strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

KREU III - KUSHTET E PROCEDIMIT

  • Neni 288 - Autorizimi për të proceduar
  • 1. Kur parashikohet autorizimi për procedim, prokurori bën kërkesë në organin përkatës.

    2. Kërkesa për të autorizuar procedimin duhet të paraqitet brenda tridhjetë ditëve nga shënimi në regjistër i emrit të personit për të cilin është i nevojshëm autorizimi. Kur ai është arrestuar në flagrancë, autorizimi kërkohet menjëherë dhe, sidoqoftë, para seancës së vleftësimit.

    Vendimi nr. 39, datë 23.6.2000 i Gjykatës Kushtetuese
    Në Kodin e Procedurës Penale nuk ështe bërë ndonjë dallim midis rastit kur autorizimi kërkohet për vepra penale që ndiqen kryesisht dhe atyre që ndiqen me kërkesën e të dëmtuarit akuzues, sipas nenit 59. Nisur nga fakti që prokurori merr pjesë edhe në gjykimin e këtyre veprave, është kuptuar se kërkesën për autorizim do ta bëjë ai në çdo rast.
    Por, Gjykata Kushtetuese, me vendimin nr.39, datë 23.6.2000, ka interpretuar paragrafin e dytë të nenit 73 të Kushtetutës, duke vendosur: “Për çështjet e parashikuara nga neni 59 i Kodit të Procedurës Penale, kërkesa për marrjen autorizim për ndjekjen penale të personave që gëzojnë imunitet i drejtohet Kuvendit të Republikës së Shqipërisë nga vetë gjykata pranë të cilës është depozituar kërkesa e të dëmtuarit akuzues.”
    Në vendimin e Gjykatës Kushtetues arsyetohet se për këto çështje “fillimi i ndjekjes penale është në kompetencë të gjykatës”,… “kërkesën për marrjen e autorizimit ka të drejtë ta bëjë vetëm gjykata, pa pasur nevojë për ndihmën ose ndërhyrjen e prokurorit”,… “Gjykata e zakonshme është i vetmi organ procedues për veprat penale që ndiqen mbi kërkesën e të dëmtuarit akuzues”,… “gjatë gjykimit të këtyre çështjeve prokurori nuk është palë në debatin gjyqësor”.

  • Neni 289 - Ndalimi për të kryer veprime
  • 1. Deri në dhënien e autorizimit për të proceduar nuk lejohet ndalimi, caktimi i masave të sigurimit, kontrollimet, këqyrja e personit, njohja, ballafaqimi dhe përgjimi i bisedimeve ose i komunikimit ndaj personit për të cilin kërkohet autorizimi. Ai mund të merret në pyetje vetëm nëse e kërkon vetë.

    2. Kur procedohet ndaj disa personave, për disa nga të cilët është i nevojshëm autorizimi dhe dhënia e këtij vonohet, mund të procedohet vetëm kundër të pandehurve për të cilët autorizimi nuk është i nevojshëm.

  • Neni 290 - Rrethanat që nuk lejojnë fillimin e procedimit
  • 1. Procedimi penal nuk mund të fillojë dhe, në qoftë se ka filluar, duhet të pushojë në çdo gjendje të procedimit, kur:
    a) personi ka vdekur;
    b) personi është i papërgjegjshëm ose nuk ka mbushur moshën për përgjegjësi penale;
    c) mungon ankimi i të dëmtuarit ose ai e tërheq ankimin;
    ç) kur fakti nuk parashikohet nga ligji si vepër penale ose kur del qartë që fakti nuk ekziston;
    d) vepra penale është shuar;
    dh) është dhënë amnisti;
    e) në të gjitha rastet e tjera të parashikuara nga ligji.

  • Neni 291 - Vendimi për mosfillimin e procedimit
  • 1. Kur ekzistojnë rrethanat që nuk lejojnë fillimin e procedimit, prokurori jep vendim të arsyetuar për mosfillimin e procedimit.

    2. Vendimi u njoftohet menjëherë atyre që kanë bërë kallëzim ose ankim, të cilët mund ta kundërshtojnë atë në gjykatë, brenda pesë ditëve nga njoftimi i vendimit.

  • Neni 292 - Rifillimi i ndjekjes penale
  • 1. Vendimi i mosfillimit të procedimit, i pushimit ose i pafajësisë, të dhënë për shkak të mungesës së ankimit për procedim ose të kërkesës së autorizimit për procedim, nuk pengojnë ushtrimin e ndjekjes penale për të njëjtin fakt dhe kundër të njëjtit person, në qoftë se më pas bëhet ankimi, jepet autorizimi ose zhduket kushti personal që e bënte të domosdoshëm autorizimin.