strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

SEKSIONI II - KONTROLLET

  • Neni 202 - Kushtet për kryerjen e kontrolleve
  • 1. Kur ka arsye të bazuara për të menduar se dikush fsheh në personin e tij prova materiale të veprës penale ose sende që i përkasin veprës penale gjykata merr vendim për kontrollin personal. Kur këto sende ndodhen në një vend të caktuar, vendoset kontrolli i vendit ose banesës.

    2. Gjykata që ka nxjerrë vendimin mund të veprojë vetë ose të urdhërojë që veprimi të kryhet nga oficerët e policisë gjyqësore, të caktuar në vendimin e kontrollit.

    3. Në rast flagrance ose në rast ndjekje të personit që është duke ikur, që nuk lejojnë nxjerrjen e një vendimi kontroll, oficerët e policisë gjyqësore kryejnë kontrollin e personit ose të vendit, duke zbatuar rregullat e caktuara në nenin 299.

  • Neni 203 - Kërkesa e dorëzimit
  • 1. Kur kërkohet një send i caktuar, organi procedues mund të kërkojë dorëzimin e tij. Në qoftë se sendi dorëzohet, kontrolli nuk bëhet, me përjashtim të rasteve kur ai çmohet i nevojshëm.

    2. Për të përcaktuar sendet që mund të sekuestrohen ose për të verifikuar rrethana të caktuara të nevojshme për hetimin, organi procedues ose oficerët e policisë gjyqësore të autorizuar prej tij, mund të kontrollojnë veprimet, dokumentet dhe korrespondencën pranë bankave.

  • Neni 204 - Kontrolli i personit
  • 1. Para se të bëhet kontrolli i personit, atij që do të kontrollohet i dorëzohet një kopje e vendimit të kontrollit, duke i bërë të ditur të drejtën për të kërkuar praninë e një personi të besuar, me kusht që ai të gjendet shpejt dhe të jetë i përshtatshëm.

    2. Kontrolli bëhet duke respektuar dinjitetin dhe mbrojtjen e atij që kontrollohet.

  • Neni 205 - Kontrolli i vendeve
  • 1. Të pandehurit, kur është i pranishëm, dhe atij që ka në dispozicion vendin u dorëzohet kopja e vendimit të kontrollit, duke i sqaruar të drejtën për të kërkuar praninë e një personi të besuar.

    2. Kur mungojnë personat e treguar në paragrafin 1, kopja e vendimit i dorëzohet një të afërmi, një fqinji ose një personi që punon bashkë me të.

    3. Organi procedues mund të kontrollojë personat e pranishëm, kur çmon se këta mund të fshehin provën materiale ose sendet që i përkasin veprës penale. Ai mund të urdhërojë që të pranishmit të mos largohen para se të mbarojë kontrolli dhe të kthehen forcërisht ata që largohen.

  • Neni 206 - Koha për kryerjen e kontrollit të banesës
  • 1. Kontrolli në një banesë ose në një vend të mbyllur ngjitur me të nuk mund të fillojë para orës shtatë dhe pas orës njëzet. Në raste të ngutshme organi procedues mund të urdhërojë me shkrim që kontrolli të bëhet tej këtyre caqeve.

  • Neni 207 - Sekuestrimi gjatë kontrollit
  • 1. Sendet e zbuluara gjatë kontrollit mund të sekuestrohen duke respektuar dispozitat për sekuestrimet.