strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

KREU IV - VEPRIMTARIA ME INICIATIVË E POLICISË GJYQËSORE

  • Neni 293 - Referimi i veprës penale te prokurori
  • 1. Me marrjen e njoftimit për një vepër penale, policia gjyqësore, pa vonesë, i referon prokurorit, me shkrim, elementet thelbësore të faktit dhe elementet e tjera që janë mbledhur deri atëherë. Ajo njofton, kur është e mundur, edhe gjeneralitetet, banesën dhe çdo gjë që vlen për identifikimin e personit ndaj të cilit zhvillohen hetimet, të personit të dëmtuar dhe të atyre që janë në gjendje të tregojnë rrethanat e faktit.

    2. Kur ka urgjencë dhe në rastet e krimeve të rënda, njoftimi bëhet menjëherë edhe me gojë.

    3. Me njoftimin, policia gjyqësore tregon ditën dhe orën në të cilën ka marrë dijeni për veprën penale.

  • Neni 294 - Sigurimi i burimeve të provave
  • (Ndryshuar pika 2 me ligjin nr.9276, datë 16.9.2004)

    1. Edhe pas referimit të veprës penale policia gjyqësore vazhdon të kryejë funksionet e treguara në nenin 30, duke grumbulluar e fiksuar çdo element të vlefshëm për rindërtimin e faktit dhe për individualizimin e fajtorit. Ajo procedon sidomos:
    a) për kërkimin dhe fiksimin e sendeve dhe të gjurmëve të veprës penale, si dhe për ruajtjen e tyre dhe të vendit të ngjarjes për aq kohë sa kjo gjë është e domosdoshme;
    b) për kërkimin dhe pyetjen e personave që janë në gjendje të tregojnë rrethanat e faktit;
    c) për kryerjen e veprimeve të caktuara në nenet vijuese.

    2. Pas ndërhyrjes së prokurorit, Policia Gjyqësore kryen të gjitha veprimet e domosdoshme hetimore, si dhe çdo veprim të urdhëruar ose të deleguar nga prokurori.

    3. Policia gjyqësore, kur kryen veprime që kërkojnë njohuri të posaçme teknike, mund të caktojë ekspertë, të cilët nuk mund të refuzojnë detyrën e ngarkuar.

  • Neni 294/a - Veprimet simuluese
  • (Shtuar me ligjin nr.9187, datë 12.2.2004)

    1. Oficeri dhe agjenti i policisë gjyqësore ose personi i autorizuar prej tyre mund të ngarkohen për blerje të simuluar të sendeve, që rrjedhin nga një krim ose simulim i një akti korruptiv, ose të kryejnë veprime të tjera simuluese, për të zbuluar të dhëna financiare ose pronësie të një personi, për të cilin ka dyshime për kryerjen e një krimi, duke fshehur bashkëpunimin me policinë ose detyrën e tyre si punonjës policie.

    2. Këto veprime bëhen me autorizimin e prokurorit që kontrollon hetimet ose të prokurorit që ka në juridiksion territorin ku do të zhvillohet veprimi. Pas kryerjes së këtyre veprimeve, policia gjyqësore duhet t’i dorëzojë prokurorit të gjitha provat e mbledhura dhe një raport përmbledhës.

    3. Nuk duhet provokuar një akt kriminal, duke shtyrë një person të kryejë një krim, të cilin nuk do ta kishte kryer po të mos ishte ndërhyrja e policisë. Kur vërtetohet provokimi, rezultati nuk mund të përdoret.

  • Neni 294/b - Punonjësi i policisë i infiltruar
  • (Shtuar me ligjin nr.9187, datë 12.2.2004)

    1. Për qëllimet e zbulimit të krimeve të rënda, oficeri i policisë gjyqësore, me autorizimin e prokurorit, mund të futet në përbërjen e një grupi kriminal për të individualizuar pjesëtarët e grupit dhe për të mbledhur të dhënat e nevojshme për hetimin, duke fshehur bashkëpunimin me policinë ose detyrën e vet si punonjës policie.

    2. Punonjësi i policisë i infiltruar nuk duhet të provokojë një akt kriminal, i cili, pa ndërhyrjen e tij, nuk do të ishte kryer. Kur vërtetohet provokimi, rezultati nuk mund të përdoret.

    3. Autorizimi i prokurorit duhet të përcaktojë afatin e infiltrimit, që mund të zgjatet nga prokurori deri në gjashtë muaj dhe hapësirën e lejueshme për punonjësin e infiltruar, duke treguar, sipas rastit, veprimet e paligjshme që mund të kryejë ai, pa rrezikuar jetën e të tjerëve.

    4. Punonjësi i policisë i infiltruar mund të pyetet si dëshmitar.

  • Neni 295 - Identifikimi i personit ndaj të cilit zhvillohen hetimet
  • 1. Për identifikimin e personit ndaj të cilit zhvillohen hetimet policia gjyqësore kryen të gjitha veprimet e nevojshme, duke përfshirë edhe rilevimet daktiloskopike, fotografike dhe antropometrike.

    2. Kur ai refuzon të identifikohet ose jep gjeneralitete apo dokumente identifikimi që dyshohet se janë të rreme, policia gjyqësore e shoqëron në zyrat e saj dhe e mban atje për aq kohë sa është e domosdoshme për identifikimin, por jo më tepër se dymbëdhjetë orë.

    3. Për shoqërimin dhe lirimin vihet menjëherë në dijeni prokurori.

  • Neni 296 - Të dhëna mbi personin ndaj të cilit zhvillohen hetimet
  • 1. Oficerët e policisë gjyqësore marrin të dhëna nga personi ndaj të cilit zhvillohen hetimet në praninë e detyrueshme të mbrojtësit të tij. Kur mbrojtësi nuk është gjetur ose nuk është paraqitur, policia gjyqësore kërkon nga prokurori që të caktojë një mbrojtës tjetër.

    2. Në vendin e ngjarjes ose në veprat penale të dukshme oficerët e policisë gjyqësore, edhe pa praninë e mbrojtësit, mund të marrin nga personi ndaj të cilit zhvillohen hetimet, qoftë edhe i arrestuar në flagrancë ose i ndaluar, të dhëna të nevojshme për vazhdimin e hetimeve.

    3. Policia gjyqësore mund të marrë deklarata nga personi ndaj të cilit zhvillohen hetimet, por nuk lejohet përdorimi i tyre në gjykim, me përjashtim të rastit kur kundërshtohet përmbajtja e deponimit të bërë para gjykatës.

  • Neni 297 - Marrja e të dhënave të tjera
  • 1. Policia gjyqësore merr të dhëna nga personat që mund të tregojnë rrethana të dobishme për qëllimet e hetimit.

    2. Zbatohen dispozitat e neneve 155 deri 160.

  • Neni 298 - Kontrollimet
  • 1. Në rast flagrance ose në rast ndjekje të personit që është duke ikur oficerët e policisë gjyqësore kryejnë kontrollin e personit ose të lokalit kur kanë arsye të bazuara të mendojnë se mbi personin gjenden të fshehura sende ose gjurmë të veprës penale që mund të zhduken a të humbasin ose që këto sende a gjurmë ndodhen në një vend të caktuar ose atje ku gjendet personi nën hetim ose i ikur.

    2. Kur duhet të kryhet një ndalim, të ekzekutohet një vendim arresti ose një vendim dënimi me burgim, oficerët e policisë gjyqësore mund të bëjnë kontrollin e personit ose të lokalit, kur ekzistojnë kushtet e treguara në paragrafin 1 dhe ka arsye të veçanta urgjence që nuk lejojnë nxjerrjen e një vendimi kontrolli. Kur vonesa mund të dëmtojë përfundimin e suksesshëm të hetimeve, kontrolli i banesës mund të bëhet edhe jashtë kohës së parashikuar në nenin 206.

    3. Procesverbali i veprimeve të kryera i dërgohet pa vonesë, por jo më vonë se dyzet e tetë orë, prokurorit të vendit ku është bërë kontrolli, i cili brenda dyzet e tetë orëve vijuese vleftëson kontrollimin.

  • Neni 299 - Marrja e plikove dhe e korrespondencës
  • 1. Kur është e nevojshme për qëllimet e procedimit që të merren pliko të vulosura ose të mbyllura me ndonjë mënyrë tjetër, oficeri i policisë gjyqësore ia dërgon ato prokurorit të paprekura për sekuestro eventuale. Në qoftë se ka shkaqe të bazuara për të menduar se plikot përmbajnë të dhëna që mund të humbasin për shkak të vonesës, oficeri i policisë gjyqësore informon me mjetin më të shpejtë prokurorin, i cili mund të autorizojë hapjen e menjëhershme.

    2. Për letrat, zarfat, pakot, vlerat monetare e pasurore, telegramet ose mjetet e tjera të korrespondencës, për të cilat lejohet sekuestroja, oficerët e policisë gjyqësore, në raste të ngutshme, urdhërojnë atë që kryen shërbimin postar të pezullojë dërgimin. Në qoftë se brenda dyzet e tetë orëve nga urdhri i policisë gjyqësore prokurori nuk vendos sekuestron, objektet e korrespondencës dërgohen në destinacion.

  • Neni 299/a - Ruajtja e përshpejtuar dhe mirëmbajtja e të dhënave kompjuterike
  • (Shtuar me ligjin nr. 10054, datë 29.12.2008)

    1. Prokurori mund të urdhërojë ruajtjen e përshpejtuar të të dhënave kompjuterike të caktuara, duke përfshirë të dhënat e trafikut, kur ka shkaqe të mjaftueshme për të besuar se të dhënat mund të humbasin, dëmtohen ose ndryshohen.

    2. Në rastin kur të dhënat kompjuterike janë në zotërim ose në kontroll të një personi, prokurori mund ta urdhërojë këtë person t’i ruajë dhe t’i mirëmbajë këto të dhëna kompjuterike, për një periudhë deri në 90 ditë, me qëllim zbulimin dhe nxjerrjen e tyre. Ky afat, për shkaqe të arsyeshme, mund të zgjatet vetëm një herë.

    3. Personi i ngarkuar për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e të dhënave kompjuterike detyrohet të mbajë sekret procedurat dhe veprimet e kryera, sipas pikës 2 të këtij neni, deri në përfundim të hetimeve.

  • Neni 299/b - Ruajtja e përshpejtuar dhe zbulimi i pjesshëm i të dhënave kompjuterike
  • (Shtuar me ligjin nr. 10054, datë 29.12.2008)

    Personi i ngarkuar me ruajtjen e përshpejtuar të të dhënave të trafikut detyrohet të marrë të gjitha masat e nevojshme, për të garantuar se të dhënat e ruajtura janë të vlefshme, pavarësisht nëse një apo më tepër dhënës shërbimesh kanë qenë të përfshirë në transmetimin e komunikimit, si dhe t’i sigurojë prokurorisë ose oficerit të policisë gjyqësore, të autorizuar, zbulimin e një sasie të mjaftueshme të të dhënave të trafikut, në mënyrë që të mundësohet identifikimi i dhënësit të shërbimit dhe shtegu, nëpërmjet të cilit komunikimi është transmetuar.

  • Neni 300 - Verifikimet e ngutshme në vend
  • 1. Oficerët dhe agjentët e policisë gjyqësore marrin masa që gjurmët dhe sendet që i përkasin veprës penale të fiksohen e të ruhen dhe që gjendja e vendngjarjes dhe e sendeve të mos ndryshojnë para ndërhyrjes së prokurorit, kur ai ka njoftuar se do të marrë pjesë.

    2. Kur ka rrezik që gjurmët dhe sendet të ndryshojnë ose të humbasin dhe prokurori nuk mund të ndërhyjë urgjentisht, oficerët e policisë gjyqësore kryejnë veprimet hetimore të domosdoshme dhe, kur është rasti, sekuestrojnë provat materiale dhe sendet që lidhen me veprën penale.

  • Neni 301 - Vleftësimi i sekuestros
  • 1. Kur vë sekuestron, sipas nenit 300, policia gjyqësore shënon në procesverbal shkakun dhe i dorëzon një kopje të aktit personit, të cilit i janë sekuestruar sendet. Procesverbali i dërgohet pa vonesë dhe sidoqoftë jo më vonë se dyzet e tetë orë, prokurorit të vendit ku është zbatuar sekuestroja.

    2. Prokurori, brenda dyzet e tetë orëve të ardhshme, me vendim të motivuar vleftëson sekuestron, në qoftë se ekzistojnë kushtet, ose vendos kthimin e sendeve të sekuestruara. Kopja e vendimit i njoftohet personit të cilit i janë sekuestruar sendet. Kundër tij mund të bëhet ankim në gjykatë brenda dhjetë ditëve nga i pandehuri dhe mbrojtësi i tij, nga personi të cilit i janë sekuestruar sendet dhe ai që ka të drejtë t’i kthehen ato. Ankimi nuk pezullon zbatimin e sekuestros.

  • Neni 302 - Ndihma e mbrojtësit
  • 1. Mbrojtësi i personit ndaj të cilit zhvillohen hetimet ka të drejtë të asistojë, pa patur të drejtën që të lajmërohet që më parë, në kontrollimet dhe verifikimet e ngutshme në vend, përveç rasteve të hapjes së menjëhershme të plikos të autorizuar nga prokurori.

  • Neni 303 - Dokumentimi i veprimeve të policisë gjyqësore
  • 1. Policia gjyqësore dokumenton, qoftë edhe në formë të përmbledhur, të gjitha veprimet e kryera.

    2. Policia gjyqësore mban procesverbal për:
    a) kallëzimet dhe ankimet e paraqitura me gojë;
    b) të dhënat përmbledhëse dhe deklarimet e marra nga personi ndaj të cilit zhvillohen hetimet;
    c) të dhënat e marra nga personat që mund të tregojnë rrethana të dobishme për qëllimet e hetimit;
    ç) këqyrjet, njohjet, kontrollimet dhe sekuestrimet;
    d) aktet për identifikimin dhe njohjen e personit ndaj të cilit zhvillohen hetimet, për marrjen e plikove ose të korrespondencës dhe për vënien e sekuestros;
    e) veprimet hetimore të deleguara nga prokurori.

    3. Dokumentacioni i veprimeve të policisë gjyqësore, provat materiale dhe sendet që lidhen me veprën penale vihen në dispozicion të prokurorit.