SEKSIONI I - KËQYRJET

  • Neni 198 - Rastet dhe format e këqyrjes
  • 1. Këqyrja e personave, e vendeve dhe e sendeve vendoset nga organi procedues kur është e nevojshme të zbulohen gjurmët dhe pasojat e tjera materiale të veprës penale.

    2. Kur vepra penale nuk ka lënë gjurmë ose pasoja materiale ose kur këto janë zhdukur, kanë humbur, janë ndryshuar a lëvizur, organi procedues përshkruan gjendjen dhe, kur është e mundur, verifikon se si ka qenë ajo para ndryshimeve, si dhe merr masa që të saktësojë mënyrën, kohën dhe shkaqet e ndryshimeve që mund të kenë ndodhur.

    3. Organi procedues mund të urdhërojë fotografime, filmime dhe çdo veprim tjetër teknik.

  • Neni 199 - Këqyrja e personave
  • 1. Këqyrja bëhet duke respektuar dinjitetin dhe, me sa është e mundur, mbrojtjen e atij që këqyret.

    2. Para se të bëhet këqyrja, personit që do të këqyret i bëhet e njohur e drejta për të kërkuar praninë e një të besuari, me kusht që ky të mund të gjendet menjëherë dhe të jetë i përshtatshëm.

    3. Këqyrja mund të bëhet edhe me anën e një mjeku. Në këtë rast organi procedues mund të mos marrë pjesë në veprimin e këqyrjes.

    4. Kur është e nevojshme për konstatimin e fakteve që kanë rëndësi për çështjen, lejohet marrja e gjakut dhe ndërhyrje të tjera trupore, edhe pa vullnetin e personit, nëse nuk ka rrezik për shëndetin.

  • Neni 200 - Këqyrja e kufomës
  • 1. Këqyrja e kufomës bëhet nga organi procedues në prani të mjekut ligjor.

    2. Për të bërë këqyrjen e kufomës, gjyqtari ose prokurori mund të urdhërojnë zhvarrimin, duke njoftuar një pjesëtar të familjes së të vdekurit për të marrë pjesë, me përjashtim të rasteve kur kjo pjesëmarrje mund të dëmtojë qëllimin e këqyrjes.

  • Neni 201 - Këqyrja e vendeve dhe e sendeve
  • 1. Të pandehurit dhe atij që ka në dispozicion vendin ku do të bëhet këqyrja ose sendin që do të këqyret u dorëzohet në fillim kopja e vendimit për kryerjen e këqyrjes.

    2. Në këqyrjen e vendeve, organi procedues mund të urdhërojë, për arsye të motivuara, që të pranishmit të mos largohen para se të ketë përfunduar këqyrja dhe t’i kthejë forcërisht ata që largohen.