedural penal, në përputhje me rregullat e caktuara prej tij dhe që shërbejnë për të vërtetuar kryerjen ose jo të veprës penale, pasojat e ardhura prej saj, fajësinë ose pafajësinë e të pandehurit dhe shkallën e përgjegjësisë së tij.

  • Neni 150 - Objekti i provave
  • 1. Janë objekt prove faktet që kanë lidhje me akuzën, fajësinë e të pandehurit, caktimin e masave të sigurimit, dënimin dhe përgjegjësinë civile, si dhe faktet nga të cilat varet zbatimi i normave procedurale.

  • Neni 151 - Marrja e provave
  • 1. Gjatë hetimeve paraprake provat merren nga organi që procedon, sipas rregullave të caktuara në këtë Kod.

    2. Në gjykim provat merren me kërkesën e palëve. Gjykata vendos me urdhër, duke përjashtuar provat e ndaluara nga ligji dhe ato që janë haptazi të panevojshme. Disponimet mbi marrjen e provave mund të revokohen në çdo fazë të shqyrtimit gjyqësor.

    3. Kur kërkohet një provë që nuk rregullohet me ligj, gjykata mund ta marrë në qoftë se ajo vlen për të vërtetuar faktet dhe nuk cenon lirinë e vullnetit të personit. Gjykata vendos për marrjen e provës pasi dëgjon palët mbi mënyrën e marrjes së saj.

    4. Provat e marra në shkelje të ndalimeve të parashikuara nga ligji nuk mund të përdoren.

    Papërdorshmëria ngrihet edhe kryesisht në çdo gjendje dhe shkallë të procedimit.

  • Neni 152 - Çmuarja e provave
  • 1. Çmuarja e provave është përcaktimi i vërtetësisë dhe fuqisë provuese të tyre. Çdo provë i nënshtrohet shqyrtimit dhe nuk ka vlerë të paracaktuar. Gjykata i çmon provat sipas bindjes së formuar pas shqyrtimit të tyre në tërësi.

    2. Ekzistenca e një fakti nuk mund të nxirret nga indicjet përveçse kur këto janë të rëndësishme, të sakta dhe në përputhje me njëra-tjetrën.

    3. Deklarimet e bëra nga i bashkëpandehuri në të njëjtën vepër penale ose nga personi i marrë si i pandehur në një procedim që lidhet me të, vlerësohen në unitet me provat e tjera që konfirmojnë vërtetësinë e tyre.

    Vendimi nr. 95, datë 27.7.2001 i Gjykatës Kushtetuese
    “Në shqyrtimin e kësaj çështjeje nga këto gjykata, Gjykata Kushtetuese nuk konstatoi që në marrjen dhe vlerësimin e thënieve të personave të jenë shkelur parimet themelore të një procesi të rregullt ligjor. Po kështu, mbledhja e të dhënave nuk del që të jetë bërë në rrugë e mënyra të paligjshme, ç’ka do të vinte ndesh me nenin 32 pika 2 të Kushtetutës.”