Neni 361 - Pyetja e dëshmitarëve

(Shtuar pika “7 “ me ligjin nr.9276, datë 16.9.2004)

1. Pyetja e dëshmitarëve bëhet fillimisht nga prokurori ose nga mbrojtësi a përfaqësuesi që ka kërkuar pyetjen. Më pas pyetja vazhdon nga palët, sipas radhës.

2. Kush ka kërkuar pyetjen mund të bëjë pyetje edhe mbasi mbarojnë palët e tjera.

3. Ndalohen pyetjet që ndikojnë keq në paanësinë e dëshmitarit ose që synojnë në sugjerimin e përgjigjeve.

4. Për të ndihmuar kujtesën, dëshmitari mund të lejohet nga kryetari që të shikojë dokumentet e hartuara prej tij.

5. Pyetja e dëshmitarëve të mitur mund të bëhet nga kryetari, mbi kërkesat dhe kundërshtimet e palëve. Kryetari mund të ndihmohet nga një familjar i të miturit ose nga një specialist i fushës së edukimit të fëmijëve. Kur çmohet se pyetja e drejtpërdrejtë e të miturit nuk e dëmton gjendjen psikologjike të tij, kryetari urdhëron që pyetja të vazhdojë sipas dispozitave të paragrafëve 1 dhe 2. Urdhri mund të revokohet gjatë pyetjes.

6. Gjatë pyetjes së dëshmitarit kryetari mund të bëjë pyetje dhe, kur është rasti, ndërhyn për të siguruar radhën e pyetjeve, vërtetësinë e përgjigjeve, saktësinë e pyetjeve dhe të kundërshtimeve, si dhe për të garantuar respektimin e personit.

7. Dëshmitari mund të pyetet në distancë, brenda ose jashtë vendit, me anë të lidhjes audiovizive, duke respektuar rregullat e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe dispozitat e këtij Kodi.

Personi i autorizuar nga gjykata qëndron në vendin ku ndodhet dëshmitari dhe bën vërtetimin e identitetit të tij, si dhe kujdeset për zhvillimin e rregullt të marrjes në pyetje e për zbatimin e masave të mbrojtjes. Këto veprime ai i pasqyron në procesverbal.