Neni 263 - Afatet e kohëzgjatjes së paraburgimit

(Ndryshuar me ligjin nr.8570, datë 20.1.2000, neni 1)
(Shtuar pika “7” e “8” me ligjin nr.8813, datë 13.6.2002)

1. Paraburgimi e humbet fuqinë në qoftë se nga fillimi i zbatimit të tij kanë kaluar afatet e mëposhtme, pa u dorëzuar aktet në gjykatë:
a) tre muaj, kur procedohet për kundërvajtje penale;
b) gjashtë muaj, kur procedohet për krime që dënohen në maksimumin deri në dhjetë vjet burgim;
c) dymbëdhjetë muaj, kur procedohet për krime që dënohen në minimum jo më pak se dhjetë vjet burgim ose me burgim të përjetshëm.

2. Paraburgimi e humbet fuqinë në qoftë se nga dita e dorëzimit të akteve në gjykatë kanë kaluar afatet e mëposhtme, pa u dhënë vendimi i dënimit në shkallë të parë:
a) dy muaj, kur procedohet për kundërvajtje penale;
b) nëntë muaj, kur procedohet për krime që dënohen në maksimum deri në dhjetë vjet burgim;
c) dymbëdhjetë muaj, kur procedohet për krime që dënohen në minimum jo më pak se dhjetë vjet burgim ose me burgim të përjetshëm.

3. Paraburgimi e humbet fuqinë në qoftë se nga dita e dhënies së vendimit të dënimit në shkallë të parë kanë kaluar afatet e mëposhtme pa u dhënë vendimi i dënimit në gjykatën e apelit:
a) dy muaj, kur procedohet për kundërvajtje penale;
b) gjashtë muaj, kur procedohet për krime që dënohen në maksimumin deri në dhjetë vjet burgim;
c) nëntë muaj, kur procedohet për krime që dënohen në minimum jo më pak se dhjetë vjet burgim ose me burgim të përjetshëm.

4. Në rastin kur vendimi prishet nga Gjykata e Lartë dhe çështja i dërgohet gjykatës së shkallës së parë ose apelit, si dhe kur vendimi prishet nga gjykata e apelit dhe i dërgohet gjykatës së shkallës së parë, nga dita e dhënies së vendimit të Gjykatës së Lartë apo të apelit, fillojnë përsëri afatet e parashikuara, për secilën shkallë të procedimit.

5. Në rast ikje të të pandehurit të paraburgosur, afatet fillojnë të ecin përsëri nga çasti në të cilin ai paraburgoset përsëri.

6. Kohëzgjatja tërësore e paraburgimit, duke marrë parasysh edhe zgjatjen e parashikuar nga neni 264 pika 2, nuk mund të kalojë këto afate:
a) dhjetë muaj, kur procedohet për kundërvajtje penale;
b) dy vjet, kur procedohet për krime që dënohen në minimum deri në dhjetë vjet burgim;
c) tre vjet, kur procedohet për krime që dënohen në maksimum jo më pak se dhjetë vjet burgim ose me burgim të përjetshëm.

7. Kur në mbarim të afatit të paraburgimit prokurori i komunikon të pandehurit një akuzë të re, për të cilën parashikohen afate më të gjata paraburgimi se ato të akuzës së parë, ai i kërkon gjykatës të caktojë afatin e ri të paraburgimit. Gjykata vendos në seancë gjyqësore pasi të ketë dëgjuar palët.

8. Kur akuza e re lidhet me një fakt të ri, që nuk dihej në fillim të procedimit, gjykata cakton një afat të ri, i cili fillon të llogaritet nga e para, ndërsa kur ndryshon vetëm cilësimi ligjor i veprës penale, gjykata cakton masën e sigurimit dhe fillimi i llogaritjes së afatit është ai i masës
së mëparshme të sigurimit.