strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

SEKSIONI IV - PËRGJIMET

(Ndryshuar titulli me ligjin nr.9187, datë 12.2.2004)

  • Neni 221 - Kufijtë e lejimit
  • (Ndryshuar me ligjin nr.9187, datë 12.2.2004)

    1. Përgjimi i komunikimeve të një personi ose të një numri telefoni me telefon, faks, kompjuter ose me mjete të tjera të çdo lloji, përgjimi i fshehtë me mjete teknike i bisedave në vende private, përgjimi me audio dhe video në vende private dhe regjistrimi i numrave të telefonit, hyrës dhe dalës, lejohen vetëm kur procedohet:
    a) për krimet e kryera me dashje, për të cilat parashikohet dënim me burgim jo më pak, në maksimum, se shtatë vjet;
    b) për kundërvajtjet penale të fyerjes e të kanosjes, të kryera me mjete të telekomunikimit.

    2. Përgjimi i fshehtë fotografik, filmik ose me video i personave në vende publike dhe përdorimi i pajisjeve gjurmuese të vendndodhjes lejohen vetëm kur procedohet për krime të kryera me dashje, për të cilat parashikohet dënim me burgim jo më pak, në maksimum, se dy vjet.

    3. Përgjimi mund të urdhërohet kundër:
    a) të dyshuarit për kryerjen e një vepre penale;
    b) personit që dyshohet se merr ose transmeton komunikime nga i dyshuari;
    c) personit që merr pjesë në transanksione me të dyshuarin;
    ç) personit, vëzhgimi i të cilit mund të çojë në zbulimin e vendndodhjes ose të identitetit të të dyshuarit.

    4. Rezultati i përgjimit është i vlefshëm për të gjithë komunikuesit.

    5. Përgjimi parandalues rregullohet me ligj të veçantë. Rezultatet e tij nuk mund të përdoren si provë.

  • Neni 222 - Vendimi për lejimin e përgjimit
  • (Shtuar paragrafi I dhe pika III me ligjin nr.8813,datë 13.6.2002)
    (Shtuar paragrafi II dhe III në pikën 1 dhe paragrafi i II në pikën 3, me ligjin nr.9187, datë 12.2.2004)

    1. Me kërkesën e prokurorit ose të të dëmtuarit akuzues, gjykata autorizon përgjimin me vendim të motivuar për rastet e lejuara me ligj, kur ai është i domosdoshëm për vazhdimin e hetimeve të filluara dhe kur ka prova të mjaftueshme për vërtetimin e akuzës. Kundër vendimit të gjykatës që refuzon kërkesën mund të bëhet ankim i veçantë.
    Përgjimi në vende publike, regjistrimi i numrave të telefonit, hyrës dhe dalës, si dhe përdorimi i pajisjeve gjurmuese të vendndodhjes autorizohen nga prokurori.
    Kur njëri nga dy personat që do të përgjohen është i gatshëm të kryejë dhe të regjistrojë veprimin përkatës, sipas marrëveshjes me oficerin e policisë gjyqësore, veprimi është i lejuar me autorizim të prokurorit.

    2. Kur ka arsye të bazuara për të menduar se nga vonesa mund t’i vijë një dëm i rëndë hetimeve, prokurori vendos përgjimin me akt të motivuar dhe njofton gjykatën menjëherë, por jo më vonë se njëzet e katër orë. Gjykata brenda dyzet e tetë orëve nga vendimi i prokurorit bën vleftësimin me vendim të arsyetuar. Kur vleftësimi nuk bëhet në afatin e caktuar, përgjimi nuk mund të vazhdojë dhe rezultatet e tij nuk mund të përdoren.

    3. Vendimi për përgjimin tregon mënyrën e kryerjes dhe kohëzgjatjen e veprimeve, e cila nuk mund t’i kalojë pesëmbëdhjetë ditët. Ky afat, me kërkesë të prokurorit, mund të zgjatet nga gjykata sa herë është e nevojshme, për një periudhë prej 20 ditësh kur procedohet për krime dhe 40 ditësh kur procedohet për krime të rënda.
    Në vendimin e gjykatës për përgjimin e fshehtë, fotografik ose me video, ose për përgjimin e bisedave në vende private mund të autorizohet oficeri i policisë gjyqësore ose specialisti i kualifikuar për të hyrë në këto vende, në mënyrë të fshehtë, duke vepruar në përputhje me vendimin. Ky autorizim duhet të zbatohet brenda 15 ditëve.

    4. Për kryerjen e përgjimit, prokurori vepron vetë ose me anën e një oficeri të policisë gjyqësore.

    5. Në regjistrin që mbahet në prokurori shënohen aktet që urdhërojnë, autorizojnë, vleftësojnë ose zgjasin përgjimet, si dhe fillimin e mbarimin e veprimeve të çdo përgjimi.

  • Neni 222/a - Ankimi kundër vendimit që pranon përgjimin
  • (Shtuar me ligjin nr.9187, datë 12.2.2004)

    1. Kundër vendimit që pranon përgjimin mund të bëhet ankim brenda 10 ditëve nga i interesuari që ka ardhur në dijeni të përgjimit, për shkelje të kritereve të parashikuara në nenin 221.

    2. Ankimi shqyrtohet nga gjykata e apelit ose nga Prokurori i Përgjithshëm në rast se autorizimi është dhënë nga prokurori. Kur ankimi gjendet i drejtë, gjykata e apelit ose Prokurori i Përgjithshëm shfuqizojnë aktin që autorizon përgjimin dhe urdhërojnë fshirjen e çdo materiali të marrë nga përgjimi.

  • Neni 223 - Veprimet e përgjimit
  • (Ndryshuar pika 1 me ligjin nr.8813,datë 13.6.2002)
    (Shtuar paragrafi 1/1 me ligjin nr.9187, datë 12.2.2004)

    1. Veprimet e përgjimit mund të kryhen vetëm me anën e pajisjeve të instaluara në vende të caktuara, të autorizuara e të kontrollura nga prokurori i rrethit.

    1/l. Kur njëri nga kushtet e përgjimit nuk ekziston më, oficeri i policisë gjyqësore njofton menjëherë prokurorin, i cili urdhëron ndalimin e përgjimit dhe vë në dijeni gjykatën, kur urdhri është dhënë nga gjykata.

    2. Komunikimet e përgjuara regjistrohen dhe për veprimet e kryera mbahet procesverbal.
    Në procesverbal transkriptohet përmbajtja e komunikimeve të përgjuara.

    3. Procesverbalet dhe regjistrimet i dorëzohen menjëherë prokurorit dhe brenda pesë ditëve nga mbarimi i veprimeve ato depozitohen në sekretari bashkë me aktet që kanë urdhëruar, autorizuar, vleftësuar dhe zgjatur përgjimin. Kur nga depozitimi mund të dëmtohen hetimet, gjykata autorizon prokurorin që ta shtyjë depozitimin deri në përfundimin e hetimeve paraprake.

    4. Mbrojtësit dhe përfaqësuesit e palëve lajmërohen menjëherë për depozitimin në sekretari dhe për të drejtën që kanë për të shqyrtuar aktet e për të dëgjuar regjistrimet. Gjykata, pasi dëgjon prokurorin dhe mbrojtësit, vendos për heqjen e regjistrimeve dhe të procesverbaleve, përdorimi i të cilave ndalohet.

    5. Gjykata urdhëron transkriptimin e plotë të regjistrimeve që duhen marrë. Transkriptimet futen në fashikullin e gjykimit. Mbrojtësit mund të nxjerrin kopje të transkriptimeve.

    Ligji nr. 8750, datë 26.3.2001
    Në bazë të ligjit nr. 8750, datë 26.3.2001 “Për parandalimin dhe luftën ndaj trafikut të substancave narkotike ose psikotrope”: oficeri dhe agjenti i Policisë Gjyqësore, i shërbimit të luftës kundër drogës ose personi i autorizuar prej tyre mund të ngarkohen për të kryer “blerjen e stimuluar” të substancave narkotike ose psikotrope, substanca kimike bazë e prekursore, duke fshehur bashkëpunimin me policinë ose cilësinë e tij si punonjës policie. Ata pajisen me dokumente identifikimi, të cilat përmbajnë gjeneralitete të pavërteta.
    “Blerja e stimuluar” bëhet me autorizim të Prokurorit të Përgjithshëm, të prokurorit që ka filluar procedimin penal ose të prokurorit që ka juridiksion territorin ku do të zhvillohet ky veprim dhe ka për qëllim grumbullimin e provave, identifikimin dhe arrestimin e personave të përfshirë në trafikun e drogës.
    Punonjësit e Shërbimit Qendror të Luftës Kundër Drogës, në cilësinë e oficerit dhe agjentit të Policisë Gjyqësore, kanë të drejtë të bëjnë interceptime të bisedave dhe të komunikimeve me mjete teknike e shkencore, të bëjnë vëzhgime, fotografime e filmime sekrete, sipas rregullave të caktuara në Kodin e e Procedurës Penale. Për interceptimet duhet të zbatohen rregullat e parashikuara në nenet 221 deri 226 të Kodit të Procedurës Penale.
    Filmimet dhe fotografimet që bëhen në rastin e blerjes së stimuluar të lëndëve narkotike apo në raste të tjera duhet të pranohen si provë në përputhje me nenin 151 të Kodit të Procedurës Penale që thotë: “Kur kërkohet një provë që nuk rregullohet me ligj, gjykata mund ta marrë në qoftë se ajo vlen për të vërtetuar faktet dhe nuk cenon lirinë e vullnetit të personit.”

  • Neni 224 - Ruajtja e dokumentacionit
  • (Shtuar pika 2 me ligjin nr.9187, datë 12.2.2004)

    1. Procesverbalet dhe regjistrimet ruhen pranë prokurorisë që ka urdhëruar përgjimin derisa vendimi të marrë formë të prerë, me përjashtim të atyre që ndalohet përdorimi. Por, kur ky dokumentacion nuk është i nevojshëm, të interesuarit mund të kërkojnë asgjësimin e tij. Mbi këtë kërkesë vendos gjykata që ka bërë vleftësimin e përgjimit. Asgjësimi bëhet nën kontrollin e gjyqtarit dhe për veprimin mbahet procesverbal.

    2. Kur prokurori vendos pushimin e çështjes, duhet të njoftojë për këtë vendim, me shkrim, gjykatën. Gjykata vendos për asgjësimin e procesverbaleve dhe regjistrimeve në afatin e caktuar prej saj dhe vë në dijeni personin e përgjuar. Me kërkesë të prokurorit, ky njoftim mund të mos bëhet në rastet kur ka rrezik për jetën ose shëndetin e të tjerëve, ose kur vihet në rrezik një hetim i nisur.

  • Neni 225 - Përdorimi i rezultateve të përgjimit në procedimet e tjera
  • (Ndryshuar me ligjin nr.8813,datë 13.6.2002)

    1. Rezultatet e përgjimit mund të përdoren në procedime të tjera vetëm kur janë të domosdoshme për hetimin e krimeve. Në këto raste, procesverbalet dhe regjistrimet e përgjimeve depozitohen pranë organit tjetër që procedon.

  • Neni 226 - Ndalimi i përdorimit
  • 1. Rezultatet e përgjimit nuk mund të përdoren kur janë bërë jashtë rasteve të lejuara nga ligji ose kur nuk janë respektuar dispozitat e këtij seksioni.

    2. Nuk mund të përdoren përgjimet e bisedave ose të komunikimeve të atyre që janë të detyruar të ruajnë sekretin për shkak të profesionit apo detyrës, me përjashtim të rasteve kur këta persona kanë deponuar mbi të njëjtat fakte ose i kanë përhapur në ndonjë mënyrë tjetër.

    3. Gjykata urdhëron asgjësimin e dokumentacionit të përgjimeve që ndalohet të përdoren, me përjashtim të rasteve kur përbëjnë provë materiale.