KREU I - DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

  • Neni 277 - Organet e ngarkuara për hetimet paraprake
  • (Shtuar pika “3” me ligjin nr. 8813, datë 13.6.2002)

    1. Prokurori dhe policia gjyqësore zhvillojnë, brenda kompetencave të caktuara, hetimet e nevojshme që lidhen me ushtrimin e ndjekjes penale.

    2. Prokurori drejton hetimet dhe ka në dispozicion policinë gjyqësore.

    3. Për veprat penale që gjykohen në shkallë të parë nga Gjykata e Lartë, procedohet nga Prokuroria e Përgjithshme.

  • Neni 278 - Kompetencat e gjykatës në hetimet paraprake
  • (Shtuar pika “2” me ligjin nr.8813, datë 13.6.2002)

    1. Gjatë hetimeve paraprake, për rastet e parashikuara nga ligji, mbi kërkesën e prokurorit, të pandehurit, të dëmtuarit dhe palëve private, vendos gjykata.

    2. Të gjitha veprimet e prokurorit gjatë hetimeve paraprake shqyrtohen nga i njëjti gjyqtar.

  • Neni 279 - Detyrimi për të ruajtur sekretin
  • 1. Veprimet hetimore janë sekrete derisa i pandehuri të mos ketë marrë dijeni për to. Në rast nevoje për vazhdimin e hetimeve prokurori mund të urdhërojë ruajtjen e sekretit për akte të veçanta deri në përfundim të hetimeve.

    2. Prokurori mund të lejojë, me vendim të arsyetuar, publikimin e akteve të veçanta ose të pjesëve të tyre. Aktet e publikuara depozitohen në sekretarinë e prokurorit.