strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

SEKSIONI III - SEKUESTRIMET

  • Neni 208 - Objekti i sekuestrimit
  • 1. Gjyqtari ose prokurori disponojnë me vendim të arsyetuar sekuestrimin e provave materiale dhe të sendeve që lidhen me veprën penale kur ato janë të domosdoshme për vërtetimin e fakteve.

    2. Sekuestrimin e kryen vetë ai që ka nxjerrë vendim ose oficerët e policisë gjyqësore të deleguar me të njëjtin vendim.

    3. Kopja e vendimit të sekuestrimit i dorëzohet të interesuarit, në qoftë se është i pranishëm.

  • Neni 208/a - Sekuestrimi i të dhënave kompjuterike
  • (Shtuar me ligjin nr. 10054, datë 29.12.2008)

    1. Në rastin e procedimeve për veprat penale në fushën e teknologjisë së informacionit, gjykata, me kërkesë të prokurorit, vendos sekuestrimin e të dhënave dhe të sistemeve kompjuterike. Në këtë vendim, gjykata përcakton të drejtën për të hyrë, kërkuar dhe marrë të dhënat kompjuterike në sistemin kompjuterik, si dhe ndalimin për kryerjen e veprimeve të mëtejshme apo sigurimin e të dhënave ose të sistemit kompjuterik.

    2. Kur ekzistojnë shkaqe të arsyeshme për të menduar se të dhënat e kërkuara kompjuterike janë memorizuar në një sistem tjetër kompjuterik apo në një pjesë të tij dhe këto të dhëna janë në mënyrë të ligjshme të kapshme prej ose janë të disponueshme nga sistemi kompjuterik fillestar, që kontrollohet, gjykata, me kërkesë të prokurorit, urdhëron menjëherë kërkimin ose hyrjen edhe në këtë sistem kompjuterik.

    3. Në zbatim të vendimit të gjykatës, prokuroria ose oficeri i policisë gjyqësore, i deleguar nga prokurori, merr masa:
    a) për të ndaluar kryerjen e veprimeve të mëtejshme ose për të siguruar sistemin kompjuterik, vetëm të një pjese të tij ose të një mjeti tjetër memorizimi të dhënash;
    b) për të nxjerrë dhe marrë kopje të të dhënave kompjuterike;
    c) për të penguar hyrjen në të dhënat kompjuterike, ose për t’i hequr këto të dhëna nga sistemet kompjuterike me të drejtë hyrjeje;
    ç) për të siguruar paprekshmërinë e të dhënave përkatëse, të memorizuara.

    4. Për zbatimin e këtyre veprimeve, prokurori mund të urdhërojë thirrjen e një eksperti, i cili ka njohuri rreth funksionimit të sistemeve kompjuterike apo të masave të zbatuara për mbrojtjen e të dhënave kompjuterike në të. Eksperti i thirrur nuk mund të refuzojë detyrën pa shkaqe të arsyeshme.

  • Neni 209 - Sekuestrimi i korrespondencës
  • (Shtesë në pikën 1 me ligjin nr.9085, datë 19.6.2003)

    1. Kur gjykata ka arsye të bazuara të mendojë se në zyrat postare ose telegrafike gjenden letra, letra me vlerë, zarfa, pako, telegrame dhe objekte të tjera të korrespondencës që janë dërguar nga i pandehuri ose që i drejtohen atij, qoftë edhe me emër tjetër ose nëpërmjet një personi tjetër, vendos sekuestrimin e tyre.

    2. Kur sekuestrimin e kryen një oficer i policisë gjyqësore, ai duhet t’i dorëzojë organit gjyqësor objektet e sekuestruara të korrespondencës pa i hapur dhe pa u njohur me ndonjë mënyrë tjetër me përmbajtjen e tyre.

    3. Objektet e sekuestruara që nuk hyjnë në korrespondencën e sekuestrueshme i kthehen atij që i takojnë dhe nuk mund të përdoren.

  • Neni 210 - Sekuestrimi pranë bankave
  • (Shtesë në pikën 1 me ligjin nr.9085, datë 19.6.2003)

    1. Gjykata mund të vendosë sekuestrimin pranë bankave të dokumenteve, letrave me vlerë, shumave të depozituara në llogari rrjedhëse dhe çdo gjëje tjetër, edhe nëse gjenden në kasetat e sigurisë, kur ka arsye të bazuara për të menduar se ato kanë lidhje me veprën penale, edhe kur nuk i përkasin të pandehurit ose kur nuk janë në emër të tij. Në raste të ngutshme ky vendim mund të merret nga prokurori.

  • Neni 211 - Detyrimi i dorëzimit dhe ruajtja e sekretit
  • 1. Personat e detyruar për ruajtjen e sekretit profesional ose shtetëror detyrohen t’i dorëzojnë menjëherë organit procedues aktet dhe dokumentet, edhe në origjinal, dhe çdo gjë tjetër që ruhet pranë tyre për shkak të detyrës, shërbimit ose profesionit, përveç kur deklarojnë se është sekret shtetëror ose sekret që lidhet me detyrën a profesionin e tyre. Në rastin e fundit bëhen verifikimet e nevojshme dhe kur del që deklarimi është i pabazuar, organi procedues urdhëron sekuestrimin.

    2. Kur sekreti shtetëror konfirmohet nga organi kompetent dhe prova është thelbësore për zgjidhjen e çështjes, organi procedues vendos marrjen e provës.

    3. Kur brenda tridhjetë ditëve nga kërkesa organi kompetent nuk jep konformimin e sekretit, organi procedues urdhëron sekuestrimin.

  • Neni 212 - Kundërshtimi i vendimit të sekuestrimit
  • 1. I pandehuri, personi tek i cili janë sekuestruar sendet dhe ai që ka të drejtën e kërkimit të tyre, mund të bëjnë ankim në gjykatë kundër vendimit të sekuestrimit.

    2. Ankimi nuk e pezullon zbatimin e vendimit.

  • Neni 213 - Kopjet e dokumenteve të sekuestruara
  • 1. Organi procedues mund të urdhërojë nxjerrjen e kopjeve të akteve dhe të dokumenteve të sekuestruara, duke kthyer origjinalet dhe kur origjinalet duhet të mbahen urdhëron sekretarinë të lëshojë kopje të vërtetuar.

    2. Në çdo rast personi ose zyra pranë të cilit është bërë sekuestrimi ka të drejtë të ketë një kopje të procesverbalit të sekuestrimit.

    3. Kur dokumenti i sekuestruar bën pjesë në një vëllim ose në një regjistër, nga i cili nuk mund të ndahet dhe organit procedues i duhet origjinali, vëllimi ose regjistri qëndron në dispozicion të organit procedues. Sekretari i organit procedues u lëshon të interesuarve, kur ata i kërkojnë, kopje, ekstrakte ose vërtetime të pjesëve të vëllimit a të regjistrit që nuk i janë nënshtruar sekuestrimit.

  • Neni 214 - Ruajtja e sendeve të sekuestruara
  • 1. Sendet e sekuestruara ruhen në sekretari. Kur kjo nuk është e mundur ose e përshtatshme, organi procedues urdhëron që ato të ruhen në një vend tjetër, duke përcaktuar mënyrën e ruajtjes.

    2. Gjatë veprimit të dorëzimit, ruajtësi paralajmërohet për detyrimin e ruajtjes dhe të paraqitjes së sendeve kur kërkohen nga organi procedues, si dhe për dënimin e parashikuar nga ligji penal për atë që shkel detyrimin e ruajtjes.

  • Neni 215 - Vulosja e sendeve të sekuestruara
  • 1. Sendet e sekuestruara sigurohen me vulën e organit procedues ose, në varësi nga natyra e sendeve, me mjete të tjera të përshtatshme që tregojnë se ato ruhen për nevojat e drejtësisë.

    2. Organi procedues nxjerr kopje të dokumenteve dhe fotografi ose riprodhime të tjera të sendeve të sekuestruara që mund të ndryshojnë ose që ruhen me vështirësi, të cilat i bashkon me aktet dhe urdhëron ruajtjen e tyre në sekretari.

    3. Për sendet që mund të ndryshojnë, organi procedues urdhëron, sipas rastit, tjetërsimin ose asgjësimin e tyre.

  • Neni 216 - Heqja dhe vënia e vulave
  • 1. Organi procedues, kur do që të heqë vulat, verifikon nëse ato janë të cenuara ose jo dhe kur konstaton ndryshimin e tyre mban procesverbal. Pasi kryhet veprimi për të cilin është bërë e nevojshme heqja e vulave, sendet e sekuestruara vulosen përsëri, duke vënë pranë vulës datën e veprimit.

  • Neni 217 - Kthimi i sendeve të sekuestruara
  • 1. Kur nuk është e nevojshme mbajtja e sekuestros për qëllime prove, sendet e sekuestruara i kthehen atij që i takojnë edhe para se të merret vendimi përfundimtar. Kur është e nevojshme, organi procedues urdhëron të sillen sendet e kthyera.

    2. Gjykata mund të disponojë që kthimi i sendeve të mos bëhet kur, me kërkesën e prokurorit ose të paditësit civil, duhet të mbahet sekuestrimi për të siguruar padinë civile.

    3. Pasi vendimi merr formë të prerë, sendet e sekuestruara i kthehen atij që i takojnë, përveç rasteve kur vendoset konfiskimi.

  • Neni 218 - Rregullat për kthimin e sendeve të sekuestruara
  • 1. Gjykata vendos kthimin e sendeve të sekuestruara kur nuk ka dyshim për përkatësinë e tyre.

    2. Kur sendet janë sekuestruar pranë një të treti, kthimi nuk mund të urdhërohet në dobi të të tjerëve, pa u dëgjuar i treti nga gjykata.

    3. Gjatë hetimeve paraprake, kthimi i sendeve të sekuestruara urdhërohet nga prokurori.

    Kundër këtij urdhri të interesuarit mund të bëjnë ankim në gjykatë.

  • Neni 219 - Disponimet në rast moskthimi
  • 1. Pas një viti nga dita që vendimi ka marrë formë të prerë, në qoftë se kërkesa e kthimit nuk është paraqitur ose nuk është pranuar, gjykata që ka dhënë vendimin urdhëron që paratë dhe letrat me vlerë të depozitohen në bankë, në një llogari të veçantë. Për sendet urdhërohet shitja e tyre, por kur ato kanë interes shkencor ose vlera arti, u kalohen institucioneve përkatëse.

    2. Shitja mund të urdhërohet edhe para afatit të treguar në paragrafin 1, kur sendet nuk mund të ruhen pa rrezik prishjeje ose pa shpenzime të mëdha.

    3. Shuma e fituar nga shitja derdhet në bankë, në llogari të veçantë.

  • Neni 220 - Shpenzimet për sendet e sekuestruara
  • 1. Shpenzimet që nevojiten për ruajtjen e sendeve të sekuestruara përballohen nga shteti, i cili ka preferenca ndaj çdo kreditori tjetër për shumat e depozituara nga sendet dhe vlerat e pakthyera.