strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

KREU IV - REVOKIMI DHE SHUARJA E MASAVE TË SIGURIMIT

  • Neni 260 - Revokimi dhe zëvendësimi i masave të sigurimit
  • 1. Masat shtrënguese dhe ndaluese revokohen menjëherë kur del se mungojnë kushtet dhe kriteret e zbatimit të tyre.

    2. Kur nevojat e sigurimit zbuten ose kur masa e zbatuar nuk i përgjigjet më rëndësisë së faktit ose dënimit që mund të caktohet, gjykata e zëvendëson masën me një tjetër më të lehtë.

    3. Kur nevojat e sigurimit rëndohen, gjykata, me kërkesën e prokurorit, zëvendëson masën e zbatuar me një tjetër më të rëndë.

    4. Kërkesa e prokurorit ose e të pandehurit për revokim ose zëvendësimin e masës shqyrtohet nga gjykata brenda pesë ditëve nga depozitimi i saj. Kur është rasti gjykata vendos edhe kryesisht gjatë procedimit për sigurimin e provës ose gjatë gjykimit.

    _______________________________________________

    Vendimi nr. 478, datë 6.9.2001 i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë

    Duke u mbështetur në kushtet dhe kriteret për caktimin e masave të sigurimit, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, me vendimin nr.478, datë 6.9.2001, ka pranuar rekursin e prokurorit dhe ka vendosur ndryshimin e vendimit nr.64, datë 31.7.2001 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor të Pogradecit, duke zëvendësuar masën e arrestit në shtëpi me atë të arrestit në burg për të pandehurit R.K.dhe S.C. Në vendimin e Kolegjit analizohet rasti konkret dhe, pasi tregohen të metat e vendimit të gjykatës lidhur me caktimin e masës së sigurimit, arsyetohet: “Kjo masë duhet caktuar duke pasur parasysh shkallën e nevojave të sigurimit, rëndësinë e faktit, rrezikshmërinë e veçantë të veprës, si dhe mundësinë e ikjes së të pandehurit.”

    Vendimi nr.367, datë 3.11.2001 i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë

    Praktika gjyqësore ka pranuar se nevojat e sigurimit mund të zbuten edhe për shkak të gjendjes shëndetësore ose rrethanave familjare të të pandehurit, kur ato janë të tilla që paksojnë mundësitë e tij për të ikur apo për të kryer vepra të tjera penale. Por jo gjithmonë gjendja shëndetësore mund të jetë shkak për ndryshimin e masës së sigurimit. Lidhur me këtë, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, në vendimin nr. 367, datë 3.11.2001 ka arsyetuar: “Gjendja shëndetësore e të pandehurit është nën kujdesin e spitalit të burgut, i cili është një organ i ngarkuar me ligj për trajtimin e personave që presin apo kanë marrë një vendim dënimi nga gjykata dhe që janë në gjendje burgimi apo paraburgimi… Nuk ka rezultuar pamundësia e trajtimit të të pandehurit nga pikëpamja mjeksore nga personeli i spitalit të burgut apo nevoja për trajtim të specializuar e që nuk mund të ofrohet dot nga ky spital.”.

    Vendimi nr. 110, datë 23.2.2001 i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë

    Po si do të veprohet kur vendimi i gjykatës së shkallës së parë për pafajësinë e të pandehurit të paraburgosur dhe pavlefshëmërinë masës së sigurimit prishet nga gjykata e apelit ? Gjykata e Rrethit të Kolonjës, me vendimin nr.21, datë 8.9.2000, ka deklaruar të pafajshëm të pandehurit F.B. dhe A.V., si dhe ka deklaruar të pavlefshme masën e sigurimit të arrest në burg të marrë ndaj tyre. Gjykata e Apelit Korçë, me vendimin nr.116, datë 2.11.2000, ka vendosur prishjen e vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor të Kolonjës dhe e ka kthyer çështjen për rigjykim, pa u shprehur për masat e sigurimit.
    Kundër këtij vendimi kanë bërë rekurs të pandehurit, duke pretenduar se masat e sigurimit kanë rënë pasi gjykata e apelit nuk është shprehur për to. Kolegji Penal i Gjyaktës së Lartë, me vendimin nr.110, datë 23.2.2001, nuk e ka pranuar këtë pretendim dhe ka vendosur lënien në fuqi të vendimit të gjykatës së apelit, duke arsyetuar, midis të tjerave: “Në kundërshtim me sa pretendohet në rekurs se masat e sigurimit kanë rënë pasi gjykata e apelit nuk është shprehur për to dhe ato janë deklaruar të pavlefshme nga gjykata e rrethit, duhet pranuar se gjykata e apelit ka prishur në tërësi vendimin e gjykatës së rrethit nga del qartë se ka prishur edhe pjesën që bënë fjalë për deklarimin e pavlefshëm të masave të sigurimit arrest në burg.”

  • Neni 261 - Shuarja e masave të sigurimit
  • 1. Masat e sigurimit shuhen:
    a) kur për të njëjtin fakt dhe ndaj të njëjtit person është vendosur pushimi i çështjes ose është dhënë vendimi i pafajsisë;
    b) kur dënimi i caktuar shpallet i shuar ose i pezulluar me kusht;
    c) kur kohëzgjatja e paraburgimit të vuajtur është më e madhe se masa e dënimit të caktuar;
    ç) kur pas mbarimit të afatit të parashikuar nga neni 245, paragrafi 1 shkronja “ç” nuk është urdhëruar përsëritja, brenda kufijve të parashikuar nga nenet 264 dhe 267.

    2. Paraburgimi i urdhëruar gjatë hetimeve paraprake humbet fuqinë në qoftë se gjykata nuk procedon në marrjen në pyetje brenda afatit të parashikuar nga neni 248.

    3. Shuarja e masave të sigurimit nuk pengon ushtrimin e të drejtave që ligji i njeh gjykatës ose ndonjë autoriteti tjetër në zbatimin e dënimeve plotësuese ose të masave të tjera ndaluese.

  • Neni 262 - Pasojat e shuarjes së masave të sigurimit
  • 1. Kur arrestimi e humbet fuqinë, gjykata vendos lirimin e menjëhershëm të personit ndaj të cilit është marrë masa.

    2. Në rastet e humbjes së fuqisë së masave të tjera të sigurimit, gjykata vendos heqjen e menjëhershme të tyre.

  • Neni 263 - Afatet e kohëzgjatjes së paraburgimit
  • (Ndryshuar me ligjin nr.8570, datë 20.1.2000, neni 1)
    (Shtuar pika “7” e “8” me ligjin nr.8813, datë 13.6.2002)

    1. Paraburgimi e humbet fuqinë në qoftë se nga fillimi i zbatimit të tij kanë kaluar afatet e mëposhtme, pa u dorëzuar aktet në gjykatë:
    a) tre muaj, kur procedohet për kundërvajtje penale;
    b) gjashtë muaj, kur procedohet për krime që dënohen në maksimumin deri në dhjetë vjet burgim;
    c) dymbëdhjetë muaj, kur procedohet për krime që dënohen në minimum jo më pak se dhjetë vjet burgim ose me burgim të përjetshëm.

    2. Paraburgimi e humbet fuqinë në qoftë se nga dita e dorëzimit të akteve në gjykatë kanë kaluar afatet e mëposhtme, pa u dhënë vendimi i dënimit në shkallë të parë:
    a) dy muaj, kur procedohet për kundërvajtje penale;
    b) nëntë muaj, kur procedohet për krime që dënohen në maksimum deri në dhjetë vjet burgim;
    c) dymbëdhjetë muaj, kur procedohet për krime që dënohen në minimum jo më pak se dhjetë vjet burgim ose me burgim të përjetshëm.

    3. Paraburgimi e humbet fuqinë në qoftë se nga dita e dhënies së vendimit të dënimit në shkallë të parë kanë kaluar afatet e mëposhtme pa u dhënë vendimi i dënimit në gjykatën e apelit:
    a) dy muaj, kur procedohet për kundërvajtje penale;
    b) gjashtë muaj, kur procedohet për krime që dënohen në maksimumin deri në dhjetë vjet burgim;
    c) nëntë muaj, kur procedohet për krime që dënohen në minimum jo më pak se dhjetë vjet burgim ose me burgim të përjetshëm.

    4. Në rastin kur vendimi prishet nga Gjykata e Lartë dhe çështja i dërgohet gjykatës së shkallës së parë ose apelit, si dhe kur vendimi prishet nga gjykata e apelit dhe i dërgohet gjykatës së shkallës së parë, nga dita e dhënies së vendimit të Gjykatës së Lartë apo të apelit, fillojnë përsëri afatet e parashikuara, për secilën shkallë të procedimit.

    5. Në rast ikje të të pandehurit të paraburgosur, afatet fillojnë të ecin përsëri nga çasti në të cilin ai paraburgoset përsëri.

    6. Kohëzgjatja tërësore e paraburgimit, duke marrë parasysh edhe zgjatjen e parashikuar nga neni 264 pika 2, nuk mund të kalojë këto afate:
    a) dhjetë muaj, kur procedohet për kundërvajtje penale;
    b) dy vjet, kur procedohet për krime që dënohen në minimum deri në dhjetë vjet burgim;
    c) tre vjet, kur procedohet për krime që dënohen në maksimum jo më pak se dhjetë vjet burgim ose me burgim të përjetshëm.

    7. Kur në mbarim të afatit të paraburgimit prokurori i komunikon të pandehurit një akuzë të re, për të cilën parashikohen afate më të gjata paraburgimi se ato të akuzës së parë, ai i kërkon gjykatës të caktojë afatin e ri të paraburgimit. Gjykata vendos në seancë gjyqësore pasi të ketë dëgjuar palët.

    8. Kur akuza e re lidhet me një fakt të ri, që nuk dihej në fillim të procedimit, gjykata cakton një afat të ri, i cili fillon të llogaritet nga e para, ndërsa kur ndryshon vetëm cilësimi ligjor i veprës penale, gjykata cakton masën e sigurimit dhe fillimi i llogaritjes së afatit është ai i masës
    së mëparshme të sigurimit.

  • Neni 264 - Zgjatja e paraburgimit
  • (Ndryshuar pika 2 me ligjin nr.8570, datë 20.1.2000)

    1. Në çdo gjendje dhe shkallë të procedimit, kur është urdhëruar ekspertimi i gjendjes mendore të të pandehurit, afatet e paraburgimit zgjaten për kohën që është caktuar për kryerjen e ekspertimit. Zgjatja vendoset nga gjykata, mbi kërkesën e prokurorit, pasi dëgjohet mbrojtësi.
    Kundër vendimit mund të bëhet apel ose rekurs i drejtpërdrejtë në Gjykatën e Lartë.

    2.Gjatë hetimeve paraprake, prokurori mund të kërkojë zgjatjen e afateve të paraburgimit, që janë në mbarim e sipër, kur ekzistojnë nevoja të rëndësishme sigurimi dhe verifikimet veçanërisht komplekse e bëjnë të domosdoshme këtë zgjatje. Gjykata pasi dëgjon prokurorin dhe mbrojtësin merr vendim. Zgjatja mund të bëhet vetëm një herë dhe nuk mund të jetë më shumë se tre muaj.

    3. Kohëzgjatja e paraburgimit nuk mund të kalojë gjysmën e maksimales së dënimit të parashikuar për veprën penale që procedohet.

    _______________________________________________

    Vendimi nr. 187, datë 6.7.2000 i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë

    Në praktikë ka ndodhur që i pandehuri është mbajtur i paraburgosur edhe pse afatet janë plotësuar. Kështu p.sh., Gjykata e Rrethit Gjyqësor të Vlorës, me vendimin nr. 19, datë 14.10.1999, ka zgjatur afatin e paraburgimit për të pandehurin G.V., edhe pse afati ishte plotësuar dhe qe zgjatur një herë, me arsyetimin se “vepra për të cilën akuzohet i pandehuri është vepër që paraqet një rrezikshmëri të theksuar shoqërore”. Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë e ka prishur këtë vendim me vendimin e tij nr.187, datë 6.7.2000 dhe ka arsyetuar: “Afatet e paraburgimit janë parashikuar si garanci për mbrojtjen e të drejtave procedurale të të pandehurit, të cilat e detyrojnë organin procedues të përfundojë hetimin ose gjykimin e çështjes në një kohë të arsyeshme, por kurdoherë jo më vonë se maksimumi i kohës së parashikuar me ligj.
    Gjyakta është e detyruar t’i marrë në konsideratë këto afate, të cilat janë taksative në maksimumin e kohëzgjatjes së tyre dhe jo të bëjë vlerësime të tjera që ta çojnë atë në tejkalimin e tyre.”

  • Neni 265 - Pezullimi i afateve të paraburgimit
  • (Ndryshuar me ligjin nr. 8570, datë 20.1.2000, neni 3)

    1. Afatet e parashikuara nga neni 263 pezullohen me vendim të ankimueshëm të gjykatës:
    a) për kohën që shqyrtimi gjyqësor është pezulluar ose shtyrë për shkak të veprimeve apo kërkesave të padrejta të bëra nga i pandehuri ose mbrojtësi i tij, përveç rasteve kur kërkesa bëhet për marrjen e provës;
    b) për kohën që shqyrtimi gjyqësor është pezulluar ose shtyrë për shkak të mosparaqitjes ose të largimit të një a më shumë mbrojtësve, që lënë pa ndihmë një a më shumë të pandehur.

  • Neni 266 - Disponimet në rastet e lirimit nga burgu
  • 1. Ndaj të pandehurit të liruar nga burgu për shkak të mbarimit të afateve, gjykata, kur ekzistojnë ende arsyet për të cilat ishte vendosur paraburgimi, cakton masa të tjera sigurimi në qoftë se janë kushtet e kërkuara.

    2. Paraburgimi, kur është i nevojshëm, rivihet në fuqi:
    a) kur i pandehuri i ka shkelur me dashje urdhrat e dhëna në lidhje me një masë sigurimi të marrë në bazë të paragrafit 1, por gjithënjë kur ekzistojnë nevojat e sigurimit;
    b) me vendimin e dënimit, kur ekziston nevoja e sigurimit të parashikuar nga neni 228, paragrafi 3.

    3. Me rivënien në fuqi të paraburgimit, afatet fillojnë të ecin përsëri, por për efekt të llogaritjes së afatit të kohëzgjatjes së përgjithshme të paraburgimit mbahet parasysh edhe paraburgimi i vuajtur më parë.

    4. Oficerët dhe agjentët e policisë gjyqësore mund të ndalojnë të pandehurin, i cili, duke shkelur urdhrat që lidhen me një masë sigurimi të marrë në bazë të paragrafit 1, ka ikur.

    Zbatohen, për aq sa pajtohen, dispozitat mbi ndalimin e personit të dyshuar për veprën penale.

  • Neni 267 - Afatet e kohëzgjatjes maksimale të masave të tjera të sigurimit
  • 1. Masat shtrënguese, të ndryshme nga paraburgimi, e humbasin fuqinë kur nga fillimi i zbatimit të tyre ka kaluar një kohë e barabartë me dyfishin e afateve të parashikuara nga neni 263.

    2. Masat ndaluese e humbasin fuqinë kur kanë kaluar tre muaj nga fillimi i zbatimit të tyre.

    Kur ato janë marrë për arsye që të mos dëmtohen provat, gjykata mund të urdhërojë përsëritjen e tyre deri në kufijtë e parashikuar nga paragrafi 1.