Neni 375 - Ndryshimi i cilësimit juridik të veprës

(Ndryshuar me ligjin nr.8813, datë 13.6.2002)

Me vendimin përfundimtar gjykata mund t’i japë faktit një përcaktim të ndryshëm nga ai që ka bërë prokurori ose i dëmtuari akuzues, më të lehtë ose më të rëndë, me kusht që vepra penale të jetë në kompetencën e saj.

_______________________________________________
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nr.51, datë 30.7.1999

Duke arsyetuar pajtueshmërinë me Kushtetutën të nenit 375, Gjykata Kushtetuese, me vendimin nr. 51, datë 30.7.1999, ka vënë në dukje se e drejta që i njihet gjykatës për t’i dhënë faktit një përcaktim juridik të ndryshëm nga ai që ka bërë prokurori nuk është veprim antikushtetues. “Në këtë rast, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushteteuese, gjykata nuk merr kompetencat e prokurorit dhe as kthehet në organ akuzues, por vetëm zbaton ligjin, gjë që është detyrë funksionale e saj… gjykata nuk është organ akuzues, nuk formulon akuzë të re dhe as e ndryshon atë, por mbi bazën e faktit të paraqitur, bën cilësimin e duhur ligjor të veprës, duke i dhënë faktit një përcaktim tjetër.” Më tej, Gjykata Kushtetuese arsyeton: “Gjykata, duke i dhënë faktit një përcaktim juridik të ndryshëm nga ai i prokurorit, mund të bëjë që cilësimi i ri të jetë një vepër penale më e lehtë ose më e rëndë. Në rastin e fundit nuk do të thotë se rëndohet pozita e të pandehurit. Rëndimi i pozitës trajtohet në raport me shkallën më të lartë të gjykimit.”
Ndryshimin e cilësimit juridik të veprës, gjykata mund ta bëjë vetëm në qoftë se vepra penale është në kompetencën e saj. Përndryshe ajo duhet t’ia dërgojë çështjen gjykatës kompetente.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese përfundon: “Neni 375 i Kodit të Procedurës Penale jo vetëm që nuk vjen në kundërshtim me nenin 148 të Kushtetutës, por është në përputhje edhe me parimet e tjera kushtetuese të zhvillimit të një gjykimi të drejtë nga një gjykatë e paanshme.”