strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

SEKSIONI II - VENDIMI I PUSHIMIT TË ÇËSHTJES DHE I PAFAJËSISË

  • Neni 387 - Vendimi i pushimit të çështjes
  • 1. Kur ndjekja penale nuk duhej të fillonte ose nuk duhet të vazhdojë, ose kur vepra penale është shuar, gjykata vendos pushimin e çështjes, duke treguar edhe shkakun.

    2. Gjykata vendos në të njëjtën mënyrë kur ekzistenca e një kushti procedimi apo e një shkaku që shuan veprën penale është e dyshimtë.

  • Neni 388 - Vendimi i pafajësisë
  • 1. Gjykata merr vendim pafajësie kur:
    a) fakti nuk ekziston ose nuk provohet se ekziston;
    b) fakti nuk përbën vepër penale;
    c) fakti nuk parashikohet nga ligji si vepër penale;
    ç) vepra penale është kryer nga një person që nuk mund të akuzohet ose të dënohet;
    d) nuk provohet që i pandehuri e ka kryer veprën që akuzohet;
    e) fakti është kryer në prani të një shkaku të përligjur ose të një shkaku padënueshmërie, si dhe kur ekziston dyshimi për qënien e tyre.

  • Neni 389 - Disponimet mbi masat e sigurimit
  • 1. Me vendimin e pafajësisë a të pushimit, gjykata urdhëron lirimin e të pandehurit të paraburgosur dhe deklaron heqjen e masave të tjera të sigurimit. Në të njëjtën mënyrë disponohet edhe kur vendoset pezullimi me kusht i vendimit.