strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

KREU II - MARRJA DIJENI PËR VEPRËN PENALE

  • Neni 280 - Marrja dijeni për veprën penale
  • 1. Prokurori dhe policia marrin dijeni për veprën penale me iniciativën e vet dhe me njoftimin e bërë nga të tjerët.

  • Neni 281 - Kallëzimi nga nëpunësit publikë
  • 1. Nëpunësit publikë, të cilët gjatë ushtrimit të detyrës ose për shkak të funksioneve a të shërbimit të tyre, marrin dijeni për një vepër penale që ndiqet kryesisht, detyrohen të bëjnë kallëzim me shkrim edhe kur nuk është individualizuar personi të cilit i atribuohet vepra penale.

    2. Kallëzimi i paraqitet prokurorit ose një oficeri të policisë gjyqësore.

    3. Kur, gjatë një procedimi civil ose administrativ, zbulohet një fakt që përbën vepër penale që ndiqet kryesisht, organi përkatës bën kallëzim te prokurori.

    4. Kallëzimi përmban elementet thelbësore të faktit, burimet e provës, gjeneralitetet, banimin dhe çdo gjë tjetër që vlen për identifikimin e personit të cilit i atribuohet fakti, të personit të dëmtuar dhe të atyre që janë në gjendje të sqarojnë rrethanat e faktit.

  • Neni 282 - Kallëzimi nga personeli mjekësor
  • 1. Personeli mjekësor që është i detyruar ligjërisht të bëjë kallëzim duhet ta paraqesë atë brenda dyzet e tetë orëve dhe t’ia dërgojë prokurorit ose çdo oficeri të policisë gjyqësore të vendit ku ka kryer ndërhyrjen ose ka dhënë ndihmën dhe kur ka rrezik nga vonesa, oficerit të policisë gjyqësore më të afërt.

    2. Kallëzimi nga personeli mjekësor tregon personin të cilit i është dhënë ndihma dhe, kur është e mundur, gjeneralitetet, banimin e tij dhe çdo gjë tjetër që vlen për ta identifikuar, si dhe rrethanat e faktit, mjetet me të cilat është kryer dhe pasojat që ka shkaktuar.

    3. Kur disa persona kanë dhënë ndihmën e tyre mjekësore për të njëjtin rast, të gjithë janë të detyruar të bëjnë kallëzim, me të drejtë që të përpilojnë dhe të nënshkruajnë një akt të vetëm.

  • Neni 283 - Kallëzimi nga ana e shtetasve
  • 1. Çdo person që ka marrë dijeni për një vepër penale që ndiqet kryesisht duhet ta kallëzojë atë. Në rastet e caktuara me ligj kallëzimi është i detyrueshëm.

    2. Kallëzimi i paraqitet prokurorit ose një oficeri të policisë gjyqësore me gojë ose me shkrim, personalisht ose nëpërmjet përfaqësuesit.

    3. Kallëzimet anonime nuk mund të përdoren, me përjashtim të rasteve të parashikuara nga neni 195.

  • Neni 284 - Ankimi
  • (Ndyshuar pika I me ligjin nr.8813, datë 13.6.2002)

    1. Për veprat penale të parashikuara nga nenet 89, 102 paragrafi i parë, 105, 106, 130, 239, 240, 241, 243, 264, 275 dhe 318 të Kodit Penal, ndjekja penale mund të fillojë vetëm me ankimin e të dëmtuarit, i cili mund ta tërheqë atë në çdo fazë të procedimit.

    2. Ankimi bëhet nga i dëmtuari te prokurori ose në policinë gjyqësore me anën e një deklarate, në të cilën personalisht ose nëpërmjet përfaqësuesit të posaçëm, shfaqet vullneti që të procedohet në lidhje me një fakt të parashikuar nga ligji si vepër penale.

    3. Kur ankimi bëhet me gojë procesverbali që mbahet për këtë qëllim nënshkruhet nga ankuesi ose përfaqësuesi i tij.

    4. Ai që merr ankimin sigurohet për identitetin e ankuesit dhe i dërgon aktet prokurorit.

    5. Për rastet e parashikuara nga neni 59, ankimi bëhet në gjykatë nga i dëmtuari akuzues.

  • Neni 285 - Heqja dorë nga e drejta e ankimit
  • 1. Heqja dorë nga e drejta e ankimit bëhet personalisht ose nëpërmjet përfaqësuesit me deklaratë të nënshkruar ose me gojë para prokurorit ose një oficeri të policisë gjyqësore, i cili mban procesverbal të nënshkruar detyrimisht nga deklaruesi.

    2. Heqja dorë me afat ose me kusht nuk është e vlefshme.

    3. Në të njëjtën deklaratë mund të bëhet heqja dorë edhe nga padia civile.

  • Neni 286 - Tërheqja e ankimit
  • 1. Tërheqja e ankimit bëhet personalisht ose nëpërmjet përfaqësuesit me deklaratë të paraqitur në organin që procedon.

    2. Tërheqja e ankimit mund të bëhet në çdo fazë të procedimit, gjersa vendimi i gjykatës nuk ka marrë formën e prerë.

    3. Shpenzimet e procedimit janë në ngarkim të atij që tërheq ankimin, përveçse kur në aktin e tërheqjes është parashikuar, me marrëveshje, që ato të jenë tërësisht ose pjesërisht në ngarkim të atij kundër të cilit është bërë ankimi.

  • Neni 287 - Regjistrimi i njoftimit të veprave penale
  • 1. Prokurori shënon në regjistër çdo njoftim të veprës penale që i vjen ose që ka marrë me iniciativën e vet dhe në të njëjtën kohë ose nga momenti në të cilin rezulton, emrin e personit të cilit i atribuohet vepra penale.

    2. Ndalohet publikimi i regjistrimeve të bëra deri në marrjen si të pandehur të personit që i atribuohet vepra penale.