strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

KREU VIII - PËRFUNDIMI I HETIMEVE

  • Neni 327 - Veprimet e policisë gjyqësore dhe të prokurorit
  • 1. Pasi kryen veprimet e nevojshme hetimore, policia gjyqësore i dërgon aktet prokurorit bashkë me një relacion shpjegues për faktin dhe provat, si dhe me sugjerimet e veta për mënyrën e përfundimit të hetimeve.

    2. Prokurori, pasi shqyrton aktet dhe sigurohet që i pandehuri ose mbrojtësi është njohur me to vendos, sipas rastit, pushimin e çështjes ose dërgimin e saj në gjykatë.

  • Neni 328 - Pushimi i çështjes
  • (Shtuar pika 1 me ligjin 8460, datë 11.2.1999)

    1. Në çdo fazë të procedimit, prokurori vendos pushimin e akuzës ose çështjes kur:
    a) del qartë se fakti nuk ekziston;
    b) fakti nuk parashikohet nga ligji si vepër penale;
    c) i dëmtuari nuk ka bërë ankim ose heq dorë nga ankimi në rastet që procedimi fillon me kërkesën e tij;
    ç) personi nuk mund të merret si i pandehur ose nuk mund të dënohet;
    d) ekziston një shkak që e shuan veprën penale ose për të cilin ndjekja penale nuk duhej të fillohej ose nuk duhet të vazhdojë;
    dh) del se i pandehuri nuk e ka kryer veprën ose nuk provohet që e ka kryer ai;
    e) me vendim të formës së prerë i pandehuri është gjykuar për të njëjtën vepër penale;
    ë) i pandehuri vdes;
    f) në rastet e tjera të parashikuara me ligj.

  • Neni 329 - Ankimi kundër vendimit të pushimit të çështjes
  • (Shtuar pika 1 me ligjin nr.8460, datë 11.2.1999, neni 5)

    1. Kundër vendimit të pushimit të akuzës ose të çështjes mund të bëjnë ankim në gjykatën e rrethit gjyqësor i dëmtuari dhe i pandehuri, përveçse kur me vendim është deklaruar se fakti nuk ekziston.

    2. Gjykata, kur e gjen të drejtë ankimin e të dëmtuarit vendos që hetimet të vazhdojnë, ndërsa kur pranon ankimin e të pandehurit ndryshon vendimin e pushimit me formulim më të favorshëm për të pandehurin.

    3. Kundër vendimit të gjykatës mund të bëhet ankim në gjykatën e apelit nga prokurori, i dëmtuari dhe i pandehuri.

  • Neni 330 - Detyrimi i ankuesit me shpenzimet dhe dëmet
  • 1. Kur pushimi i çështjes bëhet për shkak se fakti nuk ekziston, personi i dëmtuar, me ankimin e të cilit ka filluar procedimi, ngarkohet me pagimin e shpenzimeve të procedimit të bëra nga shteti.

    2. Ankuesi ngarkohet edhe me shpenzimet e bëra nga i pandehuri dhe i padituri civil, kur ata i kërkojnë këto, si dhe me shpërblimin e dëmit.

    3. Kur çështja është pushuar për shkak të tërheqjes së ankimit, shpenzimet i ngarkohen ankuesit, përveç rastit që në aktin e tërheqjes është parashikuar me marrëveshje që ato të jenë tërësisht ose pjesërisht në ngarkim të atij kundër të cilit është bërë ankimi.

    4. Shpenzimet dhe dëmet caktohen nga prokurori. Kundër vendimit të tij mund të bëjnë ankim në gjykatë, i dëmtuari, i pandehuri dhe i padituri civil.

  • Neni 331 - Dërgimi i çështjes në gjykatë
  • 1. Kur ka prova të plota për fajësinë e të pandehurit, prokurori paraqet kërkesën për gjykimin e çështjes.

    2. Kërkesa për gjykim përmban:
    a) gjeneralitetet e të pandehurit dhe të dëmtuarit nga vepra penale;
    b) parashtrimin e faktit, duke treguar nenet përkatëse të Kodit Penal;
    c) burimet e provës dhe faktet që ato u referohen;
    ç) datën dhe nënshkrimin e prokurorit.

    3. Kërkesa u njoftohet të pandehurit dhe të dëmtuarit.

  • Neni 332 - Fashikulli i gjykimit
  • 1. Kërkesës së prokurorit për gjykimin e çështjes i bashkohen:
    a) aktet që i përkasin kallëzimit të veprës penale dhe kërkesës për pranimin e padisë civile;
    b) procesverbalet e veprimeve të papërsëritshme të kryera nga policia gjyqësore dhe prokurori;
    c) aktet për marrjen e masave të sigurimit;
    ç) procesverbalet e veprimeve të kryera për sigurimin e provës dhe të atyre të plotësuara jashtë shtetit në bazë të letërporosisë;
    d) dëshmia e penalitetit dhe dokumente të tjera që lidhen me personalitetin e të pandehurit;
    dh) provat materiale dhe sendet që i përkasin veprës penale, kur nuk duhet të ruhen në vend tjetër;
    e) procesverbalet për veprimet e këqyrjes, njohjes dhe eksperimentit;
    ë) raportet me shkrim të ekspertëve;
    f) procesverbalet e provës të procedimeve të tjera të lidhura;
    g) procesverbalet dhe regjistrimet e përgjimit të bisedimeve dhe komunikimeve;
    gj) çdo akt tjetër që parashikohet në ligj.

    2. Kopjet e këtyre akteve dhe provat e tjera të marra gjatë hetimeve paraprake qëndrojnë në fashikullin e prokurorit.