Neni 288 - Autorizimi për të proceduar

1. Kur parashikohet autorizimi për procedim, prokurori bën kërkesë në organin përkatës.

2. Kërkesa për të autorizuar procedimin duhet të paraqitet brenda tridhjetë ditëve nga shënimi në regjistër i emrit të personit për të cilin është i nevojshëm autorizimi. Kur ai është arrestuar në flagrancë, autorizimi kërkohet menjëherë dhe, sidoqoftë, para seancës së vleftësimit.

Vendimi nr. 39, datë 23.6.2000 i Gjykatës Kushtetuese
Në Kodin e Procedurës Penale nuk ështe bërë ndonjë dallim midis rastit kur autorizimi kërkohet për vepra penale që ndiqen kryesisht dhe atyre që ndiqen me kërkesën e të dëmtuarit akuzues, sipas nenit 59. Nisur nga fakti që prokurori merr pjesë edhe në gjykimin e këtyre veprave, është kuptuar se kërkesën për autorizim do ta bëjë ai në çdo rast.
Por, Gjykata Kushtetuese, me vendimin nr.39, datë 23.6.2000, ka interpretuar paragrafin e dytë të nenit 73 të Kushtetutës, duke vendosur: “Për çështjet e parashikuara nga neni 59 i Kodit të Procedurës Penale, kërkesa për marrjen autorizim për ndjekjen penale të personave që gëzojnë imunitet i drejtohet Kuvendit të Republikës së Shqipërisë nga vetë gjykata pranë të cilës është depozituar kërkesa e të dëmtuarit akuzues.”
Në vendimin e Gjykatës Kushtetues arsyetohet se për këto çështje “fillimi i ndjekjes penale është në kompetencë të gjykatës”,… “kërkesën për marrjen e autorizimit ka të drejtë ta bëjë vetëm gjykata, pa pasur nevojë për ndihmën ose ndërhyrjen e prokurorit”,… “Gjykata e zakonshme është i vetmi organ procedues për veprat penale që ndiqen mbi kërkesën e të dëmtuarit akuzues”,… “gjatë gjykimit të këtyre çështjeve prokurori nuk është palë në debatin gjyqësor”.