strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

KREU II - CAKTIMI DHE ZBATIMI I MASAVE TË SIGURIMIT

  • Neni 244 - Kërkesa për caktimin e masave të sigurimit
  • (Shtuar pika 3 me ligjin nr.8813,datë 13.6.2002)

    1. Masat e sigurimit vendosen me kërkesën e prokurorit, i cili i paraqet gjykatës kompetente arsyet ku bazohet kërkesa.

    2. Edhe kur gjykata deklaron moskompetencën e vet për çdo lloj shkaku, në qoftë se janë kushtet dhe ekziston urgjenca për marrjen e masës ajo vendos marrjen e saj dhe i dërgon aktet gjykatës kompetente.

    3. Gjykata nuk mund të caktojë një masë sigurimi më të rëndë se ajo e kërkuar nga prokurori.

    Vendimi i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë nr. 1, datë 8.1.2001
    Për rastin kur vepra penale është kryer jashtë shtetit nga një shtetas shqiptar, masa e sigurimit caktohet nga gjykata që është kompetente për të proceduar sipas nenit 77 të Kodit të Procedurës Penale. Lidhur me këtë, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, duke shqyrtuar ankimin e të pandehurit E.D. që kishte kryer një krim në Greqi dhe pretendonte moskompetencën e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor të Beratit për caktimin e masës së sigurimit, me vendimin nr. 1, datë 8.1.2001, ka arsyetuar: “ Neni 77 i Kodit të Procedurës Penale përcakton se gjykata kompetente për të proceduar ndaj një personi që ka kryer një krim jashtë shtetit është gjykata e vendqëndrimit të të pandehurit. Pavarësisht se i pandehuri banon në Greqi, vendqëndrimi aktual i tij pas kthimit nga ai shtet ka qenë në Berat… Procedimi i tij në shtetin grek nuk ka përfunduar me vendim të formës së prerë dhe kjo tregon legjitimimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor të Beratit për vendimin e dhënë.”

  • Neni 245 - Vendimi i gjykatës
  • 1. Vendimi që cakton masën e sigurimit përmban:
    a) gjeneralitetet e personit ndaj të cilit merret masa ose çdo gjë tjetër që vlen për ta identifikuar atë dhe, kur është e mundshme, tregimin e vendit ku ndodhet;
    b) parashtrimin përmbledhës të fakteve, duke treguar nenet e ligjit që konsiderohen të shkelura;
    c) parashtrimin e shkaqeve të posaçme dhe të të dhënave që përligjin masën e sigurimit;.
    ç) caktimi i kohëzgjatjes së masës, kur ajo është urdhëruar për të garantuar marrjen ose vërtetësinë e provës;
    d) datën, nënshkrimin e kryetarit, të sekretarit që e asiston dhe vulën e gjykatës.

    ______________________________________________

    Vendimet nr. 457, datë 20.7.2001 dhe nr.170, datë 14.8.2000 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë
    Duke sqaruar kuptimin e nenit 245 të Kodit të Procedurës Penale, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, në vendimin nr.457, datë 20.7.2001, ka shfuqizuar vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor të Beratit dhe ka urdhëruar lirimin e menjëhershëm të të arrestuarit S.S., me arsyetimin: “Gjykata ka gabuar kur ka vendosur arrestimin me afat 20 ditor, duke mos pasur në konsideratë kërkesat e nenit 245 të Kodit të Procedurës Penale. Sipas këtij neni, gërma “ç”, masa e sigurimit me arrest në burg mund të caktohet me afat vetëm atëherë kur ajo është urdhëruar për të garantuar marrjen ose vërtetësinë e provës… Gjykata arsyeton se masa e sigurimit duhet dhënë me afat “për të verifikuar deri në fund pretendimet e të arrestuarit dhe për faktin se këto prova nuk janë shumë të plota”. Një arsyetim i tillë, vazhdon vendimi i Kolegjit, nuk lidhet fare me konceptin e masës së sigurimit me kohëzgjatje të caktuar që parashikon neni 245 gërma “ç” i Kodit të Procedurës Penale.”
    Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, në vendimin nr.170, datë 14.8.2000, ka theksuar: “Sipas nenit 245 gërma “ç” të Kodit të Procedurës Penale, përcaktohet kohëzgjatja e masës së sigurimit vetëm atëherë kur ajo është urdhëruar për të garantuar marrjen e një prove ose vërtetësinë e saj.
    Aplikimi i kësaj mase është gjithmonë i lidhur me rastet kur prova … nuk do të arrihej të merrej ose nuk do të garantohej vërtetësia e saj në rast se i pandehuri nuk do të ishte siguruar me një masë sigurimi.”
    ______________________________________________

  • Neni 246 - Zbatimi i masave të sigurimit
  • (Ndryshuar pika “2” dhe “6” me ligjin nr.8813, datë 13.6.2002)

    1. Oficeri ose agjenti i policisë i ngarkuar me zbatimin e vendimit të arrestit i dorëzon personit ndaj të cilit është marrë masa kopjen e vendimit dhe i bën të njohur të drejtën që të zgjedhë një mbrojtës, njofton menjëherë mbrojtjen e zgjedhur nga i pandehuri ose të caktuar kryesisht dhe mban proçesverbal për të gjitha veprimet e kryera. Procesverbali i dërgohet gjykatës që ka dhënë vendimin dhe prokurorit.

    2. Në rast se dyshohet për vërtetësinë e vendimit që ka caktuar masën e sigurimit ose për vërtetësinë e identitetit të personit ndaj të cilit është dhënë masa, oficerët dhe agjentët e policisë gjyqësore të ngarkuar nuk e zbatojnë atë.

    3. Vendimet për masat e tjera të sigurimit i njoftohen të pandehurit nga gjykata.

    4. Pas njoftimit ose zbatimit të tyre, vendimet depozitohen në sekretarinë e gjykatës që i ka dhënë. Për depozitimin njoftohen edhe mbrojtësit.

    5. Kopja e vendimit, me të cilin është caktuar një masë ndaluese i dërgohet organit që është kompetent për të vendosur caktimin e një mase të tillë në rastet e zakonshme.

    6. Çdo dy muaj nga zbatimi i vendimit të arrestit, gjykata që ka dhënë vendimin duhet të informohet nga prokurori për të arrestuarin. Informacioni jepet me shkrim dhe përmban të dhëna për gjendjen e procedimit, për pyetjen e të pandehurit dhe të personave të tjerë, për përshkrimin e të dhënave të marra dhe shoqërohet me kopje të akteve të fashikullit. Kur është rasti, gjykata mund të revokojë ose të zëvendësojë masën e sigurimit.

  • Neni 247 - Kërkimi i personit që nuk gjendet
  • 1. Kur personi ndaj të cilit është marrë masa nuk gjendet, oficeri ose agjenti i policisë gjyqësore mban procesverbal, në të cilin tregon kërkimet e bëra dhe ia dërgon atë gjykatës që ka dhënë vendimin.

    2. Kur gjykata çmon se kërkimet janë bërë të plota, deklaron ikjen e personit.

    3. Me aktin që deklaron ikjen, gjykata i cakton personit që ka ikur një mbrojtës dhe urdhëron që të depozitohet në sekretari kopja e vendimit me të cilin është caktuar masa e zbatuar.

    4. Me të ikurin barazohet, për çdo efekt, i larguari nga vendi ku ruhet.

    5. Për të lehtësuar kërkimin e personit të ikur, gjykata mund të urdhërojë përgjimin e bisedave telefonike dhe të formave të tjera të komunikimit.

  • Neni 248 - Marrja në pyetje e personit të arrestuar
  • 1. Jo më vonë se tri ditë nga zbatimi i masës, gjykata e merr në pyetje personin për të cilin ka vendosur arrestin në burg ose në shtëpi.

    2. Nëpërmjet marrjes në pyetje gjykata verifikon kushtet e zbatimit të masës së arrestit dhe nevojat e sigurimit. Kur këto kushte nuk ekzistojnë, gjykata vendos revokimin ose zëvendësimin e masës.

    3. Në pyetjen e të arrestuarit marrin pjesë prokurori dhe mbrojtësi, të cilët lajmërohen nga sekretaria e gjykatës.

    4. Kur pyetja e të arrestuarit duhet të bëhet në gjykatën e një rrethi tjetër, gjykata kërkon që pyetja të bëhet nga një gjyqtar i asaj gjykate.

  • Neni 249 - Ankimi kundër masave të sigurimit
  • (Ndryshuar pika “1”, “”3, “5”, “9” me ligjin nr.8813, datë 13.6.2002)

    1. Brenda dhjetë ditëve nga zbatimi ose njoftimi i vendimit të gjykatës, në bazë të të cilit është marrë ose është refuzuar një masë sigurimi, prokurori, i pandehuri ose mbrojtësi i tij mund të bëjnë ankim në gjykatën më të lartë.

    2. Për të pandehurin e ikur afati fillon të ecë nga data e njoftimit të bërë sipas nenit 141.

    3. Kërkesa paraqitet në sekretarinë e gjykatës që ka dhënë vendimin e ankimuar, e cila detyrohet që brenda 5 ditëve të dorëzojë aktet në gjykatën që do të shqyrtojë ankimin.

    4. Data e caktuar për seancën i njoftohet prokurorit, të pandehurit dhe mbrojtësit të tij të paktën tri ditë përpara.

    5. Kërkesa shqyrtohet brenda 10 ditëve nga marrja në dorëzim e akteve.

    6. Gjykata vendos, sipas rastit, shfuqizimin, ndryshimin ose miratimin e vendimit, edhe për arsye të ndryshme nga ato që janë parashtruar ose nga ato që tregohen në pjesën arsyetuese të vendimit.

    7. Kur vendimi nuk shpallet ose nuk zbatohet brenda afatit të caktuar, akti në bazë të të cilit është marrë masa shtrënguese e humbet fuqinë.

    8. Kundër vendimit të gjykatës së apelit mund të bëhet rekurs për shkelje të ligjit në Gjykatën e Lartë.

    9. Me kalimin e gjashtë muajve nga zbatimi i vendimit të arrestit, i pandehuri dhe mbrojtësi i tij mund të bëjnë ankim në gjykatën më të lartë.

    10. Gjykata e Lartë vendos brenda pesëmbëdhjetë ditëve nga marrja e akteve.

    ______________________________________________
    Vendimi nr.6, datë 9.3.1999 i Gjykatës Kushtetuese

    Mosgjykimi i rekursit të drejtpërdrejtë brenda 10 ditëve nga Gjykata e Kasacionit (e Lartë) nuk përbën cenim të lirisë vetjake … , sepse vonesa është e përligjur me shqyrtimin e po kësaj çështjeje nga gjykata e apelit, po brenda 10 ditëve. Vendimi i gjykatës së rrethit u shfuqizua nga gjykata e apelit dhe Gjykata e Kasacionit nuk kishte çfarë të shqyrtonte më kur iu paraqit rekursi i dejtpërdrejtë. Veç kësaj, edhe pse kaloi afati i shqyrtimit të rekursit të drejtpërdrejtë, nuk mund të zbatohej neni 249 pika 7 për lirimin e të pandehurit, sepse brenda afatit 10 ditor ishte marrë një vendim nga gjykata e apelit që ishte kompetente për shqyrtimin e çështjes dhe që kishte caktuar si masë sigurimi ndaj V.A. arrestin pa afat.
    ______________________________________________

  • Neni 250 - Llogaritja e afateve të kohëzgjatjes së masave
  • 1. Efektet e paraburgimit fillojnë të ecin nga çasti i arrestimit ose i ndalimit.

    2. Kur i pandehuri është paraburgosur për një vepër penale tjetër, efektet e masës fillojnë të ecin nga dita në të cilën është njoftuar vendimi.

    3. Efektet e masave të tjera fillojnë të ecin nga çasti në të cilin vendimi është i njoftuar.

    4. Kur ndaj një të pandehuri janë dhënë disa vendime që caktojnë të njëjtën masë për të njëjtin fakt, afatet fillojnë të ecin nga dita në të cilën është zbatuar ose njoftuar i pari.