strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

SEKSIONI IV - AKUZAT E REJA

  • Neni 372 - Ndryshimi i akuzës
  • 1. Kur gjatë shqyrtimit gjyqësor fakti del ndryshe nga ç’është përshkruar në kërkesën për gjykim dhe gjykimi i tij është në kompetencën e asaj gjykate, prokurori ndryshon akuzën dhe procedon me akuzën përkatëse.

  • Neni 373 - Akuza për një vepër tjetër
  • 1. Kur gjatë shqyrtimit gjyqësor del një vepër penale tjetër që ka lidhje me atë që gjykohet, sipas nenit 79 gërma “b”, ose një rrethanë rënduese që nuk është përmendur në kërkesën për gjykim, prokurori i komunikon të pandehurit veprën penale ose rrethanën, por me kusht që gjykimi të mos jetë në kompetencë të një gjykate më të lartë.

  • Neni 374 - Akuza për një fakt të ri
  • 1. Kur gjatë shqyrtimit gjyqësor del një fakt i ri në ngarkim të të pandehurit që nuk është përmendur në kërkesën për gjykim dhe për të cilin duhet proceduar kryesisht, prokurori procedon në format e zakonshme, duke tërhequr dosjen për të vazhduar hetimet paraprake. Megjithatë, në qoftë se prokurori kërkon, gjykata mund të lejojë shqyrtimin në të njëjtën seancë kur i pandehuri jep pëlqimin dhe nuk dëmtohet shpejtësia e procedimit.

  • Neni 375 - Ndryshimi i cilësimit juridik të veprës
  • (Ndryshuar me ligjin nr.8813, datë 13.6.2002)

    Me vendimin përfundimtar gjykata mund t’i japë faktit një përcaktim të ndryshëm nga ai që ka bërë prokurori ose i dëmtuari akuzues, më të lehtë ose më të rëndë, me kusht që vepra penale të jetë në kompetencën e saj.

    _______________________________________________
    Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nr.51, datë 30.7.1999

    Duke arsyetuar pajtueshmërinë me Kushtetutën të nenit 375, Gjykata Kushtetuese, me vendimin nr. 51, datë 30.7.1999, ka vënë në dukje se e drejta që i njihet gjykatës për t’i dhënë faktit një përcaktim juridik të ndryshëm nga ai që ka bërë prokurori nuk është veprim antikushtetues. “Në këtë rast, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushteteuese, gjykata nuk merr kompetencat e prokurorit dhe as kthehet në organ akuzues, por vetëm zbaton ligjin, gjë që është detyrë funksionale e saj… gjykata nuk është organ akuzues, nuk formulon akuzë të re dhe as e ndryshon atë, por mbi bazën e faktit të paraqitur, bën cilësimin e duhur ligjor të veprës, duke i dhënë faktit një përcaktim tjetër.” Më tej, Gjykata Kushtetuese arsyeton: “Gjykata, duke i dhënë faktit një përcaktim juridik të ndryshëm nga ai i prokurorit, mund të bëjë që cilësimi i ri të jetë një vepër penale më e lehtë ose më e rëndë. Në rastin e fundit nuk do të thotë se rëndohet pozita e të pandehurit. Rëndimi i pozitës trajtohet në raport me shkallën më të lartë të gjykimit.”
    Ndryshimin e cilësimit juridik të veprës, gjykata mund ta bëjë vetëm në qoftë se vepra penale është në kompetencën e saj. Përndryshe ajo duhet t’ia dërgojë çështjen gjykatës kompetente.
    Vendimi i Gjykatës Kushtetuese përfundon: “Neni 375 i Kodit të Procedurës Penale jo vetëm që nuk vjen në kundërshtim me nenin 148 të Kushtetutës, por është në përputhje edhe me parimet e tjera kushtetuese të zhvillimit të një gjykimi të drejtë nga një gjykatë e paanshme.”

  • Neni 376 - Të drejtat e palëve
  • 1. Në rastet e parashikuara nga nenet 372, 373 dhe 374, kryetari i bën të ditur të pandehurit se mund të kërkojë një afat për mbrojtjen. Kur i pandehuri kërkon afat, kryetari ndërpret shqyrtimin gjyqësor për një kohë të përshtatshme, por jo më shumë se dhjetë ditë. Edhe palët e tjera mund të kërkojnë marrjen e provave të reja.

    2. Kryetari urdhëron thirrjen e të dëmtuarit, duke respektuar një afat jo më të vogël se pesë ditë.

    3. Kur i pandehuri gjykohet në mungesë, prokurori i kërkon gjykatës që akuza e re të përfshihet në procesverbalin e shqyrtimit gjyqësor dhe që ekstrati i procesverbalit t’i njoftohet të pandehurit. Në këtë rast kryetari ndërpret shqyrtimin gjyqësor dhe cakton një seancë të re, duke respektuar afatet e treguara në paragrafin 1.

  • Neni 377 - Kalimi i akteve prokurorit
  • 1. Kur prokurori e tërheq akuzën dhe në gjendjen që janë provat vërtetohet se i pandehuri nuk ka faj ose del që ekziston një nga rastet e pushimit të çështjes, gjykata vendos pafajësinë e të pandehurit ose pushimin e çështjes. Në rast të kundërt, gjykata vendos kalimin e akteve prokurorit.